E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një debat mbi debatin elektoral



Nga Zamir Gjurgji

Kur kreu i listës së Partisë Socialiste për qarkun e Durrësit, Blendi Klosi, u shpreh në një debat televiziv të një emisioni nga më të ndjekurit në vend se "Sali Berisha u është servilosur baballarëve tanë", nuk besoj se atë çast ka qenë aq i vetëdijshëm të kuptonte se çfarë margaritari po nxirrte nga goja. Ndoshta, një nga treminutëshat e z. Xhaferri ishte aq efikas, saqë “dhelprës së kuqërremtë” i doli nga mendja ta lyente këmbën me miell të bardhë si ai i lartësive të Dumresë, për të luajtur rolin e “nëna dhisë”. Ashtu siç ka ditur ta luajë bukurisht deri pak kohë më parë znj. Valentina Leskaj në qarkun e Elbasanit.

Opinioni i Klosit do të ishte vetëm i tiji, nëse “kundrinorin e zhdrejtë” do ta përdorte në numrin njëjës. Ndërsa, kur sintaksa e tij i drejtohet shumësit, atëherë kuptohet se nuk flet vetëm si një bir Klosësh. Por, në emër të bijve për baballarët. Ai flet në emër të njeriut të listës për njeriun e paslistës, në emër të Klosit junior për Klosin senior. Në emër të Pezës junior për Pezën senior. Në emër të Ballukut junior për Ballukun senior. Në emër të Gjonit junior për Gjonin senior. Në emër të Gjinushit junior për Gjinushin senior. Në emër të Bushatit junior për Bushatin senior. Në emër të Beqes junior, për Beqen senior. Në emër të Mishës junior për Mishën senior. Në emër të Blushit junior, për Blushin senior, në emër të E-së junior për E-në senior etj. “Në emër të popullit”. Me “Zërin e popullit”. Gju më gju me popullin. Me komandën “çohu” ku i gjithë populli është ushtar. Në luftë kundër të vjetrës dhe zakoneve prapanike, për njeriun e ri dhe fidanishten... Në luftë kundër atij armikut më të rrezikshëm, që nuk duhet harruar, që rrezikon të ardhmen e fëmijëve tanë...

Nëse kreu i PD-së do të ishte i përputhshëm - kompatibël do të thoshte më saktë zonja nga qyteti i Krujës, Seseri - me kallëzuesin e “fjalisë bombë” të Klosit junior, për bijtë të deklaruar publikisht si krenarë ndaj baballarëve, ‘servilosja’ nuk mund t’i shpërblehet me mllefosje, aq më tepër me akuzën “komunist”. Ka diçka që logjika nuk e pranon. Ka qenë servil apo rebel, i ka puthur këmbën apo u ka vënë dy këmbët në një këpucë baballarëve të bijve, këtë çudi të radhës le ta zgjidhin fillimisht “brenda rrethit familjaro-politik”. Më pas, po të duan le të na e paraqesin variantin “e kopsitur”, ku mund të diskutojmë e debatojmë demokratikisht. Por deri atëherë, le të merremi me këtë E-në që e kemi të gjallë e mes nesh, sesa me atë që i ka mbirë bari një pash mbi dhe...

Kjo E-ja e re ose, më mirë të themi @ (eta) e re - sepse ajo e vjetra i drejtohej popullit me parulla e pankarta, ndërsa kjo e reja i drejtohet me sms dhe facebook - qysh kur nxori “në pension” të vjetrin Nano dhe orvatet të bëjë të njëjtën gjë si me “kryeplakun” Berisha dhe me “të riun e vjetër” Meta, është munduar me mish e me shpirt, me hir e me pahir, të deklarojë (lexo: kamuflojë) qëndrimin e grupit që ai drejton. Duke lëvizur sa majtas aq edhe djathtas, sa poshtë aq edhe përpjetë. Për të na bindur se ai dhe vetëm ai është mbinjeriu “i ri”, që do të fshinte me një të rënë të lapsit vitet e tranzicionit. Vitet në ndryshim. Vitet që i ndryshuan faqe historisë së Shqipërisë.

Kështu, ai na ka shpallur sfidë të gjithëve, socialistë e demokratë, ballistë e zogistë, duke na lëshuar në 28 qershor dorezën e zezë, me majat e gishtave jashtë. Atë të “kthimit në identitet”. Të kthimit në Bllok. Të kthimit te Blloku. Të kthimit nga Blloku. Të përgjunjes e përuljes. Të vënies së kokës në tokë - ashtu si para Enverit e Stalinit në sheshin “Skënderbej” disa dekada më parë - para kultit të sektit të tij “kriptodeist”. Dhe kjo nuk përbën aspak çudi për t’u çuditur. Aq më tepër kur këto rite i kryejnë me përkushtim të admirueshëm të gjithë punonjësit e bashkisë. Pa përjashtim. Pa dallim gjinie, krahine apo ofiqi.

Ai që sot e gjithë ditën - shprehje kjo jo vetëm e “Lartmadhërisë së Tij”, por edhe e oborrtarëve të partisë së bashkisë - do të kryente revolucionin e shekullit të ri, për të lënë (krye)plakun në shtëpinë e tij. Revolucionin e ndryshimit të brezave, të zëvendësimit të të vjetërve me të rinjtë. Si një shprehje kjo e demokracisë popullore nga më progresistet që ka parë koha dhe vendi. Aq të përparuar, sa brezi që unë dhe bashkëmoshatarët e mi, as të vjetër e as të rinj, nuk na i nxë kaplloqja. Ngaqë jetojmë “në shekullin e kibernetikës” dhe gjykojmë e vlerësojmë si në “shekullin e karrocave”... Sepse ne nuk jemi aq të aftë sa të kalojmë ylberin. Thjesht nuk jemi. Ai po. Ai është ndryshe. Prandaj është, Ai.

Ne brezi, as... as... nuk e kuptojmë dot pse ky ylberisti ynë “i vuri dërrmën manekinit të Enverit” kur ne as... as...-ët e kishim bërë gati dy dekada më parë. Si pionier i të resë dhe varrmihës i së vjetrës, kreu i ri i vegjëlisë dëshiron ethshëm të zëvendësojë E-në e vjetër me E-në e re, do të thoshte ndonjë qytetar jo aq “mendjehapur”, siç jemi ne të tjerët “mëndjengushtët “që jemi rritur më shumë me qerpiçin e tironsve sesa me betonin e tiranasit. Por ja që ai përtej... përtej... sheh më larg, më lart. Si shqiponjat që fluturojnë lart. Si zgalemi në furtunë. Si shkrimtari në disidencë. Si krijuesi në muzën e tij. Si njeriu që do shkruhet në histori, që do të shkruajë me gërma të arta historinë e tij. Me qëllim që shkrimet tij dhe të “atyre”, të mbeten të skalitura në mendjet e njerëzisë. Që të reflektojnë a të ishullohen, të jenë Otello apo piktorë, kjo nuk ka edhe aq rëndësi. Rëndësi ka që bijtë të ecin vetë, të shkrimojnë edhe vetë. Vetëm e vetëm që t’u ngjajnë kryekëput baballarëve deri dje shpirtërorë, sot edhe biologjikë... Vërtet. Më se e vërtetë. Nuk e luan topi. Edhe pse e hidhur, por e vërtetë. Ne qytetarët e dorës së dytë, bij me baballarë “që nuk e kanë çarë rrugën e pushtetit me pallë në dorë dhe pendë të ngjyer në gjuhë”, bëjmë çudi me vete. Mbetemi përsëri peng të dilemës shekspiriane. A po na fanitet apo nuk po na fanitet vallë edhe një herë E-ja, teksa vazhdon të betonojë qiellin e kryeqytetit me rrokaqiej? A është vallë edhe kjo një tezë realiste socialiste?!

Gjithsesi, këto dilema duket se na i zgjidh poeti Xhevahir Spahiu, që në një intervistë të dhënë në fund të muajit maj për një gazetë shqiptare, shprehet kështu për E-në senior...

“Këta shkrimtarë dhanë (përcaktuan) shenja dhe u mbështetën. I mbështeti partia, vetë Enveri. Kur u bënë dy grupe, të rinj e të vjetër, ai i dëgjoi dhe tha: "Unë jam me të rinjtë". E ka pohuar këtë Fatos Arapi dhe e ka shkruar Kadareja. Ata studiuan jashtë vendit... Morën një kulturë dhe ia bashkëngjitën kulturës vendase. Por ishin edhe nga familje të besuara politikisht. Edhe intuita në këtë rast nuk e gaboi Enverin...”

“... Unë kam dhënë këtë mendim për letërsinë e realizmit socialist: Nën qiellin e betontë të realizmit socialist rritej dhe lulëzonte dhe një art tjetër, që s’kishte asnjë lidhje me të...”

Si për t’i shkuar edhe më tej “listës së çudive”, forcat demokratike kujtuan 19-vjetorin e lëvizjes demokratike që rrëzoi bustin e diktatorit E., në fillim të viteve '90. Ndërsa grupimet ylberiste duket se duan të na fshijnë nga kujtesa politike 18 vjet të historisë së rikthimit të demokracisë. Edhe me aritmetikën e djalit tim që sapo ka mbaruar mbledhjen e zbritjen deri në njëqind, pa pasur nevojë të përdoren logaritmet e ekspertes R. Seseri - numri dy në listën e qarkut të Durrësit - mund të kuptohet qartë se ylberistët dhe demokratët aspirojnë vite të ndryshme, fate të ndryshme.

Nëse demokratët aspirojnë vitin 1990, ylberistët aspirojnë vetëm një vit më pas, vitin 1991. As më shumë e as më pak. Respektivisht rigjenerimin e demokracisë dhe rikonsolidimin e socialistëve (të sapokonvertuar nga ata komunistë) vetëm pak kohë pasi R. Alia i dha fjalën Peres de Kuelar-it se do të lejonte pluripartitizmin në Shqipëri. Por, baballarët rikthyen dhunshëm "monopatinën", do të ishte fjala me vend për veshët dhe botëkuptimin e bashkëmoshatarëve të birit tim dhe "monopartinë" për veshët dhe botëkuptimin e bashkëmoshatarëve të znj. Seseri dhe z. Klosi. Si për çudi, në emër të persekutimit familjar - gjë që personalisht nuk dyshoj (ende) se dëshmon rrejshëm - znj. Seseri jo vetëm që ishte në krah të familjeve persekutore, por i jepte krahë çdo qëndrimi politik të pinjollëve të kuq. Hajde dhe mos thuaj “boll me qen’ TiRam’, se gjithça ke me bam”.

E ndërsa më vërtitej në kokë ky shqetësim i artikuluar tashmë, ashtu duke bërë ato shëtitjet e zakonta të pasdites, i shoqëruar nga një pinjoll i një familjeje që E-ja e vjetër i preu kokën ngaqë donte më shumë Shqipërinë sesa Jugosllavinë, na rastis të ndeshemi me një njeri të letrave, me një historian kalibri, që edhe pse në moshë të thyer, nuk duket se i kanë shterur energjitë për historinë e Shqipërisë. “Ore, po ky Edi Rama po më bën çudi. Ia ka kaluar edhe Enverit. U ka shpallur luftë WC-ve. Në kohën e merhumit kishte pak, por sidoqoftë 15 banjo publike i kishim në Tiranë. Ky i sotmi na i shoi fare. S’ka një për be. Po si t’ia bëjmë ne pensionistët që na shkohet shpesh në banjo. Na duhet të paguajmë një kafe 50-60 lekëshe, për të “derdhur ujët” në lokal. Epo ky i ka shpallur luftë edhe banjove publike mo”, - tha njeriu i letrave, që në ata sytë ngjyrë deti i lexohej qartë sikleti që nuk e fshihte dot. Na përshëndeti e ashtu, duke i hedhur shpejt e më shpejt hapat, u drejtua për nga shtëpia e tij. Edhe pesë minuta dhe mbërrin në shtëpi, thashë me vete, ndërsa dëgjoja me ëndje bisedën e mikut tim, që ashtu duke shëtitur, po më shpjegonte në detaje vizitën e Presidentit amerikan Obama në Francë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›