Lushnje, krim brenda familjes, burri vret gruan e më pas veten
Ka qëlluar me armë ndaj gruas së tij, duke e lënë të vdekur dhe më pas ka vrarë veten. Ngjarja e rëndë ndodhi në pasditen e djeshme në periferi të Lushnjes. Sipas burimeve nga policia, autori i kësaj ngjarjeje është Bajram Koreshi. Krimi në familje ka tronditur qytetin e Lushnjes, ku për pasojë kanë gjetur vdekjen dy persona. Policia ka shkuar në vendngjarje ku ka nisur hetimet. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se shkak i këtij krimi të rëndë ka qenë depresioni. Ndërkohë që po punohet për zbardhjen e rrethanave të tij. Rreth orës 19:40 midis çiftit Koreshi kanë nisur debatet. Duket se gjërat kanë filluar të përkeqësohen midis tyre. Ata jetonin në lagjen “Sarave”, në periferi të qytetit. Debati midis të dyve nuk është shuar. 43-vjeçari ka shkuar në dhomë dhe ka marrë një automatik, të cilin ai e mbante në shtëpi. Më pas, ka qëlluar ndaj bashkëshortes së tij, duke e lënë atë të vdekur. Sipas burimeve nga policia, si pasojë e plumbave ka humbur jetën Adelina Koreshi. Më pas, autori i vrasjes e ka drejtuar armën drejt vetes ku ka shkrehur këmbëzën. Plumbat e marrë i kanë marrë dhe atij jetën. Kur kanë dëgjuar krismat, njerëzit përreth dhe të afërmit janë drejtuar në shtëpi. Ata kanë parë dy trupat e shtrirë dhe janë përpjekur t’u japin atyre ndihmën e parë. Por plagët e marra nga goditja me armë ishin të rënda dhe të dy ata nuk jepnin më shenja jete. Në vendngjarje shkoi policia, ku u ngrit dhe një grup pune për të hetuar shkaqet. Nga hetimet paraprake rezulton se ka qenë depresioni ai që ka shtyrë 43-vjeçarin të ndërmarrë këtë veprim. Por po punohet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë, ku humbën jetën dy persona.