E Diel, 1 Nëntor 2026

Një dele pjell 5 qengja

04/04/2005  Fshatarët: Vit i mbarë për blegtorinë

Është çuditur, kur ka shkuar në mëngjes tek bagëtitë 60-vjeçari Xhaferr Laze, banor i fshatit Slatinjë, i komunës Qendër. Ai, pa se njëra nga delet e tij kishte bërë 5 qengja. Menjëherë bariu ka shkuar dhe ka marrë qengjat dhe i ka veçuar nga kopeja, së bashku me delen, për ti trajtuar me ushqim të veçantë. Më pas, ka zbritur në qytetin e Çorovodës dhe ka shkuar në farmaci për të blerë 5 biberona 500 gr. Në fillim farmacisti është çuditur se përse i duheshin plakut nga fshati 5 biberonat, pasi të njëjtat biberona përdoren edhe për fëmijët e vegjël, por bariu e ka sqaruar se njëra nga delet e kopesë së tij ka bërë 5 qengja dhe meqenëse delja nuk i ushqen dot me qumësht, ai ka treguar se do ti ushqejë me biberona, për ti rritur të shëndetshëm. Me kthimin në shtëpi filloi dhe procesi për ushqimin e të vegjëlve me qumështin e marrë nga dy dele të tjera të tufës.

Dje paradite e gjithë familja ka qënë në festë dhe sipas burimeve pranë saj mësohet, që plaku i shtëpisë ka thënë se: ”Kjo që ndodhi është mbarësi jo vetëm për blegtorinë por edhe për të gjithë shtëpinë”. Po dje, bariu i kësaj kopeje ka pohuar se këtë vit, edhe pse dimri u tregua i ashpër në fillim dhe se kur u duk se blegtoria do të dështonte, ajo mori tjetër rrugë, atë të përmirësimit dhe të mbarësisë. Këtë vit në shumë zona të Skraparit, tha në linjë telefonike Drejtori i Bujqësisë dhe Ushqimit, blegtoria ka pasur një ecuri të mbarë dhe dështimet thuajse kanë qenë të pakta, për të mos thënë se në 70 % të komunave nuk ka pasur asnjë deshtim në blegtori. Po sipas tij, në rrethin e Skraparit mbarështrohen mbi 150 mijë krerë të imëta dhënë e dhi dhe, furnizojnë mbi 20 % të tregut të mishit dhe vetëm 10 % të prodhimit të nënproduktit të qumështit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›