"Jemi shndërruar në simbole të vogla të territ"
Mund të supozohet se ky fillim i ri në Vitin e Ri, na gjen sërish në një shoqëri të ndëshkuar së brendshmi; ndërsa shqiptarët kokulur mund të konsiderohen si "shpërblimi" më i madh për qeveritarët e kënaqur shumë me arritje të paqena, e kundërta, qeveritarët dhe gjithë pushtetarët tanë mund të llogariten si "ndëshkim" i egër për shoqërinë. Meskiniteti i drejtuesve të shtetit tek ne, por edhe mediokriteti i papërsëritshëm i tyre, janë konsoliduar dhe janë shndërruar në një vulë të zezë fati të zi. Ne jemi sot dëshmitarë problemesh të mëdha dhe udhëtarë të mjerë të një epoke të dëshpëruar, që nganjëherë degjeneron në historira të kobshme. Zogj pendëlagur të një tranzicioni të trishtë! Jemi shndërruar në simbole të vogla të territ, sepse ngjajmë me lakuriqët e një nate që s'ka të mbaruar. Shpesh, të mjerë e të mohuar, të papërfillur e të poshtëruar, ia kemi dalë të ëndërrojmë agime që nuk mund të vijnë dhe ky është ndëshkimi më i madh që mund t'i bëhet atyre që duan të jetojnë.