Një ditë pas vizitës së Fyles, rrezikohet puna e komisionit për reformën zgjedhore. Kërkesa e të vegjëlve injorohet
Vetëm një ditë vizitës së Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, që përgëzoi Shqipërinë për progresin në disa reforma, situata është acaruar në komisionin e ngritur për reformën zgjedhore. Demokratët akuzojnë socialistët se po prishin konsensusin e arritur. Shkak për këtë përplasje është bërë kërkesa e PS për të hapur kutitë e materialeve zgjedhore edhe në qendrat e numërimit. Kjo kërkesë është kundërshtuar nga demokratët, që thonë se kutitë mund të hapen vetëm nga KQZ në rast se ka ankimim.
Duke folur për mediat, përfaqësuesi i PD në këtë komision, Oerd Bylykbashi tha se propozimi i PS prish konsensusin, pasi shton ngarkesën e punës në qendrat e numërimit.
Megjithatë Bylykbashi tha se procesi do të mbyllet brenda 15 majit.
Pas kësaj ka reaguar Partia Socialiste me Damian Gjiknurin. Ky i fundit tha se nuk e kupton tërheqjen e PD-së nga kjo marrëveshje, e cila pengon transparencës. Sipas Gjiknurit, kjo mund të jetë një manovër taktike e PD-së, për të penguar reformën zgjedhore.
Të dy partitë e mëdha megjithatë duket se nuk kanë ndërmend që të trajtojnë problemin e partive të vogla me sistemin zgjedhor, duke argumentuar se nuk e kanë pasur të përcaktuar në mandatin e punës së tyre çështjen e sistemit.