E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, nafta rrit biletat e interurbaneve

• SARANDE - Rritja e çmimit të naftës në tregun vendas ka shkaktuar një rritje në çmimin e biletave të linjave interurbane të autobusëve.Tashmë, të udhëtosh nga Saranda për në Gjirokastër apo Tiranë dhe anasjellas, kushton nga 20-50 për qind më tepër. Kështu nëse më parë bileta e udhëtimit Sarandë-Gjirokastër kushtonte 200 lekë, në ditët e sotme kushton 300 lekë. Më parë bileta e linjës Sarandë-Tiranë kushtonte 1000 lekë, por tashmë çmimi i saj ka arritur 1200 lekë. Fillimisht mësohet se tarifat e reja janë vendosur nga shoqatat e këtyre linjave në Tiranë dhe më pas nga ato të Sarandës. Kjo rritje çmimi është bërë edhe disa vite më parë, kur çmimi i naftës pati një rritje drastike në tregun vendas, por pas uljes së saj u ulën edhe çmimet e biletave. Rritja e çmimit të biletave të udhëtimit në qytetin jugor pason skandalin me çmimet e mallrave ushqimorë. Vetëm një ditë më parë, gazeta publikoi tarifat e caktuara nga tregtarët, kryesisht ata ambulantë, të cilët arritën të shesin një kokërr vezë me 140 lekë të reja. Dhe në këtë rast, ngritjen e vlerës së këtij produkti ata e justifikuan me rritjen e biletës nga ana e furgonëve, me të cilët lëvizin nga fshatrat e tyre drejt tregut të Sarandës.                       sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›