E Diel, 1 Nëntor 2026

Një editorial i Kathimerinit zbulon aventurën politike personale të Vangjel Dules

Bukëshkalin në Shqipëri e kanë si personin më të pavlerë dhe më të përbuzur. Kështu ndodh edhe me miqtë tanë në Greqi, të cilët e përkufizojnë bukëshkalin si “aharistos”. Dhe nuk ka cilësim më të goditur për të etiketuar kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule. Duke mos mundur të shkëputet dot nga gjeni i tij majtist dhe shoqëria me Skënder Gjinushin, z Dule shpiku alibinë e “Çamërisë” për t’u shkëputur nga e djathta shqiptare. Veç refuzimit të bashkëpunimit të ofruar nga z. Berisha, Vangjel Dule vendosi që të shfaqet si nacionalist dhe mbrojtës i interesave të Greqisë më shumë se Karamanlisi, Bakojanisi, Kasimi, madje edhe se vetë Hirësia e Tij z Anastas.
Duke iu referuar edhe një shkrimi të gazetës greke “Kathimerini” nga gazetari Stavros Ligjeru (shkrim të pasqyruar edhe tek gazeta “55”), i cili mbronte Vangjel Dulen në vendimin e tij, nuk mund të lemë pa përmendur disa gjëra.
E para duhet bërë e qartë se Vangjel Dule e ka kumbar (i ka pagëzuar fëmijën) gazetarin grek që kishte informacione konfidenciale mbi rekomandimet që i janë bërë z.Dule nga qeveria greke. Kjo lidhje e ngushtë bën që Dule t’i kalojë informacione konfidenciale gazetarit grek, informacione për të cilat sigurisht nuk paraqet asnjë provë shkresore apo vizive. Duke spekuluar mbi presione të paqena nga ana e qeverisë greke. Z.Dule as më shumë e as më pak nëpërmjet gojës së gazetarit të “Kathimerini” shpik një konspiracion ndaj tij me pjesëmarrjen e dy qeverive, asaj greke dhe asaj shqiptare. A thua se ia vlen kaq shumë ky intrigant i vogël. Gjithashtu duhet thënë se Vangjel Dule ka  lidhje shumë të ngushta me ish-Ministrin e Shëndetësisë në kohën e qeverisjes së “Pasok”, z. Aleko Papadhopulo si dhe me të majtën greke prej të cilës shpreson se do të marrë edhe mbështetjen financiare për të vazhduar aventurën e tij të shkurtër, në jetën politike shqiptare. Pa dashur të shtjelloj aspekte për të cilat z. Dule mund e do të duhej të jepte sqarime jo vetëm tek opinioni publik, po kujtoj se kryetari aktual i PBDNJ-së ka përdorur dhe vazhdon të përdorë lidhjet miqësore të qeverisë së djathtë të Tiranës me atë të Athinës për të “bërë ndere” me viza greke, me vende pune, me administrim të një Ministrie të tërë etj. Dëshmitarët e këtyre pohimeve janë njerëz afër z. Dule dhe aq më shumë drejtues të lartë të OMONIA-s. Kjo e fundit votoi 7 me 5 kundër iniciativës së Vangjel Dules për të bërë koalicion me PS-në. Dhe duke qenë se baza e PBDNJ-së është Omonia, atëherë merret me mend se Vangjel Dule çon në një përçarje të sigurtë dhe të mëtejshme të minoritetit në Shqipëri. Dhe pavarësisht përpjekjeve të tij, me anë të gazetarëve dhe ish-ministrave grekë që i ka kumbarë, që të shpëtojë nga kjo përgjegjësi ai do të jetë humbësi i madh i datës 28 qershor.
Z. Dule rreshtohet kështu me Vangjel Tavon dhe Stefan Çipën, dy personazhe që kandidojnë për PS-në në zonat e minoritetit dhe përveç problemeve me gratë, i marrin shumicën e votave vetë PBDNJ-së që udhëheq Dule. Pra në vend të ruajtjes së pavarësisë dhe identitetit të tij, Vangjel Dule e ka çuar PBDNJ-në në kufijtë e shkrirjes me Partinë Socialiste.
Por çfarë e shtyn në të vërtetë z Vangjel Dule që të rreshtohet me palën që kërkoi me ngulm burgosjen e një eksponenti të njohur të Omonia-s? Çfarë e rreshton atë me të majtën shqiptare? Mos vallë vizioni i tij për fitore të së majtës në zgjedhje? Apo besimi se, pas zgjedhjeve, edhe nëse humbet mund të përdorë të njëjtat pehlivanllëqe dhe si njeri pa moral e pa karakter të çojë mandatet e marra majtas drejt së djathtës? Përgjigja është pak më e komplikuar. Kjo pasi Vangjel Dule që ka për kumbar eksponentë të “Pasok”-ut dhe gazetarë të majtë grekë që termin e “Vorio-Epirit” nuk e kanë harruar ende, shpresojnë në një vonesë të Shqipërisë në proceset integruese. Kjo sepse kështu ata kujtojnë se i afrohen gjithnjë e më tepër ëndrrës së vjetër e të sëmurë nacionaliste të shkëputjes së të ashtuquajturit Vorio-Epir dhe kontrollit të tij. Sepse duke vonuar proceset integruese, duke shpresuar që Shqipëria të zhytet sërish në krim e korrupsion, të ndalë procesin e heqjes së vizave, të bllokojë arterien e kombit etj, dëmtohet edhe pavarësia e Kosovës, tronditet stabiliteti rajonal dhe vihen në jetë skicat e planeve ogurzeza të qarqeve shoviniste greke që nuk lënë rast të shkojë kot. Janë po këto qarqe që kur Kryeministri grek Karamanlis vizitonte Tiranën u mblodhën dhe protestuan para Ambasadës shqiptare në Athinë me thirrjet e përbindshme: “T’i djegim brenda qentë shqiptarë”. Me sa duket z. Dule bëhet me dëshirë zëdhënës i kësaj politike antishqiptare dhe kanibaliste.
Le të ndalemi pak edhe tek alibia që ai ngre për refuzimin e koalicionit me Berishën për shkak të bashkëpunimit të këtij të fundit me “partinë e çamëve”. Por Vangjel Dule nuk pati ndonjë protestë ndaj ish-Presidentit Moisiu, të cilit i ndodhi edhe incidenti me Presidentin grek në Sarandë. Madje ai nuk mund të japë përgjigje dhe as të thotë gjysëm fjale edhe për thëniet e Edi Ramës se baza e çamëve është me Partinë Sociualiste dhe vetëm Kryetari i tyre nënshkroi me Berishën. Nëse do të ishte e vërtetë alibia e çamëve, atëherë z.Dule duhet të ishte distancuar publikisht edhe nga një funksionar i lartë krah tij, i cili është martuar me një vajzë çame. Madje këtë fakt e di edhe Hirësia e Tij z Anastas. A i takon Vangjel Dules të mbjellë erën e përçarjes mes minoritetit dhe komunitetit çam, të ndezë një përplasje, e cila përfshin interesa të dy shteteve dhe ku e çon kjo Shqipërinë? Kujt i shërben në këtë rast Vangjel Dule? Këtë zotëri nuk e kemi parë as të bëjë thirrje për të marrë kartat e reja të identitetit dhe kjo për arsyen e thjeshtë se regjistrimi elektronik dhe biometrik i shqiptarëve do të nxjerrë në shesh sa shumë gjynahe ka z.Dule në shpërndarjen e çertifikatave me identitet të rremë me kombësi greke, të cilat tashmë nuk pijnë më ujë. Ndaj edhe thirrjet e tij kanë qenë të ngutshme për regjistrime të popullsisë në jug dhe dhënie të vistos masive të shtetësisë greke nga autoritetet diplomatike e konsullore greke në Shqipëri para dixhitalizimit të të dhënave personale, në mënyrë që të mos zbulohej përpjekja e tij dhe e mbështetësve të tij të së majtës greke dhe shqiptare për të fryrë shifrat e minoritetit grek në Shqipëri e për ta përdorur më vonë këtë shifër për veprime të “vetëvendosjes dhe autonomisë”.
Gjithsesi Vangjel Dule, me dritëshkurtësinë politike dhe hapin e koalicionit me humbësit e zgjedhjeve të 28 qershorit i tha lamtumirë edhe mbijetesës prej zvarraniku në politikën shqiptare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›