“Qytetar nderi” të Gjirokastrës, kosovarët Lulzim Adem Jashari dhe Sokol Bashota

Dy kosovarë, Lulëzim Jashari, djali i heroit të luftës për çlirimin e Kosovës, Adem Jashari dhe Sokol Bashota, u shpallën mbrëmë, "qytetarë nderi", në përfundim të edicionit të dytë të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Fest-Argjiro 2009”,"Fest-Argjiro 2009" të qytetit të gurtë. Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, i dorëzoi Lulëzim Jasharit, djalit të të heroit të luftës për çlirimin e Kosovës, Adem Jasharit dhe Sokol Bashotës titullin “Qytetar Nderi”, me motivacionin “Për kontribut të shquar për çështjen kombëtare, çlirimin e Kosovës dhe rindërtimin e saj”. I nderuar nga titulli, Lulëzim Jashari u shpreh “ky nderim nuk më përket vetëm mua, por të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhet, të cilët luftuan për të kontribuar për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb”. Lulzimi dhe Sokoli kanë qenë dy prej pjestarëve të shquar të rezistencës kosovare në luftën për Pavarësi. Djali 32-vjeçar i heroit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)-së, Adem Jashari, mbart në vetvete virtytet e familjes Jashari. Si djali i madh i kësaj familje fillimisht ai ka qenë pjesë e grupeve të armatosura në Drenicë që udhëhiqeshin nga i jati, Adem Jashari dhe ndërlidhësi kryesor fizik mes Bacë Ademit dhe pjestarëve të grupeve të tjera të armatosura, që vepronin në zonën e Drenicës në luftën për Pavarësinë e Kosovës. Prej vitit 1991-1996 Lulëzim Jashari ka qenë pjesmarrës në shumë aksione të lëvizjes çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, pjesa kryesore e të cilave, ideoheshin dhe organizoheshin në Kullën e Jasharëve. Në moshën 18-vjeçare, në dhjetor 1995 u arrestua nga policia serbe, që synonte t'i bëntë presion Adem Jasharit që të vetëdorëzohej, pasi kështu, do t'a lironin djalin e madh.
Falë shkathtësisë dhe guximit gjatë veprimeve hetimore Lulëzim Jashari u arratis pa u dëmtuar dhe me këmbënguljen e familjes, emigroi në Gjermani. Epopeja historike e Prekazit dhe qëndresa historike e Jasharve do t'a lartësonin akoma më shumë figurën e kësaj familje në luftën për Pavarësinë e Kosovës. Gjatë një dyluftimi me forcat serbe, humbi jetën heroi legjendar Adem Jashari dhe 22 vetë, pjestarë të familjes Jashari. Pas kthimit në vendlindje, Lulzimi u angazhua me Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Fillimisht shërbeu si oficer ndërlidhës ndërmjet Gardës së Kosovës me Administratën e UNMIK-ut dhe KFOR, ndërsa më vonë ishte Shef i Sektorit për marrëdhënie me publikun, me gradën e nënkolonelit. Në vitin 2006, përfundon studimet në akademinë ushtarake të Shqipërisë, duke marrë gradën e kolonelit. Aktualisht vazhdon studimet në fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës. Por një prej emrave të shquar të rezistencës kosovare dhe luftën për Pavarësi është edhe 43 vjeçari Sokol Bashota, që veprimtarinë e vet në shërbim të çështjes kombëtare, e ka nisur me pjesëmarrjen në organizatën Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës. Për t’i shpëtuar milicisë serbe, në moshën 17 vjeça kërkon strehim në Shqipëri. Në vitin 1984 arrestohet për herë të parë në Pejë dhe sërisht në vitin 1986 bashkë me një grup atdhetarësh nga Drenica. Në vitet 1992- ’93, si përgjegjës ushtarak për këshillin e rrethit Klinë, organizon ushtrime ushtarake të të rinjve të zonës. Në 1993 arrestohet për herë të tretë, ndërsa në 1994 merr përgatitje ushtarake në Shqipëri nga ushtarakë të specializuar. Në këtë periudhë vazhdon studimet e larta në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Në mes të viteve ’90-të organizon grupin ushtarak në rang Kosove, si një ndër themeluesit e UÇK-së. Gjatë luftës së Kosovës mbajti detyrën e zv/komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
...