E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi i tapive nga Qeveria, nis gjyqi në Kushtetuese

 

BLEDAR HOTI

Përplasja ndërmjet Avokatit të Popullit dhe Qeverisë mbi ligjin për “Verifikimin e titujve të pronësisë” është bërë objekt i shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese. Trupa supreme gjykuese në Shqipëri ka dëgjuar dje palët në lidhje me përplasjet për ligjin për verifikimin e titujve të pronësisë. Zyra e Avokatit të Popullit në ankesën e saj shprehet se ligji i miratuar nga ana e maxhorancës së djathtë në korrik të 2008 bie ndesh me Kushtetutën, duke shkelur 6 nene të saj. Sipas mendimit të Avokatit të Popullit ligji lë shteg të gjerë për abuzime, subjektivizëm dhe selektivitet gjatë zbatimit të tij. “Neni 10 i ligjit cenon elementët dhe tiparet themelore të parimit të sigurisë juridike, krijon ambient pasigurie për një masë shumë të madhe pronarësh, humbet besueshmëria e shtetasve tek shteti, nuk jep garanci për vijueshmëri dhe për ndryshime legjislacioni në përputhje me Kushtetutën. Rregullime ligjore mund të kryhen vetëm në përputhje me një procedurë të përcaktuar më parë dhe pa cenuar parimet dhe normat kushtetuese. Parimi i sigurisë juridike duhet respektuar nga të gjitha institucionet dhe së pari nga vetë Kuvendi”, thuhet në kërkesën e Avokatit të Popullit. Sipas komisionerëve të këtij institucioni ligji në fjalë bën pikërisht të kundërtën e kësaj kërkese të parimit të sigurisë juridike dhe përkeqëson në mënyrë të paarsyeshme gjendjen ligjore të shtetasve, pasi u heq atyre të drejtën e pronës. “Nenet 2, 3 dhe 4, në korrelacion me nenin 9 dhe 10 të ligjit krijojnë bazën ligjore të heqjes së titullit të pronësisë, të dhënë që para shumë vitesh. Ligji nuk merr parasysh afatet e parashkrimit të padisë, neni 103 i Kodit Civil dhe ato për fitimin me parashkrim fitues të pronës, me mirëbesim dhe në bazë të një veprimi juridik që nuk është i ndaluar nga ligji, neni 168 po i Kodit Civil. Parimi i sigurisë juridike cenohet, përveç sa më lart, edhe për faktin se ligjit i është dhënë fuqi prapavepruese, duke përkeqësuar gjendjen juridike të pronarëve të tokës bujqësore”, thuhet në kërkesën e Dobjanit. Gjithashtu, sipas Avokatit të Popullit, ligji bie në kundërshtim me nenin 41 të Kushtetutës, si dhe nuk merr në konsideratë rastet kur pronarët janë në konflikt dhe i janë drejtuar Gjykatës. Për këtë institucion, ligji bie ndesh edhe me nenin 5, 15/1, 17 dhe 42/2, të Kushtetutës. Nisur nga kjo Avokati i Popullit kërkoi shfuqizimin e ligjit 1269, si dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave për përbërjen e Komisionit Qeveritar të Tokës si antikushtetues. Një pikë e dytë e saj është pezullimi i ligjit “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore” dhe të Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, thuhet në kërkesën e Dobjanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›