E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një enciklopedi e Shqipërisë letrare

Atij iu deshën vite të tëra studimesh e hulumtimesh për të nxjerrë në dritë librin e jetës së tij. Kur nisi t‘i kushtohej kësaj vepre studimore, qëllimi i vetëm ishte të përmblidhte në një volum "të gjitha ato njoftime rreth popullit, gjuhës, letërsisë dhe studimeve shqiptare, që deri më tash kërkoheshin më kot në çfarëdo manuali". Albanologu Gaetano Petrota nuk kurseu asgjë, as kohë e as mund, duke hulumtuar me kujdesin më të madh të mundshëm hartimin e kësaj vepre studimore. Në vitin 1932 vepra ishte gati. "Populli gjuha dhe letërsia shqiptare" u njoh me lexuesin 76 vjet më parë... Po kaq vite më pas ai botohet sërish në gjuhën shqipe si një përmbledhje e vyer, një pasqyrë faktesh, emrash, ngjarjesh; si një sistemim i tyre për t‘i kthyer në një vlerë analitike të letërsisë gojore e letërsisë së kultivuar shqiptare... Çfarë ka ndodhur me kulturën tonë dhe me veprat e kësaj kulture? Sa të vëmendshëm kanë qenë studiuesit e huaj ndaj vlerave intelektuale tona për disa shekuj radhazi...? "Populli, gjuha dhe letërsia shqipe", një nga veprat më të rëndësishme të studiuesit e albanologut italian, Gaetano Petrota, vetëm pak ditë më parë është botuar në gjuhën shqipe. "Libri juaj është hartuar, sa gjykoj unë, me shumë kujdes dhe ndërgjegje. Lënda është tepër e bollshme, ndonjëherë ndoshta e tepërt. Ndoshta disa gjëra me vlerë të paktë mund të ishin lënë mënjanë... Por ju keni synuar të jetë i plotë, dhe libri juaj, në këtë këndvështrim, do të përbëjë një lloj enciklopedie të Shqipërisë letrare: vepër për të cilën vërtet ndjehej nevoja", do të shkruante prof. Pavolini. E për Petrotën ky ishte një vlerësim i madh, ashtu siç do të ishte edhe çmimi i inkurajimit që iu dha nga Akademia Mbretërore e Italisë, të cilën albanologu do ta çmonte si një vlerësim moral për mundimet e gjata dhe të rënda që ka hequr për të çuar në fund këtë vepër, e cila, për herë të parë, bashkë me historikun e studimeve etnografike, gjuhësore dhe folklorike, u paraqet studiuesve një tablo pothuaj të plotë të letërsisë shqipe deri në vitin 1930. Ajo që Gaetano Petrota donte më shumë pasi doli në dritë ky botim, titulli origjinal i të cilit është "Popolo, lingua e letterattura albanese", ishte që të përdorej si një orientim i dobishëm për sa u përket studimeve dhe studiuesve të albanologjisë, si dhe të ndikonte për të davaritur paragjykimet që qarkullojnë rreth popullit dhe gjuhës shqipe.

Albanologu Gaetano Petrota lindi më 1882 dhe ndërroi jetë në vitin 1952. Ai u formua në seminarin greko-shqiptar të Palermos, ku hodhi edhe hapat e parë në fushën e albanologjisë. Shumë i ri ai u bë i njohur si ekspert dhe njohës i gjuhës dhe kulturës shqiptare, duke treguar një interes të veçantë sidomos për studimet historike të letërsisë shqiptare. Petrota është një nga mbrojtësit më të zjarrtë të albanologjisë dhe të çështjes shqiptare në Sicili. Ai luajti një rol shumë të rëndësishëm si organizator i aktiviteteve kulturore. Petrota ishte redaktor i revistës së përjavshme "Fjala", e më pas themeloi edhe revistën italo-shqiptare, të cilën e drejtoi së bashku me të vëllamë, Rosolino. Revista u përhap mjaft në qarqet kulturore arbëreshe. Në vitet mes shekullit XIX dhe XX, papas Gaetano Petrotta (i njohur në rrethet e ngushta me Papa Tani), nisi një studim mjaft të rëndësishëm në lidhje me monumentet më antike të gjuhës shqiptare. Mbeten akoma edhe sot mjaft të vlerësuara studimet e tij në lidhje me katekizmin shqiptar, në të cilin ai nënvizon kriteret filologjike, tepër të rëndësishme, që akoma edhe sot përbëjnë pjesën më të madhe të disiplinës së aplikuar të albanologjisë. Po kaq e rëndësishme vazhdon të jetë edhe analiza e tij kushtuar "Mesharit" të Gjon Buzukut (1555). Mes viteve 1933 dhe 1934, papas Tani mori përsipër detyrën për të mbajtur kurse të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin e Letërsisë në Universitetin e Palermos, një detyrë që e vazhdoi deri vonë. Vepra e tij më e rëndësishme mbetet "Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare", që prej pak ditësh gjendet në librari. Për "Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare", albanologu Petrota është mbështetur në rreth 1000 autorë, libra, referenca, shkrime e studime me një gjeografi të gjerë kontinentale. Ardhjen e këtij libri, ndër më të rëndësishmit e sjellë në shqip nga shtegu i Albanologjisë, e bëri të mundur Miranda Gjyzeli, shkrimtari Mark Simoni dhe përkthyesi Qemal Velija. Kjo vepër e Gaetano Petrotës është një përmbledhje e ngjarjeve, emrave, veprave, kontributeve, evenimenteve intelektuale që Shqipëria prodhoi për gjithë shekujt e deri në 1932, kur u shkrua libri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›