E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimet pa leje mbysin Beratin, qytetin e UNESCO-s

Qyteti i Beratit numëron në të gjithë territorin e tij mbi 1530 ndërtime pa leje. Petrika Stasa, drejtor i monumenteve të kulturës në Berat, konfirmon se zonat më problematike janë lagjet muzeore, Goricë e Mangalem, por pjesërisht edhe lagjja Kala. Qyteti i "një mbi një dritareve" duket se po pushtohet prej ndërtimeve pa leje, pavarësisht se vetëm pak kohë më parë zyrtarisht ai u mor në mbrojtje nga UNESCO. Sipas Petrika Stasës, në këto zona ka shumë ndërhyrje, madje dëmtime dhe ndryshime të objekteve, si dhe banesave karakteristike. "Policia ndërtimore duhet të ndërhyjë menjëherë, pasi nuk po reagon si duhet", ka thënë ai. Stasa, i cili është ankuar edhe në Bashkinë e Beratit, ka thënë se janë të shumta bizneset të cilat kanë ndërhyrë në objektet e kultit e në objekte të tilla si Porta e Pashait. Ndërkohë që ndërhyrje të ndërtimeve pa leje vihen re edhe në lagjen Mangalem, apo te Haremllëku, ky i fundit objekt i përuruar si investim "kthim në identitet". Ankesat e vazhdueshme për ndërhyrjen në zonat muzeore vazhdojnë të qëndrojnë në sirtarët e policisë ndërtimore. Stasa nuk nguron të pohojë se në Berat mbizotëron "politika e të fortit". "Në qytetin e Beratit jo vetëm nuk është lëvizur një kioskë, por nga dita në ditë shtohen objekte pa leje, mure, madje dhe shtëpi në zona të ndryshme, lagje të ndryshme, si dhe në qendër të qytetit muze dhe në zonat e lagjeve muzeore, para xhamisë apo kishave, të cilat janë pjesë e trashëgimisë kulturore kombëtare e tashmë edhe botërore", vazhdon më tej ai. Ndërkaq, kreu i policisë ndërtimore pranë Bashkisë Berat, Donald Molishti, pohon se është duke përgatitur një projekt për këtë problem. Megjithatë, pritja do të vazhdojë ende, pasi projekti, sipas Molishtit, ka nevojë për studim të mëtejshëm, ndërsa nevojitet kohë e gjatë për ndërhyrje konkrete.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›