Sekuestrohen 9 kg drogë, arratiset trafikanti
Një trafikant droge i ka shpëtuar policisë, kur ka ndërhyrë për ta arrestuar dhe duke braktisur lëndën narkotike, ai ka mundur të arratiset. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Linzës në Tiranë, ku policia ka sekuestruar 9 kilogramë kanabis dhe ka shpallur në kërkim trafikantin e identifikuar. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se dy ditë më parë, specialistët e Seksionit Kundër Narkotikëve në Policinë e Tiranës, filluan procedimin penal në ngarkim të shtetasit Lulëzim Bashkim Tabaku, 26 vjeç, banues në Lushnjë. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, pas posedimit të informacioneve, specialistët e këtij seksioni bënë të mundur, që në Linzë të realizojnë sekuestrimin e një sasie prej 9 kilogramësh lëndë narkotike e dyshuar kanabis, e cila u sekuestrua në automjetin tip “Mercedes Benz”, me targa LU 9473 B, në pronësi të personit të shpallur në kërkim. I kërkuari nga policia ishte nisur për të shitur lëndën narkotike, por rrugës ka vënë re një makinë që e ndiqte. Më pas, ka tentuar t’i largohet makinës, por ajo i është vënë pas dhe 26-vjeçari ka pikasur punonjësit e policisë. Në mes të rrugës, ai ka braktisur mjetin e tij dhe është larguar. Policia ka vijuar me kërkimet deri në orët e vona të natës, por nuk ka mundur të realizojë arrestimin. Megjithatë, policia tha se tashmë, kapja e tij është çështje kohe, pasi implikimi në trafikun e drogës është vërtetuar. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua bima narkotike, automjeti tip “Mercedes Benz”, me targa LU 9473 B, një kartë identiteti dhe një patentë. Policia tha se ai dyshohet se blinte lëndën narkotike në Sarandë dhe e sillte për tregun kryeqytetas. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij, do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës, për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, ndërkohë që po punohet për kapjen e tij.
#