Bashkia e Vorës, e painformuar për fabrikën e demontimit
Seanca e 69 e procesit më të rëndësishëm gjyqësor, që ka nisur me 10 minuta vonesë për shkak të vonesës së avokatëve, ka vijuar me dëshminë e kryetarit të Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili.
Kreu i bashkisë, i cili ka në administrim territorial Gërdecin, deklaroi se deri në ditën e tragjedisë më 15 mars 2008, ai nuk ka qenë në dijeni të aktivitetit që zhvillohej në ish-repartin ushtarak. Po sipas Ismailit, pak ditë para shpërthimit, Bashkia e Vorës, i kishte nisur një kërkesë Dikasterit të Mbrojtjes për ta kthyer repartin e Gërdecit në terren sportiv për shkollën e zonës.
“Shihnim makinat në Gërdec, por nuk kisha asnjë kompetencë për të marrë informacione se çfarë bëhej aty”, tha kreu i bashkisë.
Në lidhje me ditën e ngjarjes, Ismaili tregoi se shpërthimin e ka mësuar nëpërmjet një telefonate, që i ishte bërë në atë moment. “Sapo mora vesh lajmin në telefon, ngritëm grupin e emergjencës për situatën. Kemi ndarë 25 milionë euro për 4 mijë familje e biznese. Fondi u dha me Vendim të Këshillit të Ministrave”, vijoi dëshminë kryebashkiaku i Vorës. Pas dëshmisë së Ismailit, gjykata vendosi të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor, për shkak të mosparaqitjes së dëshmitarëve të akuzës dhe e shtyu seancën për të përsëritur njoftimet për dëshmitarët Flamur Hadushi, Kol Dedgjoni, Plarent Ruka, Durim Lila, Andi Belliu, Petrit Llapi, Rahman Selmanllari, Ilir Kodra, Ergys Qirici, Pranvera Kastrati, Kujtim Hoxhallari, Rigon Durda, Selvie Hamolli, Eduart Breti, Glodian Gërdeci, Naim Faruku, Festime Ase, Selim Aliu, Dilaver Alhasa. Seanca e radhës u la të zhvillohet ditën e hënë.
Një seancë më parë, dëshmoi edhe ish-drejtori i Shërbimit Informativ Ushtarak, Hysni Gjergji. Ai deklaroi në përgjegjësi të plotë, në cilësinë e dëshmitarit, se për sa kohë kishte pasur këtë post, nuk ka mbërritur asnjë informacion se Gërdeci rrezikohej nga ndonjë sabotazh i mundshëm. “Në një takim për NATO-n, Brukseli na informoi se si një vend, në atë kohë kandidat për në NATO, mund të kthehej në objekt sabotazhi”, deklaroi dëshmitari.
çështja “Gërdeci” me 28 të pandehur, tre prej të cilëve në paraburgim, dhe mbi 300 dëshmitarë, që po japin dëshmitë e tyre para Gjykatës, konsiderohet më e madhja në historinë e gjyqësorit.
Prokuroria e ka vlerësuar “Gërdecin” si një gabim njerëzor, ndërsa pala e pandehur pretendon për një sabotazh të mundshëm.
Si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm të ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës, humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur. Ndërkohë pati dëme të mëdha në banesa e biznese.
#