Presidenca: Logon e klubit e disponojmë vetëm ne!
Administratori Ismet Saliu reagon në emër të klubit, duke sqaruar gjithçka me anë të një deklarate për shtyp të FK Dinamo
Vendimi i Ministrisë së Brendshme, i cili është trajtuar në mediat e përditshme sportive, të shkruara dhe vizive, ku flitet për marrjen e logos së FK Dinamos nga ana e këtij institucioni shtetëror, sigurisht do të kishte një reagim nga ana e presidencës dinamovite, e përbërë nga Besnik Sulaj dhe Avni Braçe.
Pikërisht administratori i bluve, Ismet Saliu, ka dorëzuar një deklaratë të klubit blu, ku shpegohet sipas tyre juridikisht pronësia e logos së Dinamos nga ana e presidentit Sulaj. Sipas dinamovitëve, mund të bëhet fjalë për sporte të tjerë dhe jo për futbollin, pasi Ministria e Brendshme nuk mund ta marrë logon e Dinamos. Deklarata e mëposhtme analizon me kujdes gjithçka juridikisht, gjithnjë në këndvështrimin e presidencës dinamovite.
Ndërkohë, mbetet ende për tu parë se si do të rrjedhin ngjarjet gjatë ditëve në vazhdim. Situata në kampin blu duket vërtet e vështirë, pasi më parë MTKRS-ja, me anë të Agjensisë së Sporteve Kombëtare pranë saj, rrëmbeu ambientet sportive të kompleksit Dinamo dhe skuadra e futbollit mbeti në rrugë. Tashmë mund të ndodhë një tjetër rrëmbim dhe kësaj here flitet për logon e FK Dinamos, atë që presidenca blu pretendon se e disponon me dokumenta të plotë ligjorë. Ja dhe deklarata e plotë e administratorit Saliaj në emër të klubit blu:
1. Ditën e fundit nëpërmjet mediave është njoftuar rregjistrimi i Klubit Sportiv Dinamo nga ana e Ministrisë së Brendshme, dhe është lënë të kuptohet se Dinamo e sezoneve të fundit ka pushuar së ekzistuari. Cili është realiteti…
Në lidhje me njoftimin e Ministrisë së Brendshme, nëse është njoftim zyrtar, pasi nuk kemi zyrtarisht një njoftim të tillë, jemi informuar nga mediat dhe kemi po aq informacion sa ka dhe opinioni sportiv në Shqipëri.
Nuk jemi në dijeni të detajeve dhe besoj se njoftimi nuk ka të bëjë me ekipin e futbollit por ndoshta me sporte të tjera. Mund të konfirmoj se situata juridike është e qartë: në aktivitetet sportive të organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon të jetë e rregjistruar shoqata sportive Dinamo, dhe prej shumë vjetësh ajo merr pjesë rregullisht në aktivitetet sportive kombëtare dhe ndërkombëtare.
Shoqata është krijuar dhe themeluar në përputhje me ligjin përkatës, dhe pjesë e themelimit dhe rregjistrimit në Gjykatë ka qenë edhe ministria e brendshme e përfaqësuar nga drejtuesit më të lartë të saj.
2. Po thoni që Ministria e Brendshme është pjesë e kësaj Dinamoje?
Po, patjetër. Ministria si istitucion përgjegjës për ekipin e futbollit Dinamo ka qenë pjesë aktive e iniciativës së themelimit të shoqatës duke lëshuar edhe urdhërat përkatës. Është miratuar statuti dhe akti i themelimit të cilat janë krijuar sipas urdhërave me shkrim të titullarëve të kësaj ministrie dhe të shumë personave të tjerë.
Kjo shoqatë është rregjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe aktet janë në gjykatë në rregjistrin e organizatave jofitimprurëse. Në vitet e para të themelimit Ministria ka ndihmuar financiarisht dhe materialisht duke lënë pa pagesë për shoqatën kompleksin sportiv.
Shoqata sportive në cilësine e personit juridik ka nënshkruar kontrata me Ministrinë për përdorimin e ambienteve dhe ka dhumë akte të tjera ku palët shprehin qartë që ministria është pjesë e rëndësishme e këtij projekti. Me kalimin e kohës, ministria në pamundësi objektive nuk ka ndihmuar materialisht shoqatën por, ka ligjërisht është pjesë e saj dhe në fakt ka qëndruar afër duke inkurajuar shoqatën dhe ka marrë pjesë në aktivitetet tona dhe për këtë i falenderojmë.
Pra, Ministria e Brendshme pa u tërhequr nga shoqata aktuale nuk mund të rregjistrojë një shoqatë tjetër dhe ky veprim nuk ka bazë ligjore. Prandaj këmbëngul se duhet të jetë keqkuptim mediatik ose bëhet fjalë për sporte të tjera dhe jo për futbollin pasi për futbollin ministria ka shprehur vullnetin e saj juridik dhe nuk e ka anulluar asnjëherë atë.
3. Atëherë kur ligjërisht shoqata Dinamo ekziston, do të vazhdojë të jetë pjesë e kampionatit të futbollit në sezonin që vijon.
Sigurisht. Shoqata është aktive dhe do të vazhdoj aktivitetin e saj. Aktualisht ekipi është pushim dhe lojtarët do të njoftohen në momentin e duhur të fillojnë stërvitjen dhe të pregatiten për sezonin e ardhshëm. Një ekipi më trofe të shumtë se Dinamo duhet të ngrihet menjeherë në eliën e futbollit shqiptar dhe kjo do të ndodhë që në sezonin e ardhshëm. Këtë vit konkurenca do të jetë e fortë se ka shumë ekipe që meritojnë ngritjen në kategorinë superiore dhe ne do përgatitemi në kohë për sezonin e ardhshëm.
