E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korderi: PSE kërkon zgjedhje të lira dhe gjithëpërfshirëse

 

Krerët e dy partive kryesore të majta, Edi Rama dhe Ilir Meta kanë pasur një axhendë të ngjeshur takimesh dje në Madrid gjatë mbledhjes së Këshillit të Partisë Socialiste Evropiane “Partia e Socialistëve Evropianë mbështet një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm, transparent dhe gjithpërfshirës në Shqipëri dhe do të monitorojë nga afër zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2009”. Kështu është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i Socialistëve Evropianë, Filip Korderi, dje gjatë takimit që ka pasur me kryetarin e LSI-së Ilir Meta në Madrid. Gjatë këtij takimi, Korderi, ka shprehur shqetësimet e tij në lidhje me pasojat e administrimit të zgjedhjeve sipas Kodit të ri Zgjedhor, në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Gjithashtu kreu i LSI-së ka pasur takime të veçanta edhe me Piero Fasinon, Ministër i Jashtëm, hije i opozitës në Itali, Martin Schultz, Kryetar i Grupit Parlamentar Socialist në Parlamentin Evropian, me Alfred Gusenbauer, ish–kancelar dhe Lider i Partisë Social -Demokrate Austriake, Elio Rupo, Udhëheqës i Socialistëve Belgë, me të cilët ka biseduar për situatën politike në vend, për gjendjen e të majtës, si dhe për problemet që sjell në administrimin e zgjedhjeve Kodi i ri Zgjedhor. Në Madrid, në punimet e Këshillit të Socialistëve Evropianë ndodhen dhe kryesocialisti Edi Rama, dhe kryetari socialdemokrat Skënder Gjinushi. Kreu socialist është takuar me Presidentin e Internacionales dhe Kryetarin e PASOK, Papandreun, i cili e uroi për zgjedhjen si Kryetar i Komisionit të Internacionales Socialiste për Evropën Juglindore. Rama e ftoi Papandreun në takimin e parë të Komisionit, që do të zhvillohet në fillim të 2009. Midis dy kryetarëve është folur për programin e ri qeverisës të PSSH. Rama takoi dje gjithashtu Luis Ajalën, Sekretar i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, ku u fol për organizimin e takimeve në Tiranë dhe për reformën e re të Internacionales Socialiste. Gjithashtu kreu socialist është takuar edhe me Martin Shultz, Kryetar i grupit Parlamentar i PSE, të cilin e informoi për reformën elektorale, ndërsa Shultz shprehu interes për të ardhur në Tiranë. Rama e ftoi atë në takimin e Komisionit të Internacionales Socialiste. Edi Rama takoi gjithashtu edhe Kancelarin austriak, Alfred Gusenbauer, Valter Veltronin, Kryetarin e të majtës italiane dhe Paul Rasmusen, Presidentin e PSE.                                      a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›