E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP: Epidemia e Sida-s po kthehet në fenomen shqiptar

 

Zirina Llambro

Përhapja e Sida-s në vendin tonë po rritet frikshëm. Nuk është më një sëmundje që vjen nga jashtë. Epidemia po merr tipare shqiptare. Këtë dëshmojnë shifrat e bëra publike nga Instituti i Shëndetit Publik, dje në Ditën Botërore të Luftës kundër virusit HIV. Vetëm brenda këtij viti janë shtuar 35 persona të infektuar, 12 prej të cilëve fëmijë të infektuar nga nënat. Numri i të prekurve në të gjithë vendin arrin në 291 persona. “Deri tani kanë mbizotëruar meshkujt e infektuar jashtë vendit, por muajt e fundit po përballemi me një tjetër fenomen. Është rritur ndjeshëm numri i femrave të infektuara dhe ky është një problem tepër shqetësues. Nëse në vitet e mëparshme, pjesa më e madhe e të prekurve ka rezultuar se e kanë marrë virusin jashtë vendit, këtë vit ndodh e kundërta. Kemi më shumë femra se meshkuj dhe kjo tregon se sëmundja po përhapet brenda vendit”, u shpreh dje drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli. Sipas tij, ndonëse mbetemi ende një vend me prevalencë të ulët, rastet me HIV, që zbulohen janë rritur ndjeshëm nga vitit në vit. Ndërkaq, jo zyrtarisht specialistët pohojnë se ka disa herë më shumë të infektuar nga sa deklarohet. Për të bërë apel në marrjen e masave parandaluese për sëmundje, dje Ministria e Shëndetësisë dhe shoqata të ndryshme jo qeveritare kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh. Por me gjithë deklaratat për mbështetje, kjo kategori të sëmurësh vijon të ndjehet e përjashtuar nga shteti. “Përballemi çdo ditë me diskriminimin, mangësi në trajtim. Por ajo çka është më e rëndësishmja, fëmijët tanë bashkë me ne, nuk merren në mbrojtje nga shteti”, u shpreh kryetarja e shoqatës të të sëmurëve me SIDA. Ajo shtoi se disa të prekur vazhdojnë të qëndrojnë në spital, pasi nuk kanë strehë. Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, dha garanci se të gjithë të infektuarit do të vijojnë të trajtohen me medikamente falas. Ndërsa Ministria e Arsimit ka hartuar një rregullore të re të shërbimit shëndetësor, në sistemin parashkollor dhe shkollor. Ajo ofron zgjidhje të përshtatshme për ndjekjen dhe trajtimin e nxënësve të prekur nga kjo sëmundje. Që pas vitit ’93, kur u zbulua rasti i parë me këtë sëmundje, në vendin tonë numërohen 89 femra të infektuara dhe 202 meshkuj. Rreth 99 persona të prekur, tashmë janë në stadin më të rëndë të AIDS-it, ndërkohë që 56 kanë vdekur.

Statistikat

Për vitin 2008:

35 raste të reja

12 fëmijë të infektuar nga nënat

Gjithsej që pas vitit 1993

291 të infektuar

202 meshkuj, 89 femra

99 persona në stad të rëndë

56 kanë vdekur

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›