Abonetë e studentit përfundojnë në tregun e zi
Abonetë e studentëve të muajit dhjetor përfundojnë në tregun e zi. Shumë studentë janë drejtuar në pikat e shitjes për të marrë kartën e pajtimit mujor, por nuk e kanë gjetur. Pas ngritjes së këtij problemi shkuam në të gjitha këto pika dhe konstatuam se në asnjë prej tyre nuk kishte të tilla abone. Ndërsa pranë stacioneve të autobusëve, studentët pranojnë se i kanë blerë 100-200 lekë më shtrenjtë se çmimi real. Shitësit ambulantë bëjnë me dije, se Bashkia e Tiranës ka nxjerrë rreth 300 copë në çdo pikë, po asnjë prej aboneve nuk ka arritur deri tek ata. “Nuk është hera e parë që ndodh ky problem. Për muaj të caktuar na vijnë më shumë abone sesa shiten pastaj mungojnë për një kohë të gjatë”, tha një prej punonjësve në pikën e shitjes së aboneve në qendër të Tiranës. Ajo shtoi se kjo situatë përsëritet që prej një viti. Abonetë e studentit kushtojnë 600 lekë, sa gjysma e çmimit të aboneve të përgjithshme, çka bën që kërkesat të jenë të larta, edhe nga ata që nuk janë të tillë. Shpërndarësit e tyre nuk i çojnë në pikat e shitjes, por i shesin ato nën dorë. Por edhe kur këto karta pajtimi ekzistojnë nëpër pika, është gati e pamundur t’i blesh, pasi shitësit ua japin vetëm personave që njohin apo të afërm. Kjo dhe pse këta mund të mos jenë në shkollë të lartë. Gjithçka bie mbi kurrizin e studentëve, që me të vërtetë u nevojiten. Ata janë të detyruar që në mungesë të asaj çka u takon, ta blejnë abonenë rreth 1200 lekë. “Unë jam në shkollë dhe udhëtoj me linjat urbane, kështu që më duhet me patjetër një abone. Edhe nëse ajo është më e shtrenjtë se çmimi real përsëri do të marr, se përndryshe do të ble abone të përgjithshme, e cila kushton më shumë”, u shpreh një studente. Gjithashtu, ajo pohoi se për këtë muaj kishte marrë abone të përgjithshme, sepse abone studenti nuk kishte gjetur. Shumica e tyre i marrin abonetë e përgjithshme por disa të tjerë, në pamundësi për t’i blerë ato detyrohen ta bëjnë rrugën në këmbë. m.sh