Ministrja Bregu në kongresin e partisë së Merkel
CDU-ja gjermane, partia e kancelares Angela Merkel zhvilloi dje punimet e kongresit të 22-të, i cili shënoi edhe hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Në këtë kongres ishte e pranishme edhe ministrja e Integrimit, njëherësh edhe zëdhënëse e qeverisë, Majlinda Bregu. “Në kongres ishin të pranishëm përfaqësues të partive dhe grupimeve politike të djathta. Në fjalën e saj përshëndetëse, Merkel falënderoi veçanërisht pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë kongres, përfaqësuar nga ministrja e Integrimit Majlinda Bregu”, thuhet në njoftimin për shtyp. Ky kongres i hap udhë fushatës elektorale të zgjedhjeve në Gjermani, që do të mbahen në vitin 2009, një vit ky super zgjedhor, siç e quajti Angela Merkel, kryetarja e CDU-së, kancelarja gjermane dhe kandidate e nominuar për kancelare. Sfida kryesore me të cilën ndeshet Gjermania, por dhe bota është kriza financiare. Përgjigjja ndaj saj është ndërhyrja në tre rrafshe: lokal, evropian dhe global, duke u orientuar nga politikat e së ardhmes. Në fjalën e saj kancelarja u shpreh entuziaste për zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s, si shenjë e përmirësimit të arkitekturës së sigurisë globale. “Mbrojtja e ambientit, edukimi, ndërhyrjet e udhëhequra nga arsyeja në ekonomi do të jenë sfidat e shekullit të ri. Ne duhet të forcojmë bashkëpunimin midis vendeve në nivel global, ku vlerat dhe interesat të jenë të lidhura me njëra-tjetrën. Në bazë të këtij pakti të përbashkët ne mund të përballojmë sfidat”, theksoi Merkel.