Një fontamas bashkie që fshihet mbas temës
Përveç pafytyrësisë, bashkia e Tiranës nuk kishte kaluar asnjë rekord tjetër. Por ka tipa si Edi Rama që shtyjnë të tjerët në emër të personit të vet, të tejkalojnë vetveten me deklarata për shtyp. Edh pse nuk u befasuam aq shumë nga administratori i deleguar i bashkisë Tan Agolli, që gënjeu në mënyrë aq të paturpshme për shitjen e tokës në mes të Tiranës. Ka pretendime se edhe protesta e Edi Ramës, të 20 nëntorit të jetë ushqyer me lekët që dalin si fitim nga Tajvani. Është gazeta 55 që qysh në vitin 2005, ka bërë një shkrim për shitjen ilegale të hapësirës publike në mes të Tiranës, me dëshirën dhe votën eklatante të këshilltarit të PD-së, Mero B, atëherë anëtar i këshillit bashkiak Tiranë, i cili bëri pazar të nëndheshëm me pronarin e lokalit Tajvan, pra kësaj eko-monstre betoni që i ka zënë frymë qytetit, pas ish-parkut Rinia. Lobingu me qark të shkurtër që pronari i gazetës TemA ka bërë në favor të ketij ndërtimit të paligjshëm i ka kaluar të gjitha arsyetimet e një interesi publik, por hetimi ka qartësuar se interesat janë fokusuar kryesisht në interesa favoresh të ndryshme ekonomike.
Ndërkaq, autopsia është e thjeshtë. Tirana është bërë një natyrë e vdekur në duart e një piktori të dështuar qysh në fillimet e tij. Belfagori i bashkisë së Tiranë, shkurt fontamasi i Bashkisë, i cili përmes disa dokumenteve rreket të tregojë se vendimi për legalizimin e kësaj ndërtese është marrë nga Këshilli bashkiak me 71% te votave. Po, është e vërtetë se është votuar me vota të djathta, por kanë qenë vota që janë serviruar nga lobimi i njëfarë Mero. B, këtij miku shpie të Nik Tajvanezit, i cili më pas e tejkaloi miqësinë në “dhënien” e votës për Tajvanin, derisa arriti të shiste nëpërmjet një kompanie të dyshimtë amerikane edhe gazetën, për shumën e 500 mijë eurove, të cilën më pas e bleu pothuajse gratis, për shumën e vogël të 1 mijë eurove.
Mirëpo pazaret mes “Tiranës së kryebashkiakut” dhe “hapësirave të gjelbra” faktohen me dokumente që vërtetojnë në dritë të diellit “faljen” e truallit, mikut të tij, Nik Tajvanezi. Nëpërmjet një nëpunëseje të bashkisë, e cila firmos për Edi Ramën shitjen e truallit në mes të Tiranës, mundësohet abuzimi më skandaloz e më mizor i pushtetit me pronën legjitime të qytetarëve. Kuptohet vetiu se skandali ka përmasa aq babiloneze, kur shikon se kontrata e shitjes për metër katror është shumë poshtë “dyshemesë” moderne 100 euro, kur vlera reale tani shkon 2-3 mijë euro. Përse Edvin Rama ta ketë shitur kaq lirë vallë këtë pronë publike? Kuptohet vetiu se diferenca midis 100 eurosh për metër katror në mes të Tiranë është abissale me standardin 2 mijë euro. Veçse të mendosh që një metër katror apartament shkon nga 700 deri në 2000 euro në mes të Tiranës, dhe jo më një tokë që do të bëhet një nga bizneset më fitimprurës për pronarin e “Tajvan”-it, i cili tani nuk duhet të përballet me importimin e hekurit nga Ukraina e Çernobilit, por me transparencën e një pasurie që s’provon dot se e meriton. Kjo është një çështje tjetër që do t’i shkohet në fund, me fakte eklatante, por gjërat do të bëhen me radhë. Në këtë moment është radha e lejes së paligjshme të “Tajvanit”, pastaj... të tjerat.