Aldo Baret e PS-së që duhet të ekstradohen nga politika
Turqia ka dorëzuar në Tiranë të shumëkërkuarin Alfred Shkurti, ish-truprojën e Nexhmije Hoxhës, por në PS ka shpërthyer paniku për shkak të lidhjeve të shumta të drejtuesve të saj me botën e krimit. Raportet e specializuara kanë përmendur emrat e Erjon Braçes dhe të Artan Gjermenit, dega e PS-së së Lushnjes e ka shpallur Aldo Baren si militantin e vet, ndërkohë që Arta Dade është e ka shpallur publikisht si shefin e fushatave të saj elektorale. 10 vjet pas kasaphanave të Lushnjes, qytetarët shtrojnë pyetjen se kur do të ekstradohen nga politika, Aldo Baret e PS-së, të cilët sot marrin poza drejtuesi, por s’ngurrojnë të mbrojnë politikisht pronat e krimit të organizuar
Është ekstraduar dje nga Turqia, Alfred Shkurti, i njohur ndryshe me emrin Aldo Bare, drejtuesi i organizatës kriminale, të njohur si “Banda e Lushnjës”, por i spikatur më herët për lidhjet me Sigurimin e Shtetit dhe në vitet e fundit para viteve ’90-të edhe si nj♪7ra nga truprojat e Zonjës së Zezë, Nexhmije Hoxha. Aldo Bare njihet edhe për mbështetjen politike që ka gëzuar nga drejtues të lartë të PS-së, apo anëtarë të KLD-së, të cilët i siguronin atij jo vetëm, paprekshmërinë, por edhe mundësi për pajisje me dokumente të ndryshme.
Pas ndryshimit të konfiguracionit politik, morën fund edhe orët e lirisë për Aldo Baren.
Aldo Bare si rezultat i bashkëpunimit u arrestua nga Policia Turke në Ankara me datë 25 mars 2006 dhe në përfundim të procedurave u ekzekutua vendimi i ekstradimit për në Shqipëri. Për më se një dekadë (10 vjet) Aldo Bare ka qenë në kërkim, por masat aktive u aktivizuan në vitin 2006, kohë në të cilën Polica e Shtetit arriti të godiste me sukses anëtaret e bandës së tij kriminale, që jetonin e vepronin në Shqipëri. “Arrestimi dhe ekstradimi i Aldo Bares përbën një sukses të padiskutueshëm të Policisë Shqiptare, i cili u arrit si rezultat i një pune inteligjente, edhe duke bashkëpunuar edhe me partnerët ndërkombëtar, nëpërmjet së cilës u finalizua identifikimi i plotë i këtij personi, i cili maskohej me emra të ndryshëm, nëpërmjet pasaportave të falsifikuara, me emrat falso Mikel Kodra, Artur Sallabanda etj. Ekstradimi dhe përballja e tij me drejtësinë shqiptare do ndikojë pozitivisht për thellimin e hetimit të kësaj organizate kriminale”, ka komentuar këtë ekstradim dje, Policia e Shtetit.
Arta Dade, “engjëlli” mbrojtës
“Vonesa” e prangosjes së Aldo Bares, për disa vite, u favorizua nga deputetët socialistë Sikurse është Arta Dade, e njohur për lidhjet e saj me kreun e “Bandës së Lushnjës”
Jo vetëm kaq, por njerëzit e Arta Dades në Lushnjë i kanë kërkuar llogari ish- ministrit të Brendshëm socialist Spartak Poçi, për disa arrestime të bashkëpunëtorëve të Aldo Bares, të njohur si njerëzit që kishin mbështetur gjithë drejtuesit e PS-së, nga kryetari e deri tek anëtarët e Këshillit Drejtues.
Është përmendur shpeshherë në media fakti se Arta Dade, ditën e 11 tetorit 1999 - ndërsa PS-ja zhvillonte Kongresin e saj dhe policia pretendonte se shkatërroi bandën e Aldo Bares - mundësoi lajmërimin dhe ndihmesën për nxjerrjen nga Tirana, pa probleme nga policia të të shumëkërkuarit të njohur si kreu i “Bandës së Lushnjës”.
Pikërisht, në 11 tetor 1999, u bënë disa arrestime në Lushnjë, por edhe në Tiranë. Jo vetëm kaq, por një person u arrestua edhe në sallën e Kongresit të PS-së, ku ai ishte si delegat i Lushnjës.
Me gjithë arrestimet e pretenduara nga policia, çuditërisht, vetëm njëri nuk mundi të binte në pranga. Dhe as më shumë e as më pak, ky ishte edhe personi që Banda e Lushnjës kishte marrë pagëzimin. Ky person nuk ishte as më shumë dhe as më pak se Aldo Bare.
Fakti që është përsëritur më se një herë publikisht, ka të bëjë me atë, se atë ditë, Aldo Bare, megjithëse nuk ishte delegat në Kongresin e PS-së, ndodhej në Tiranë. Dhe falë ndihmës “bujare” dhe të “paçmuar” të deputetes së Lushnjës, Arta Dade, i njohuri midis shumë bëmave të tjera, edhe si “pronari” pa letra i Lagunës së Karavastasë në Lushnjë, mundi të çajë rrethimin e policisë, e të largohej nga Tirana.
PS-ja e Lushnjës qan dhe ankohet
Këtë lidhje të Aldo Bares me deputetë e udhëheqës të lartë të PS-së, vetë drejtues vendorë dhe në qendër të kësaj partie, nuk e kanë mohuar, përkundrazi e kanë pohuar.
Jo më larg se rreth një javë pas 11 tetorit 1999, ditës së Kongresit të PS-së, ish-Ministri i Rendit Publik, Spartak Poçi, i drejtohej jo pa shqetësim ish-Kryeministrit Pandeli Majko, për pakënaqësitë që kishin ngjallur edhe në radhët e drejtuesve lokalë të PS-së së Lushnjës, arrestimet e një dite më parë.
“Nga policia janë arrestuar të gjithë njerëzit që kanë shoqëruar tërë udhëheqjen që kemi sot, nga Presidenti tek Këshilli Drejtues”, i drejtohej Spartak Poçi eprorit të tij Pandeli Majko, me një shkresë të datës 19 tetor 1999, me Nr. 3292 Prot., duke i përcjellë shqetësimin e kreut të PS-së së Lushnjës Kujtim Rusho dhe deputetit të zonës, në atë kohë, Dalip Pero, shqetësim që ata ia kishin shprehur edhe ish-shefit të Komisariatit të Policisë së Lushnjës Sinan Meta, jo më larg se vetëm një ditë pas kongresit të PS-së, për pasojë dhe vetëm një ditë pas arrestimeve të pretenduara të anëtarëve të bandës së Lushnjës.
Artan Gjermeni dhe Erjon Braçe
Emri i Artan Gjermenit, anëtar i KLD-së, është një nga emrat i bërë publik si bashkëpunëtor i Aldo Bares. Këtë fakt e kanë zbuluar vetë anëtarët e “Bandës së Lushjës”, nëpërmjet disa telefonatave të bëra mes tyre dhe që janë përgjuar e zbardhur nga policia italiane.
Pikërisht në një bisedë të tillë, në 22.32 të datës 6 mars 2003 mes shtetasve shqiptarë të quajtur, Enver Dondollaku, me nofkën “Goni”, Aldo Bares, “Profesori” dhe Nardi 2, ose “I Vogli”, (Leonard Prifti, Nardi 2 (Leonard Prifti), pasi i kishte komunikuar “Gonit” (Dondollakut) numrin tjetër të Maksit (Maksim Çelës që
ndodhej në burg), i cili është 0682643766, ia kalon komunikimin “Profesorit” (Aldo Bares). Në bisedë e sipër, Dondollaku duke biseduar me Aldo Baren, i ka thënë atij se dëshiron ta takojë në Turqi, por nuk kishte dokumente të rregullta dhe se rrezikonte të arrestohej nga Interpoli. “Profesori” (Aldo Bare) i kishte dhënë zgjidhje duke i thënë se, “dokumentet do t’i bëjmë nëpërmjet Tan Gjermenit”.
Në një bisedë të përgjuar më 11 prill 2004, mes Alfred Shkurtit (Aldo Bare) dhe Alxhi Nallbanit diskutohet mundësia e fitimit të tenderit për ndërtimin e rrugës Lushnjë-Fier, ku përmendet edhe emri i Erion Braçes, deputet i PS-së. Sipas kapitullit 18, faqe 398, të dosjes penale të prokurorisë italiane, deputeti socialist, në komunikimin me pjesëtarë të organizatës së dyshuar kriminale, kishte deklaruar se gara e tenderit do të fitohej nga disa sipërmarrës italiane, të njohur nga ai. Biseda vijonte mbi projektin që kishte organizata kriminale, “të bazuar në shtytjen nga deputeti socialist Braçe, me synimin për të fituar të drejtën ekskluzive të instalimit, mbi të gjithë rrjetin autostradal në diskutim, të disa distributorëve të benzinës, të administruar direkt nga grupi kriminal”.
Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe Policisë së Shtetit
Akuzat dhe vrasjet që rëndojnë mbi Aldo Baren
Prokuroria për Krimet e Rënda ka formuluar akuzën ndaj Aldo Bares, drejtuesit të “Bandës së Lushnjës”. Sipas kësaj akuze, Aldo Bare akuzohet për krijimin e organizatës kriminale, për më tepër se 20 vrasje, për rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, kryerje veprash penale në bashkëpunim nga organizata kriminale.
Aldo Bare akuzohet gjithashtu për drejtimin e njërit prej rrjeteve më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës në drejtim të Europës Perëndimore, për të cilat bashkëpunohet me partnerët tanë perëndimor.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, mësohet se “Aldo Bare dhe organizata e tij kriminale akuzohen edhe:
- për vrasjen dhe dekapitimin (prerjen e kokës dhe shëtitjen në publik) të Artur Dajës në qytetin e Lushnjës,
- vrasjen në qendër të qytetit të shtetasit shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri,
- të vrasjes për shkake të cilësive të veçanta, mbetur në tentativë të shefit të Komisariatit të Policisë Lushnjë Sinan Meta,
- për vendosjen e lëndës eksplozive me telekomandë në stadiumin e futbollit të qytetit të Lushnjës,
- për vrasjen në vitin 2000 të inspektorit të Policisë Krimianle Klejdi Bano,
- për vendosjen në vitin 2001 të eksplozivit në banesën e inspektorit të Policisë së Rendit Idriz Shuli,
- për vrasjen në janar të vitit 2005 të Klodian Haxhiut,
- për vendosjen në mars të 2005 të eksplozivit në banesën e një punonjësi policie në rrugën Don Bosko në Tiranë,
- për vendosjen e minës me telekomandë në makinën e ish-drejtorit të Policisë Kriminale Xhavit Shala,
- për vrasjen në vitin 2005 të biznesmenit Baki Taullaut,
- si dhe disa vepra të tjera penale të cilat janë në hetim, për vrasjen e ish-kryetarit të SHIK-ut, të rrethit Lushnjë Bashkim Shkurti, për vrasjen e ish-nënkryetarit të Bashkisë të qytetit Lushnjë Drago Voshtima, vrasje këto të kryera në vitin 1998.