Një fushatë për jetën
Një fushatë për jetën
Albert Gjoka
Kurajoja dhe dëshira e shqiptarëve për jetën ka filluar të vyshket gjithnjë e më shumë në këto vite të vështira. Tranzicioni rraskapitëse, të cilën shumë kush dëshiron ta konsiderojë një kapitull të shkuar, apo që ndodhet në grahmat e fundit të tij, vazhdon të shtojë gjithnjë e më shumë numrin e atyre që zgjedhin si rrugën më të shkurtër dhe më të drejtë vdekjen. Vetëm në 24 orët e fundit, një vajzë e sapomartuar, një punonjës ministrie, një 49-vjeçar dhe një burrë që sa kishte nisur moshën e tretë të jetës së tij, ndërmorën aktin fatal.
Statistika zyrtare nuk ka dhe nuk jepen për këtë fenomen nga autoritetet përkatëse. Mediat tashmë e kanë harruar profesionin në trajtimin e ngjarjeve të tilla. Kjo, jo për faktin se jeta e një njeriu nuk konsiderohet e shenjtë; aspo se nuk përbëjnë lajm historitë dhe motivet që e shtyjnë një person t’ia japë vetes. Por, rastet janë aq të shumta, sa që pasqyrimi i tyre i përditshëm në ekranet e televizioneve apo faqet e gazetave ka filluar të shkaktojë neveri tek lexuesi në opinionin publik. Madje, shumë sish, po akuzojnë median se po bëhet shkaktare për shtimin e vetëvrasjeve. Kjo frymë i ka zbehur edhe më të zellshmit e gazetarisë që lajme të tilla të formatohen në kolonat pesëradhëshe, pa shkuar më tej komunikatës zyrtare.
Pak muaj më parë një nga institucionet më të rëndësishme financiare publikoi një raport për vendet ish komuniste, me titullin “Tranzicioni i tretë”. Në këtë studim pasqyroheshin të dhëna të sakta për gjendjen social-ekonomike të shteteve të Lindjes, banorët e së cilës, çdo ditë e më shumë e kanë të vështirë të sigurojnë një jetë normale me të ardhurat që marrin. Sipas këtij raporti, problemi më i mprehtë është reforma sociale dhe kryesisht ato që kanë të bëjnë me skemat e sigurimeve shoqërore. Me miliona njerëz nuk kanë derdhur kontribute për rreth 20 vjet. Kjo i shtyn autorët e këtij studimi skrupuloz që të paralajmërojnë fenomene me pasoja të rënda për shoqëritë e këtyre vendeve, një pjesë e të cilave i kanë kapërcyer, apo po i vuajnë në këto kohë. Sipas ekspertëve, deri në vitin 2020 do të shtohen në mënyrë të ndjeshme aktet e vetëvrasjeve, ku një ndër motivet kryesore është mungesa e burimeve financiare për të shtyrë vitet e pleqërisë. Dhe më të rrezikuarit janë ata që janë të papunë, apo që nuk kanë të sigurt një vend pune, duke qenë të kërcënuar çdo çast në stabilitetin financiar të familjeve të tyre. Një atmosferë e tillë zvenit shpresat e këtyre njerëzve. Ky sindrom, padyshim, përfshinë edhe Shqipërinë. Madje, më shumë se çdo vend tjetër të Europës Lindore..
Pak muaj më parë studiuesi Sofokli Duka publikoi një libër për vetëvrasjet, ku është marrë në shqyrtim periudha 5-vjeçare e fillimit të këtij shekulli. Duke i ndaluar vetëm në një detaj të morisë së shifrave që jepen në këtë botim, rezulton se grupmoshat më të prekura janë nga 25-45 vjeç, tek të cilat ndodh edhe numri më i lartë i vetëvrasjeve. Përjashtimi nga skema e sigurimeve shoqërore, risku i lartë në vendin e punës, mungesa e perspektivës dhe shumë faktorë të tjerë shkurajojnë dëshirën e shumë shqiptarëve për ta jetuar siç duhet jetën e tyre. Në fundin e tunelit nuk shohin dritën e shpresës. Më pas, vijnë tensionet, stresi, depresioni. Dhe në fund, akti fatal. Pa shmangur faktorët e tjerë që sjellin vetëvrasjen, rezulton se shkaqet ekonomike, janë në krye të listës së motiveve të vetëvrasjeve.
Duke parë realitetin konkret, por edhe sinjalet që vijnë nga agjencitë apo institucionet e specializuara, sheh që asnjë prej institucioneve shtetërore, përfshirë edhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore, nuk e ka marrë në konsideratë seriozisht këtë alarm. Paçka se ky fenomen nuk është vetëm çështje e tyre, por e gjithë shoqërisë; përfshirë edhe institucionet e edukimit apo ato të kultit. Deri më tani nuk ka bulëzuar asnjë nismën institucionale për të frenuar sadopak përhapjen e këtij fenomeni. Nëse çdo ditë shohim sesi lançohen fushata kundër kancerit, SIDA-s, talasemisë, ndotjes, dushkut dhe goglave të tjera, do të ishte me shumë vend që të ndërmerrej edhe fushatë për të nxitur dëshirën e shqiptarëve për të jetuar. Pishtarin e kësaj fushate nuk ka rëndësi se kush e merr; zonja e parë, apo zonja e dytë, X ministër apo Y shoqatë; e rëndësishme është që të përcillet mesazhi i jetës. Pa shpresuar rezultate të kënaqshme rreth një nisme të tillë, mendoj se përcjellja publikisht i këtij mesazhi do të jetë sinjal për këdo që është lodhur nga jeta e përditshme, plot pengesa dhe sfida, që të mendohet edhe një herë tjetër para se t’ia japë vetes. Vetëm për kaq mendoj se ia vlen të shpenzohen pak para.
25 Korrik 2008