Nje gjykim mes dy titujve
1.
A do të pajtoheshit ju se krahina e Kosovës dhe Metohisë, e cila ka qenë dhe është territor sovran i Republikës së Serbisë, ... a do të pajtoheshit që është e drejtë dhe obligim i shtetit që të mbrojë territorin e vet... a pajtoheni se sjellja e të ashtuquajturave struktura paralele ka qenë kundër Kodit Penal të Republikës Federale të Jugosllavisë, a pajtoheni që pra, ... a pajtoheni se nuk ka shtet në botë që do të lejonte një gjë të tillë, se po të lejonte, imagjinoni Spanjën me baskët dhe Britaninë me irlandezët, ... a dini ju se në Prekaz janë plagosur rëndë policët , ... a dini ...
Një seri "a pajtoheni se" dhe "a dini se" shndërrohen në një makinë të pandërprerë rotative fjalësh, që i shqipton avokati beogradas i gjeneralit të policisë serbe, Vllastimir Gjorgjeviq, i akuzuar për krime të luftës në Kosovë.
Eshtë hera e tretë që jam dëshmitar në Hagë, hera e parë që nuk e njoh të akuzuarin. Në dëshminë time të parë, shikoja në sy Sllobodan Millosheviqin, ndërsa mbronte veten, edhe në cilësinë e fjalëpërfjalshme, juridike. Në të dytën, në bankën e të akuzuarve ishin Presidenti serb, Milutinoviq dhe zëvendëskryeministri Shainoviq, që të dy në pozitë krejt tjetër prej herës së fundit që u takuam, në negociatat në Rambouillet. Tash, në bankën e të akuzuarve, një njeri që nuk njoh, një gjeneral policie me emrin Vllastimir Gjorgjeviq, mbrojtës i tij një avokat, që nuk e njoh gjithashtu, ndonëse thotë se është i njohur.
A do të pajtoheshit... , fillon sërish avokati, ndonëse e di se nuk pajtohem, ndonëse do të duhej të dinte se nuk kishte se si pajtohem, se deklarimet e mia kishin qenë krejtësisht e kundërta me pohimet e tij dhe ka njëzet vjet, se kishin qenë publike, se kishte pasur rastin t‘i lexonte. ... Por, prapë fillon rrëfimi i tij pyetës për sovranitetin, i njëjti rrëfim i dëgjuar në televizionin shtetëror të Serbisë, në gazetat shtetërore të Serbisë më 1989-1999, në deklarimet publike të kryetarëve, zëvendësve, parlamentarëve, militarëve e paramilitarëve, kryetarëve të shoqatave bamirëse, kryetarëve të shoqatave patriotike automobilistike dhe të pëllumbaxhinjve, përfaqësuesve të kooperativave bujqësore, që, pasi shpallin të korra rekorde të grurit, flasin për integritetin dhe sovranitetin e Serbisë mbi krahinën e vet të shenjtë të Kosovës e Metohisë...
Amtssprache, konstatoi më 1963, filozofja hebreje-gjermane-amerikane, Hannah Arendt. Zyrtarishtja, gjuha e vetme me të cilën do shprehej i akuzuari nazist për krime lufte Adolf Eichmann, i rrëmbyer nga komandot izraelite në Argjentinë dhe i sjellë në Izrael për t‘u ballafaquar me gjykimin e parë të popullit hebre kundër viktimizuesit të deridjeshëm. Arendt, në "Eichmanni në Jerusalem" (Viking Press, New York, 1963, Samizdat, B92, 1999), do të përcillte gjykimin për të kuptuar rrënjën e së ligës, e asaj që përndoqi popullin e saj deri në gjenocid.
Dhe gjëja e parë që vërejti është shprehja gjuhësore brenda fjalorit zyrtar, atij të mësuar me parulla, të përsëritur prej tij, eprorëve e pastaj edhe vartësve, e shndërruar në realitet të ri, në besim…". A e dini se krahina serbe e Kosovës dhe Metohisë…".
2.
"Përkundër të gjitha përpjekjeve të prokurorisë, çdokush mund të shihte se ky ishte njeri e jo një përbindësh, por ishte me të vështirë të mos dyshosh se është fjala për një palaço", përshkruan Arendt Eichmannin, një njeri që mezi arriti të bëjë shkollë të mesme, nuk kishte ndonjë bindje të parapërcaktuar për gjërat, por arriti fuqi duke hyrë në SS. Dhe pastaj duke zbatuar urdhrat, apo siç do të thoshte vet, "ai kryente detyrën e vet..., jo vetëm zbatoi urdhrat, ai po ashtu zbatonte ligjin".
Dhe, sa e sa herë do të dalë në të tria gjykimet ku isha dëshmitar, arsyetimi përfundimtar, se duke vrarë shqiptarë në Kosovë, civilë, të paarmatosur, burra, gra e fëmijë, po zbatohej ligji. Sikur ligji të ishte krijuar prej një fuqie mbinjerëzore, me detyrë që njeriu ta zbatojë, sikur të mos e kishte krijuar njeriu, dhe sikur krijimi i atij ligji të mos jetë bërë me një apo tjetrin qëllim, sikur ai ligji të mos ishte i ndryshueshëm, i bërë për njeriun, e jo njeriu i bërë për ligjin.
Amtssprache. Zyrtarishtja. Mbrojtja gjuhësore prej mendimit vetjak, prej mendimit kritik, prej mendimit që mund të vërë në pyetje zyrtarishten. Ky është njëri prej boshteve kyçe të shikimit të Arendt, dhe pika prej nga rrjedh pastaj logjikshëm nëntitulli i librit të saj, që do të arrijë të bëhet i famshëm në përshkrimin e krimit ndaj njerëzimit, "Banaliteti i së ligës". Mungesa e mendimit kritik, mbështetja te "kryerja e detyrës, zbatimi i urdhrave e madje edhe i ligjit", do të çonte tek ai banalitet që arsyeton, në mendjen e nazistëve, krimin e llahtarës së madhe, të gjenocidit.
3.
Ishte e vishnjës. Ëmbëlsira që Asliha Binishi kishte përgatitur më 1 prill të vitit 1999 ishte e vishnjës, e njoha prej erës së mbamendur prej fëmijërisë. Ishte ende e ngrohtë, sikurse edhe çaji mbi stufë, kur mbërritëm ne, lypësit e një vendi të sigurt për t‘u fshehur në Prishtinën e bombardimeve dhe të përndjekjes së policisë serbe. Dera qe e hapur, pothuaj e thyer me një shqelm çizmeje, dhoma e sipërme, ku flinte i vëllai i saj, aktori Faruk Begolli ishte bërë lëmsh nga hallakatja, për të gjetur ndonjë stoli, para a gjë tjetër të vlefshme. Ëmbëlsira e çaji, në kuzhinë, poshtë, ishin shenja se Aslihaja me Farukun kishin marrë urdhër nga policia të largoheshin shpejt, brenda ca minutash, ashtu siç kishin marrë urdhër atë ditë të gjithë banorët e lagjes së Taslixhes dhe lagjeve të tjera të ngjitura me pikën strategjike të malit të Gërmisë.
-Pse i përmendni këto gjëra tash, punën e ëmbëlsirës, dhe detaje të tilla të ngjashme, - ankohet avokati mbrojtës, gati duke më qortuar se pse këtë nuk e kisha bërë në gjykimet më të rëndësishme, atë të Milosheviqit apo Milutinoviqit?
Sepse kujtesa nuk është një vijë e drejtë, i them.
Dhe, nuk është, vërtetohem, në pauzë të gjykimit. Gjatë fjalës, harrova të them se ëmbëlsira ishte e vishnjës.
Pse nuk i përmendnit këto më herët, - më pyetën, - edhe në gjykimin e Milutinoviqit, - kur fola diçka për njërin prej të akuzuarve, diçka që nuk kisha përmendur më herët.
-Sepse nuk më pyeti kush, -thashë.
Në fakt, sepse kujtesa do ndjekur, duhet vënë në ndjekje të kujtesës, sikur duhet ndjekur çdo gjë jashtë komoditetit banal, atij të zyrtarishtes së Eichmannit, për shembull, simbol të të vërtetave të servirura. Sikurse i ndjek të vërtetat e reja Roberto Bolaño, shkrimtari më i mirë i gjuhës spanjishte në shekullin e porsafilluar.
4.
I vdekur prej kancerit në mëlçi, më 2003, romancieri që fama i kishte mbërritur në Amerikë Latine e Spanjë, fillimisht me tregimet e tij, pastaj me dy romane të shpërblyera "Nokturno i Kilit" dhe "Detektivët e egër", Bolaño i hyri një pune monumentale. I vetëdijshëm se po vdiste, u përpoq të shpëtojë nga vdekja fjalë e fjali, personazhe, ëndrra dhe jetë fiktive të krijuara me ditë e me net, për të mbërritur në një dorëshkrim të madh, sfidë redaktimi. Një mik i tij, me porosi amaneti, kërkoi nga botuesi që dorëshkrimi të botohej si një roman, anipse i komponuar prej pesë sish me jetë autonome, e me titull "2666" (Anagrama, Madrid, 2004). Vjet, "2666", u përkthye në anglishte, dhe tashmë Bolaño është duke përcjellë në kulturën anglo-amerikane staturën që kishin Garcia Marquezi apo Borgesi.
Romani fillon me katër kritikë letrarë, të pasionuar pas veprës së një shkrimtari të njohur vetëm për ta, Benno von Archimboldi, zhvillohet në pesë pjesët e tij si një ndjekje pas e hapave të tij fizikë, duke përfshirë edhe qëndrimin në një qytet të veriut të Meksikës, dhe në librin e katërt përqendrohet në krimet seksuale ndaj qindra femrave në këtë qytet.
Në pjesën e fundit, kthehet te shkrimtari von Archimboldi, i cili na del të jetë veteran i Luftës së Dytë Botërore dhe dëshmitar i tmerreve të saj. Dëshmitar si Hannah Arendt? Dëshmitar si Eichmann? Dëshmitar si unë, me gjithë ëmbëlsirën e vishnjës?
Në fakt, është vetëm njëri nga dëshmitarët që Bolaño paraqet në analizën e tij të të kërkuarit të përgjigjeve, përfshirë edhe të kërkuarit e përgjigjes për të ligën, apo siç do ta quajë Arendt, banalitetin e saj. Vetë akti i të kërkuarit të përgjigjeve është kundërshtim i madh i banalitetit, siç do të dëshmojë në gati 1000 faqet e tij.
5.
Në fund të dëshmive të mia në Hagë përjetoj përzierje ndjenjash, - i them njërit prej zyrtarëve të Tribunalit që më përcjell jashtë derës. Ndiej ngarkesë, nga njëra anë, sepse duhen ripërtërirë kujtime nga kohë të vështira, ekzistencialisht të vështira. Ndiej lehtësim, nga ana tjetër, sepse, duke folur për to, ndodh sikur të shkarkohen nga unë dhe ta ngarkojnë historinë, atë të mijëra faqeve arkivore të mbetura në Tribunal.
Sikur këto faqe të kishin kërkuar kopertinë, mendoj, do qe mirë që nga ana e përparme të vihej nëntitulli i Arendtit, "Banaliteti i së ligës", e nga ajo e pasme, titulli i Bolaños, "2666". Kiliani, me rrugëtimin e tij metaforik për të shpëtuar fjalët dhe natyrën e hulumtimit të së vërtetës nga vdekja, e nxori titullin nga një tregim i tij i vitit 1999, një tregim që flet për "varreza në vitin 2666, varreza të harruara ndër kapakët e syrit të një kufome apo fëmije të palindur, të shpëlarë në lëngje të papasionuara të syrit, që aq shumë u përpoq të harrojë një gjë, sa përfundoi së harruari çdo gjë tjetër".