E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau foshnjën 18-muajshe, nis gjyqi në Apel për nënën

KORÇË Disa muaj pas vrasjes së fëmijës, një nënë nga një fshat i Korçës e ka apeluar vendimin e dhënë nga gjykata e Shkallës së parë. 24-vjeçarja Sonila Lumi nga fshati Zëmblak i Korçës, pasi është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë me 12 vjet burg për vrasjen e djalit të saj 18 muajsh, sepse nuk i duronte dot të qarën, ka apeluar për lehtësimin e dënimit të saj. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura pranë Gjykatës së Apelit në Korçe mësohet se është kërkuar ndryshimi i akuzës së ngritur ndaj Lumit nga “vrasje me dashje” në “vrasje nga pakujdesia”.

Mbështetur edhe në një raport mjekësor të paraqitur nga mbrojtja, Lumi ka rezultuar si një person me probleme mendore, ndërsa në seancën e radhës prokuroria do të paraqesë konkluzionet e saj. Sipas të dhënave, 24-vjeçarja fillimisht e kishte rrahur fëmijën dhe më pas e kishte mbytur atë. Në bazë të të dhënave të akuzës, gjatë procesit të hetimit 24-vjeçarja nuk kishte shfaqur ndonjë shenjë pendese. Qëndrimi i saj do të ndryshonte vetëm gjatë gjykimit, gjë që me sa duket do të ndikonte dhe në dhënien e vendimit të gjykatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›