Një grua në krye të Bashkisë Burrel
BURREL-Një grua është zgjedhur në krye të Bashkisë së Burrelit, në rrethin e Matit. Mësuesja e fizikës, Adelina Farrici, ka gëzuar mbështetësit e saj duke mundur kandidatin e Partisë Demokratike, Skënder Lleshi, madje me rezultat të thellë, me 536 vota më shumë se rivali i saj në garë. Pak pas mesdite grupet e numërimit të votave deklaruan se Adelina Farrici, kandidate e “Aleancës për të Ardhmen”, kishte fituar 3635 vota dhe rivali i saj, kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Skënder Lleshi, kishte fituar 3119 vota. Kandidatja e majtë siguroi 56.3 % të votave dhe ai i djathtë 43.7 % të votave. Katër vjet më parë Lleshi kishte fituar me 800 vota më shumë, ndërkohë pas këtyre zgjedhjeve rezulton se e djathta ka humbur terren në qytetin verilindor. Pak pas shpalljes së rezultatit, mbështetës të Partisë Socialiste dhe të kandidates Farrici kanë nisur festën në rrugët e qytetit të Burrelit. Makina të shumta, qytetarë dhe mes tyre edhe kandidatja Farrici kanë festuar për disa orë me këngë e valle. Është e para herë që një grua do të drejtojë Bashkinë e Burrelit. Farrici konkurroi fort në fushatën e fundit, duke akuzuar ish-kryetarin e bashkisë për abuzime me fondet publike, për keqmenaxhim të bashkisë, nepotizëm, korrupsion, paaftësi etj. Në debatet mediatike Farrici tregoi epërsi, çka bëri që numri i mbështetësve të rritej.
Ndërsa ka votuar sërish për kandidatin e PD-së, Bashkia e Peshkopisë ku është shpallur fitues kandidati i PD-së Ilir Krosi me 44 22 vota kundrejt kandidatit të PS, Ilir Vraniçi me 3013 vota. Bulqiza në fund e ka mbyllur me fitoren e të djathtës edhe pse në numërimin e kutive të para ka patur një avantazh të kandidatit të së majtës, Mufit Duriçi, i cili ka humbur në kutitë e fundit me një diferencë prej 148 votash.
“Unë dua të falenderoj bashkëqytetarët e mi që më besuan, që më votëbesuan dhe unë jam e angazhuar para tyre dhe kam obligimin që të realizoj të gjitha ato që unë kam thënë, por këtë unë do ta realizoj me pjesëmarrjen e bashkëqytetarëve të mi”- tha fituesja e vetme femër në krye të një Bashkie, kandidatja e PS-së, Adelina Farrici.