E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, bllokohet numërimi për këshilltarët

Beteja e numërimit të votave për dy bastionet e Partisë Socialiste, Fierin dhe Beratin, nuk ka mundur të mbarojë ditën e djeshme. Procesi i numërimit të votave në këto dy qytete ka ecur me ritme të ngadalta, ndërkohë që në të dy prej tyre kryesojnë kandidatët e majtë, Baftjar Zeqaj dhe Fadil Nasufi. Sipas të dhënave të raportuara, mbrëmjen e djeshme është bllokuar për disa orë numërimi në qytetin e Fierit dhe shkak për këtë situatë është bërë çështja e këshilltarëve të bashkisë, pasi deri në këto momente, gjysma e tyre i përkasin Partisë Socialiste, ndërkohë që nuk kanë ngelur të kënaqur nga ky fakt Partia Çame dhe LSI. Gjithsesi, sipas rezultatit të votave të numëruara deri dje në mbrëmje, kandidati i “Aleancës për të Ardhmen”, Baftjar Zeqaj, ka marrë 6173 vota, nga 32 kuti të numëruara, ndërsa në total janë 83 të tilla, ndërsa kandidati i “Aleanca për Qytetarin”, Ilir Bele, 4403 vota. Përveç kandidatit, edhe si subjekt, Partia Socialiste vijon të kryesojë, ndërsa ngelen ende edhe më shumë se gjysma e kutive deri në përfundimin e plotë të procesit të numërimit në Bashkinë Fier. Por, sipas dhe deklaratave të bëra nga kreu i KZAZ, Asqeri Muhaj, edhe nënkryetari i KZAZ me nr.18, Aleksandër Shanaj, pritet që të dhënat përfundimtare të jepen ditën e martë në mbrëmje. Kjo për shkak të ecurisë së ngadaltë të procesit të numërimit nga grupet përkatëse. Duhet theksuar se përveç një mbledhjeje të KZAZ për kutinë e qendrës së votimit nr.2929, për parregullsi sipas pretendimeve të përfaqësuesit të PD-së, nuk ka pasur kontestime të tjera në këtë qendër numërimi. Një e papritur për Fierin në këto zgjedhje ka qenë humbja e Komunës Levan, që njihet si një bastion i së djathtës, dhe që prej vitesh është drejtuar nga kandidati demokrat Agim Qejvani, i cili nuk ka mundur të marrë më besimin e elektoratit në këto zgjedhje. Ndërkohë, e vetmja Bashki në Qarkun e Fierit, ku ka mbaruar numërimi i votave është Bashkia e Ballshit, që është fituar nga PS-ja.

Berat

Në qytetin e Beratit nuk ka pasur zhvillime të mëdha. Janë numëruar më pak se gjysma e kutive, 34 nga 74 gjithsej. Kandidati i PS-së, Fadil Nasufi, ka 4712 vota kundrejt Ilir Deçollit të PD-LSI me 4285. Procesi i numërimit po shkon drejt fundit edhe në Kuçovë, ku kanë mbetur edhe 2 kuti pa numëruar, nga 75 që janë gjithsej. PS është në avantazh me 4526 vota, ndërsa PD me 3867 vota. Vlen të theksohet se Komuna Otllak ka ndërruar krah, nga Lefter Maliqi ka preferuar kandidatin e Partisë Socialiste. Ndërsa në Komunën Kutalli ka fituar Shpëtim Vrapi i PS-së me 4650, kundrejt Sulës që ka 4530 vota. Në Poliçan ka përfunduar procesi i numërimit dhe është shpallur fitues Adriatik Zotkaj, kandidat i PS-së me 1446 vota.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›