Rikonfirmohet Tusha në Lezhë, Rrësheni dhe Laçi janë të PS-së
Viktor Tusha i LSI-së ka fituar mandatin e tij të dytë në krye në Bashkisë së Lezhës. Ai ka patur si rival në këto zgjedhje kandidatin e PS, Gjok Jakun, i cili la mandatin e deputetit që kishte marrë para dy vitesh në Lezhë, për të qenë përballë Tushës në këto zgjedhje. Gjok Jaku ka drejtuar para katër vitesh Bashkinë e Lezhës nën siglën e Partisë Socialiste dhe ka shpresuar ta rimarrë sërish. Pas një procesi model në këtë bashki kandidati i LSI-së, Viktor Tusha, në 24 Qendra Votimi ka arritur të marrë 300 vota më shumë se rivali i tij. Ndërsa me humbje ka dalë në këto zgjedhje PD-ja në Rrëshen dhe Rubik dy bashki që kanë patur në krye drejtues të djathtë të cilët kërkonin mandatin e radhës në këto zgjedhje. Ish- kryetari tashmë i Bashkisë së Rrëshenit, Gjon Deda, i PD-së ka humbur me një diferencë prej 798 votash kundrejt rivalit të tij Ndue Kola i PS-së. Po ashtu në Bashkinë e Rubikut kanë kandiduar përballë njëri-tjetrit Mark Ruçi, përfaqësues i PD-së, i cili garonte për mandatin e katërt të kësaj bashkie, kundrejt Gjok Vukës, i PS-së, që kërkonte mandatin e parë në krye të kësaj bashkie. Në këtë bashki e veçanta ishte fakti se dy kandidatët janë përballur edhe para tetë vitesh në zgjedhjet lokale, ku Ruçi kishte arritur të mundte Vukën. Këtë radhë ka fituar përfaqësi PS-së, Gjok Vuka, duke marrë 362 vota më shumë se kandidati i PD-së, Mark Ruçi. Një tjetër fitore e së majtës është shënuar në Bashkinë e Laçit ku kandidati i PS-së Artur Bardhi ka fituar me 2781 vota ndaj kandidatit të PD-së Bardh Rica që ka marrë vetëm 1663 vota.