E Diel, 1 Nëntor 2026

Suzan Sontag: Vetëm letërsia do na shpëtojë nga diktatura e modernes

Letërsia rrëfen histori. Televizioni jep informacion. Letërsia përfshin. Është një rikrijim i solidaritetit njerëzor. Televizioni (me iluzionin e paraqitjes së ngjarjeve në kohë reale) na largon, na burgos brenda indiferencës sonë. Të ashtuquajturat histori të rrëfyera nga televizioni kënaqin urinë tonë për anekdota dhe na ofrojnë module perceptimi që zhvleftësojnë njëra-tjetrën (Diçka që përforcohet me praktikën e ndërprerjes me publicitet të rrëfimeve televizive). Të tilla rrëfenja nënvizojnë idenë që i gjithë informacioni është i vlefshëm (apo "interesant"), që të gjitha rrëfenjat janë pa fund. Në rast se ndërpriten, kjo ndodh jo për faktin se përfundojnë, por sepse ndërpriten nga një rrëfenjë e mëvonshme, më sensacionale, ose më ekscentrike. Duke na servirur një numër të pafund rrëfenjash të papërfunduara, narracionet e propozuara nga mediat - konsumi i të cilave ka ndikuar gramatikisht në kohën që publiku i ngritur u dedikonte dikur librave - ofrojnë një leksion amoralizmi dhe na shkëpusin nga gjithçka e mirë që përfaqëson letërsia.

Në narracionin e rrëfenjave të praktikuara nga romancieri ekziston gjithnjë përbërësi etik. Ky përbërës etik nuk mbështetet te kundërvendosja e një të vërtete përballë falsitetit të kronikës. Mbështetet te modeli i gjithëpërfshirjes, intensitetit, ndriçimit të brendshëm të ofruar nga historia dhe nga mënyra si zgjidhet, që është e kundërta e modelit të topitjes, të pakuptushmërisë, të drojës pasive, pasojë e tronditjes së ndjesisw, që ofrohet nga bollëku i rrëfenjave të papërfunduara e të shkalafitura të medias. Televizioni na ofron, në formë mjaft të pakapshme e të vërtetë, një të vërtetë të cilën romancieri është i detyruar ta mbysë në emër të modelit epik të perceptimit, karakteristikë e përpjekjeve narrative: që do të thotë se na jep vetëdijen që tipari veçues i universit tonë është që shumë gjëra ndodhin në të njëjtën kohë (koha ekziston pasi gjërat nuk ndodhin në të njëjtin çast... Hapësira ekziston për të bërë që të mos të të ndodhin të gjitha ty). Të rrëfesh një histori do të thotë: është kjo historia e rëndësishme. Do të thotë ta reduktosh shtrirjen dhe njëkohshmërinë e gjithçkaje në diçka lineare, në një rrugëtim.

Të jesh individ moral do të thotë të dhurosh, të jesh i detyruar të dhurosh, një lloj vëmendjeje. Kur shprehim gjykime morale, nuk pohojmë thjesht se një gjë është më e mirë se tjetra, por pohojmë, në formë edhe më të thellë, që një gjë është më e rëndësishme se tjetra. Vëmë rregull te shtrirja marramendëse dhe njëkohshmëria e gjithçkaje, edhe me koston e kthimit të shpinës ndaj gjithçkaje që ndodh në botë. Natyra e gjykimeve morale varet nga aftësia jonë për të kushtuar vëmendje: një kapacitet pashmangshmërisht i kufizuar, kufijtë e të cilit, nga ana tjetër, mund të përforcohen. Por ndoshta hapi i parë drejt mençurisë dhe përuljes qëndron te dorëzimi, tek ideja, tek ideja shkatërruese e njëkohshmërisë së gjithçkaje dhe e paaftësisë së perceptimit tonë moral - që është edhe ai i romancierit - ...

Pra, romancierët marrin përsipër të anashkalojnë një detyrim etik që qëndron në themel të së drejtës për ngushtimin e botës reale - qoftë në terma hapësire, ashtu edhe kohore. Personazhet e një romani veprojnë në një kohë që është kompletuar që në fillim, në të cilën gjithçka që vlen të shpëtohet, është ruajtur - "e larë nga ndryshku", siç shkruan Henri Xheims. Të gjitha historitë reale janë histori të fatit të dikujt. Personazhet e romaneve kanë fate tejet të lexueshme. Fati i vetë letërsisë është ndërkaq diçka tjetër. E kuptuar si histori, letërsia është plot shtresa ndryshku, kërkesa të parëndësishme, aktivitete të zhveshura nga qëllimet, vëmendje aspak të frytshme. "Habent sua fata fabulae", thotë një frazë latine.

Është e qartë se askush nuk do uronte që gjërat të shkonin ndryshe. Letërsia e rrëfimit, një aktivitet vetmitar, ka një destinacion që është publik, i përbashkët.

Tradicionalisht, që të gjitha kulturat janë lokale. Një kulturë vendos kufij (linguistikë, për shembull), largësi, pamundësi përkthimi. Ndërsa "modernia" bart me vete, më shumë se gjithçka tjetër, tretjen e barrierave dhe zvogëlimin e distancës; mundësinë për kontakt të menjëhershëm; homogjenizimin e kulturës; dhe për shkak të logjikës së vet të pamëshirshme bart edhe zhdukjen, apo modifikimin e kulturës. Ajo që bën në rastin e "modernes" është standardizimi, homogjenizimi (madje "modernia" është standardizim dhe homogjenizim. Vendi ku modernia mund të vërehet më qartë se gjithkund tjetër është aeroporti; dhe gjithë aeroportet janë të ngjashëm, si edhe qytetet moderne, nga Seuli në San Paolo. Kanë prirjen t‘i ngjajnë njëri-tjetrit).

Kjo prirje për të homogjenizuar nuk mund të mos ndikojë në projektin e letërsisë. Romani, që karakterizohet nga specifikja, mund të bëhet pjesë e këtij sistemi përhapjeje maksimale vetëm përmes përkthimit, i cili, për aq sa i nevojshëm, bart një deformim të asaj që vetë romani është në nivel thelbësor, që do të thotë jo komunikimin e informacionit e as rrëfimin e historive intriguese, por çuarjen përpara të projektit të vetë letërsisë, bashkë me ftesën për të zhvilluar një formë të brendshme në gjendje që t‘i kundërvihet nginjes së modernes.

Të përkthesh do të thotë të transportosh diçka përtej kufirit. Po gjithnjë e më shpesh, kjo shoqëri "moderne" na mëson se nuk ekzistojnë kufij, që do të thotë se nuk ekzistojnë kufij për sektorët e privilegjuar të shoqërisë, që sot kanë mundësi lëvizjeje më të mëdha se në çdo epokë tjetër paraardhëse në historinë e njerëzimit. Ndërkohë, hegjemonia e mjeteve të komunikacionit masiv, televizioni, interneti, na mësojnë se ekziston një kulturë e vetme dhe se kultura që gjendet përtej kufijve- ose një ditë do të jetë e tillë -është gjithnjë e njëjta, me banorët e planetit që ushqehen të gjithë në të njëjtën mensë zbavitjeje të standardizuar e fantazish erosi e dhune të prodhuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Japoni apo kudo qoftë; që të gjithë të ndriçuar nga të njëjtat fragmente informacioni e opinionesh të pafiltruara (edhe pse, në të vërtetë, shumë shpesh të censuruara).

Që nga media të tilla mund të përftohet ndonjë kënaqësi apo ndriçim shpirtëror, është e pamohueshme. Por jam e bindur që ato ushqejnë mentalitete dhe kënaqin orekse krejt të kundërta nga ato që ofron shkrimi (prodhimi) dhe leximi (konsumi) i letërsisë së vërtetë. Kultura ndërshtetërore, ku marrin jetë të gjitha ato gjëra që bëjnë pjesë në shoqërinë kapitaliste të konsumit, e njohur edhe si ekonomi globale, është një kulturë që në të vërtetë e bën letërsinë të padobishme - një shërbim i mjerë që ka qëllim të na ofrojë atë që tashmë e dimë - dhe mund të gjejë në vend në brendësi të strukturave që rregullojnë blerjen e informacionit.

Çdo romancier shpreson të gjejë sa më shumë publik të jetë e mundur, të kalojë të gjithë kufijtë e mundshëm. Por detyra e romancierit, sipas asaj që mendoj unë, është të mbajë parasysh gjeografinë e rremë kulturore që po vendoset në fillim të këtij mijëvjeçari. Nga njëra anë, përmes përkthimit dhe adaptimit me mediat, kemi mundësinë t‘i shpërndajmë gjithnjë e më shumë veprat tona. Si të thuash, hapësira është mposhtur. Na thuhet se Këtu-ja dhe Aty-ja janë në kontakt të pandërprerë mes tyre dhe po shkrihen me njëra-tjetrën. Nga ana tjetër, ideologjia pa precedentë që qëndron prapa këtyre mundësish përhapjeje e përkthimi - ideja që dominon sot gjerësisht dhe që shihet si kulturë nga ana e shoqërisë moderne - ka prirje ta nxjerrë jashtë mode detyrën profetike, kritike, deri edhe subversive, të romancierit, atë të thellimit. Jetë të gjatë romancierit!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›