E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama: Këshilltarë, 20 shokë klase të Harvardit

Teksa Presidenti i sapozgjedhur amerikan po grumbullon stafin qeverisës, më shumë se 20 shokë, me të cilët ka studiuar në Fakultetin e Jurisprudencës në Harvard, janë pjesë e skuadrës së tij të tranzicionit. Obama iu drejtua ish-shokëve të klasës, së pari në fillim të ambicieve për Presidencën amerikane, për shkak të kontakteve të niveleve shumë të larta që gëzojnë shumë syresh, ndërsa më pas për ta ndihmuar në grumbullimin e fondeve.

"Në rast se sjellim nëpër mend rrugën që kaloi deri te zgjedhjet, duhet të vërejmë se nuk kishte një rrjet njerëzish te të cilët mund të bazohej", thotë Kasandra Bats, këshilltare e përgjithshme për tranzicionin. "Grupi i Harvardit i erdhi shumë në ndihmë në këtë kuadër, duke e ndihmuar të prezantohej në frontet e politikës dhe të financës".

Përveç Kasandra Bats, mes emrave të tjerë të shkëlqyer të Harvardit, përfshihen Kris Lu, i cili shërben për ndërlidhjen e kabineteve të Obamës; Tom Perreli, i cili punon në skuadrën e tranzicionit të Departamentit të Drejtësisë, dhe Julius Genaçovski dhe Maikëll Froman, i cili ka një post në skuadrën prej 12 anëtarësh të Bordit të Këshilltarëve për Tranzicionin.

Po të kthejmë kokën prapa te presidentët e tjerë, këtu nuk asgjë të re. Mbresëlënës është masa me të cilën është mbështetur Obama te shokët e Harvardit, e cila, sipas historianit presidencial Julian Zelizer, kalon edhe shifrat e vërejtura gjatë administratës së Xhon Kenedit: "Mua, numri i shokëve nga Harvardi më duket shumë i madh".

Në hapat e parë, Harvardi qe vetëm një prej tri shtyllave kryesore mbështetëse. Këshilltarët e tij me ndikim më të fortë i nxori në skenë politika e Çikagos, ndërkohë që u mbështet së tepërmi edhe te njerëzit e zyrës së vet të Senatit. Lidhjet e tij me shokët e Harvardit shtyhen dekada më parë dhe ishte Obama ai që i ka mbajtur gjallë, me letra, telefonata e emaile të bëra rregullisht.

Gjithashtu qe një faktor të cilit nuk i mëshoi fort gjatë fushatës, duke qenë se republikanët u përpoqën me të gjitha mënyrat ta përshkruanin si një personazh elitar. Në biografitë e shumta shkruhej vetëm se ishte bir i një nëne të pamartuar, dhe se i qe dashur të punonte me të gjitha forcat në jetë, në asnjë mënyrë nuk përmendej se ishte produkt i një shkolle kaq elitare sa ç‘është Harvardi.

Ndërsa tani që Obama po përpiqet të ngrejë më këmbë një administratë që do t‘i rrijë pas për të paktën katër vjet, Harvardi po luan rolin e dorës së parë. Të gjithë së bashku zgjohen herët e flenë orët e vona të natës, teksa kërkojnë të zgjidhin problemet e panumërta që shtron përgatitja e terrenit për të marrë në dorë qeverisjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. "Kemi qenë të gjithë shokë dhe përmes Obamës jemi brenda një sipërmarrjeje të përbashkët" thotë Perreli.

Deivid Dante Trout, profesor në Shkollën e Ligjit Rutgers, është njohur me Obamën gjatë vitit të parë në Harvard, ku qenë së bashku jo vetëm gjatë orëve të mësimit, por edhe gjatë pushimeve, të cilat zakonisht i kalonin duke pirë cigare. "Ishim të dy të dobët e kishim ftohtë dhe tymi i duhanit sa nuk na dilte nga veshët, gjatë dimrave të universitetit", tregon ai. Thotë gjithashtu se janë edhe 5-6 ish-shokë klase që duan të kontribuojnë vullnetarisht në ndihmë të Obamës, por pa gjetur hapësirë. "Është si një dëshirë e përgjithshme për të ndihmuar gjithçka që ka lidhje me Harvardin".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›