E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uithers: Ina Rama pati presione e pengesa politike nga dy krahët



TIRANE – Ambasadori amerikan në Shqipëri, Xhon Uidhers, tha dje se Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama është ndeshur me presione politike dhe mediatike në punën e saj, ndërsa ka pasur pengesa nga raste imunitetesh të dyshimta. Deklarata e Ambasadorit amerikan u bë në një takim në Prokurorinë e Tiranës, ku ishin të pranishëm prokurorët e Zyrës Task Force Antikorrupsion në Mal të Zi. Ata nisën dje një trajnim të përbashkët për teknikat e hetimit kundër krimit ekonomik e korrupsionit me prokurorët e Task Forcës së Tiranës, zyrë e cila është ngritur në Prokurorinë e kryeqytetit me mbështetjen e SHBA dhe BE. Ambasadori Uidhers në fjalën e tij tha se Prokuroria në Shqipëri është një institucion i pavarur. Duke përmendur Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, Ambasadori amerikan tha se ajo ka shfaqur përkushtim dhe angazhim në ruajtjen e Pavarësisë dhe integritetit të institucionit që drejton. “Ajo e ka ruajtur këtë Pavarësi me profesionalizëm dhe përkushtim ndaj ligjit dhe parimeve, ajo e ka bërë këtë duke u përballur me shumë pengesa. Ka pasur presion politik ndaj saj, nga të dyja anët e spektrit politik, ka pasur artikuj në shtyp të cilët janë munduar ta kritikojnë atë thjesht sepse ka kryer punën e saj ashtu si duhej bërë, ka pasur pengesa ligjore si statuse të dyshimta imuniteti, të cilat e kanë bërë ushtrimin e detyrës së saj më komplekse, të gjitha këto me qëllimin për ta bërë atë të anojë nga një kah apo një tjetër i palëve politike”, u shpreh Ambasadori amerikan në Tiranë. Ai tha se në çdo vend roli i Prokurorit të Përgjithshëm është kompleks ndërsa përgëzoi Prokuroren Rama, pasi ajo ka ditur të ruajë standardet më të larta të profesionalizmit dhe përkushtimit ndaj punës së saj, ndërsa është përballur me këto vështirësi. Duke iu drejtuar panelit të prokurorëve që ndodheshin në sallë, Ambasadori amerikan tha se sfidat me të cilat ata përballen janë të mëdha. “Ju do të përballeni ndërsa ndiqni shkelësit e mëdhenj të ligjit. Të gjithë e kuptojmë përgjegjshmërinë që nevojitet në raste të tilla. Megjithatë, prokurorët duhet të mbeten të pavarur dhe të lirë ndaj çdo ndikimi apo detyrimi politik. Ju keni për detyrë të ndiqni faktet kudo që ato mund t’ju çojnë. E di, nuk është e lehtë, jam i bindur për këtë, dhe shpesh kjo kërkon përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj punës suaj dhe kurajo të jashtëzakonshme”, u shpreh Ambasadori. Ai tha se lufta kundër korrupsionit është një sfidë e ndjekjes së parave, pasi që korrupsioni dhe krimi i organizuar të lulëzojnë, paratë duhet të ndërrojnë pronarë. tr.so

Ina Rama: Korrupsioni, trajnime dhe për gjyqtarët
Gjatë fjalës së saj në takimin e djeshëm, prokurorja e Përgjithshme Ina Rama tha se krimi është sofistikuar. “Veçanërisht ai ekonomik e korrupsioni, të cilët nuk i gjejmë më në format e tij klasike”, tha Ina Rama. Ajo tha se trajnime të ngjashme me prokurorët duhet të bëjnë edhe gjyqtarët që shqyrtojnë dosjet penale në fjalë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›