E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një jetë në rreshta si tel kitareje

Recension i biografisë së Skënder Spahivoglit për Kujtim Spahivoglin
Prof. dr. KLARA KODRA
Individualiteti njerëzor është i papërsëritshëm, prandaj një biografie i takon të kapë dhe të pasqyrojë tiparet dhe nuancat që e karakterizojnë këtë papërsëritshmëri. Po njëkohësisht individi është bir i një vendi, një kohe të caktuar, anëtar i një bashkësie të caktuar, prandaj biografisë i duhet ta vendosë në këtë sfond. Një biografie, duke qenë lloj shkencor dhe jo letrar, i kërkohet para së gjithash saktësia shkencore. Megjithatë mjaft biografi i marrin hua letërsisë disa nga mjetet e saj për t’i dhëne ngjyra portretit që krijojnë. Në këtë rast lindin llojet e ndërmjetme që janë biografitë e letrarizuara midis të cilave ndeshim kryevepra si biografitë e Cvajgut, të Irving Stout dhe ndonjë tjetri në lartësinë e tyre. Biografia e Skënder Spahivoglit “Jeta e njeriut si tingujt e kitarës”, që gjejmë kohët e fundit nëpër librari, nuk është tamam një biografi e letrarizuar, anon më tepër nga saktësia dhe objektiviteti. Megjithatë, s’mund të thuhet se autori e shkroi me gjakftohtësinë e një shkencëtari, ai e shkroi me gjakun e zemrës si vëllai që shkruan për vëllanë, e shkroi për ta ngjallur përsëri njeriun e dashur në letër, e shkroi për të përmbushur një detyrë të shenjtë morale dhe qytetare duke ndriçuar një figurë të lartë dhe poliedrike të teatrit shqiptar. Autori ka pasur në dorë një material të pasur biografik, që e ka organizuar duke i dhënë formë kujtimet e veta për të vëllanë, ditarin e Kujtimit, ndonjë krijim të tij, dëshmi nga shokët e tij. Kështu që libri ka vlera të veçanta njohëse, po këto nuk janë të vetmet vlera të tij. Autori, edhe pse jo shkrimtar, e ka kuptuar e ndjerë dhe ia transmeton edhe lexuesit me një patos të veçantë emocional tragjicitetin e jetës së të vëllait, të njërit prej talenteve të fuqishme të kryqëzuar nga diktatura për shkaqe ideologjike, që kjo e fundit e çoi në vdekje të parakohshme. S. Spahivogli ka ditur gjithashtu, me thjeshtësinë dhe çiltërsinë e një dëshmitari besnik dhe me dashurinë e vëllait, ta rindërtojë me aq sa ka mundur jetën e tij duke përvijuar në këtë sfond portretin e tij, një portret besnik dhe të besueshëm, jo idealizues jashtë mase, po që fokuson tiparet më të mira të njeriut dhe artistit protagonist: ndërgjegjen e lartë profesionale, synimin për të dhënë më të mirën, guximin, fisnikërinë e shpirtit. Në vepër ka episode domethënës që autori ka ditur t’i zgjedhë si episodi që gjejmë në kapitullin “Kafja që mbeti pa u pirë”, ku ndërthuren patosi ironik dhe patosi dramatik. Gjithashtu mund të gjejmë dialogë të zgjedhur me kujdes nga autori, që hedhin dritë mbi protagonistin dhe ata që e rrethojnë duke zbuluar imtësi të karakterit të tyre, po në mënyrë të veçantë që gjallërojnë figurën e protagonistit. Shekspiri thoshte që “vrullin” e kohës s’mund ta ndalë “askush” veç në “ngjaftë çudia” që njeriu “të ndrisë në mellanin e zi”. Natyrisht këto janë fjalët e një gjeniu që shprehin forcën e tij të madhe krijuese dhe vetëdijen e asaj force. Po çdo njeri që shkruan, edhe më i thjeshti, sfidon në mënyrën e vet vdekjen dhe kohën. Sigurisht, një synim të tillë, ndonëse në përmasa më të vogla, pati edhe autori i kësaj biografie. Dhe ia arriti, deri diku, t’ia shkëpuste nga krahët vdekjes së pamëshirshme të vëllanë për ta ringjallur në një sferë ideale dhe për t’i transmetuar lexuesit diçka nga magjia e figurës së tij.

19 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›