Ndalohen adoleshentët për vjedhjen e lokalit
ELBASAN - Policia e Elbasanit ndaloi të hënën në mëngjes një adoleshent, i cili është identifikuar si autor i grabitjes së një lokali, ndërsa bashkëpunëtori i tij është shpallur në kërkim. Burime zyrtare të policisë lokale thanë se “15-vjeçari E. S., lindur dhe banues në lagjen ‘Skënderbej’ të qytetit të Elbasanit, u ndalua pasi në bashkëpunim me bashkëmoshatarin e tij E. P., lindur dhe banues në lagjen ‘Brigada e 17 Sulmuese’, akuzohen të kenë vjedhur me thyerje lokalin e shtetasit Avni Seni”. Në lokalin që ndodhet në lagjen “Skënderbej”, vijuan burimet, dy adoleshentët kanë grabitur mallra ushqimorë dhe një sasi të konsiderueshme lekësh.
Hetim firmës, dëmtohet rruga ku u hodhën miliona lekë
VLORË – Ende pa u tharë asfalti nga firma ndërtuese, në rrugën ku janë shpenzuar miliona lekë, janë shfaqur gropat e mëdha, duke e bërë të pakalueshme aksin që lidh hyrjen e qytetit me qendrën deri te bashkia. Zyra Rajonale e Kontrollit të Lartë të Shtetit, me qendër në Vlorë, nisi procedurat për penalizimin e një firme, e cila nuk ka respektuar parametrat e projektit të rehabilitimit të një rruge në këtë qytet. Burime zyrtare të kësaj zyre bënë të ditur se inspektorët e saj kanë filluar procedurat e ekspertimit ndaj firmës “S…..”, me qendër në Fier, e cila zbatoi punimet për rikonstruksionin e segmentit rrugor, që nis nga godina e bashkisë deri në hyrje të qytetit. Sipas burimeve, një vit pas përfundimit të këtij projekti, rruga është dëmtuar në rreth 75 për qind të gjatësisë së saj, duke u kthyer në gjendjen e mëparshme. Për këtë arsye, KLSH-ja po realizon ekspertimin e punimeve në terren, ndërkohë që paralelisht po punon për plotësimin e dosjes përkatëse. Mësohet se për të respektuar procedurat ligjore, zyra e KLSH-së do t’u kërkojë drejtuesve të firmës “Spartak” që të kryejnë edhe një herë të gjithë volumin e punimeve, parashikuar në projektin fillestar. Në të kundërt, dosja do t’i përcillet prokurorisë për ndjekje penale. Rehabilitimi i këtij segmenti rrugor ishte një nga projektet e financuara nga Bashkia e Vlorës, gjatë vitit të kaluar, me një vlerë 11 milionë lekë. Punimet përfunduan në muajin shkurt të vitit 2007, por vetëm pak muaj pas kësaj nisën të shfaqeshin dëmtimet e para, pothuajse në të gjithë gjatësinë e bazamentit. Aktualisht, rruga është në një gjendje mjaft të dëmtuar dhe gropat e shumta e kanë vështirësuar kalimin e automjeteve përgjatë saj.
19 Shkurt 2008