E Diel, 1 Nëntor 2026

Kallkanoset Shqipëria, në Korçë rekord me –15 gradë celcius

E gjithë Shqipëria dje është zgjuar e kallkanosur nga ngricat. Shërbimet e Meteorologjisë bëjnë të ditur se temperaturat kanë zbritur deri në –15 gradë, ndërkohë që parashikohet gati e njëjta situatë edhe në dy ditët e ardhshme. Dita e diel dhe e hëna në mëngjes kanë shënuar rekordin e viteve të fundit. I ftohti më i madh është regjistruar në qarkun e Korçës. Akset rrugore që lidhin zonat rurale në disa rrethe të vendit janë bllokuar, ndërsa rrugët kombëtare kalohem me shumë vështirësi për shkak të shtresës së akullit. Policia e Shtetit kërkon nga drejtuesit e automjeteve që të përdorin zinxhirë në automjetet e tyre. Vetëm ditën e enjte paradite pritet një përmirësim i ndjeshëm i kushteve atomosferike.
Rekordi, –15 gradë celcius
Rekordin e temperaturave më të ulëta e ka shënuar dje qarku i Korçës, ku është regjistruar dita më e ftohtë e vitit, mbase edhe dita më e ftohtë e këtyre pesë viteve të fundit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se zona ku është regjistruar temperatura më e ulët është ajo e Sheqerasit, ku termometri ka shënuar –15 gradë celcius. Nën ngricat dhe të ftohtin e acartë është përfshirë e gjithë zona juglindore dhe veriore e vendit. Sipas Shërbimit Meteorologjik të Forcave të Armatosura Ajrore, temperatura të ulëta janë shënuar edhe në Peshkopi, –11 gradë celcius, si dhe në Kukës. Sipas tij, “masat ajrore që qarkullojnë në vendin tonë janë të ftohta dhe relativisht të thata. “Moti ishte i kthjellët dhe me prani vranësirash, të cilat u shtuan në pjesën e dytë të ditës në veri-verilindje, lindje-juglindje të vendit”.
Bllokohen rrugët rurale
Burimet në Shtabin e Emergjencës të ngritur pranë Prefekturës së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se të gjitha akset rrugore kanë qenë të mbuluara me një shtresë të trashë akulli dhe dëbore, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Drejtoria e Rrugëve në këtë qark ka marrë masa duke hedhur sasi kripe dhe skorje në rrugët kombëtare, për të cilat gjatë 24 orëve të fundit është raportuar se kanë qenë të hapura. Probleme ka patur në rrugën Korçë – Kolonjë. Qafa e Qarrit ka qenë më e vështira pasi era e fortë kishte krijuar vende-vende “duna” bore. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Rrugëve kanë lëshuar apelin që drejtuesit e mjeteve të përdorin zinxhirë gjatë qarkullimit. Sipas tyre, rruga Korçë-Voskopojë është hapur në mëngjesin e së hënës nga mjete dëborë-pastruese, ndërsa është hapur dhe hedhur kripë edhe në rrugën që të çon drejt Kolonjës. Burimet në Shtabin e Emergjencës pohojnë se trashësia e dëborës në fshatrat Dardhë, Vithkuq, Panarit dhe Shtyllas ka shkuar deri në 50 centimetra. Një pjesë e rrugëve rurale janë bërë të pakalueshme. Drejtuesit vendorë kanë lëshuar alarmin për ndihmë nga qeverisja në nivel qarku dhe ajo qendrore. Policia ka raportuar për disa aksidente, ku thuhet se dy persona kanë pësuar shembje në trup gjatë rrëshqitjes për shkak të akullit. Të lënduarit po trajtohen në Spitalin Rajonal të Korçës. “Dita e diel ka regjistuar temperaturat më të ulëta të vitit”, - thonë burimet vendore në Korçë. “Të gjitha akset kryesore të rrugëve janë të kalueshme, me përjashtim të aksit rrugor Bogë–Theth, i cili vazhdon të mbetet i bllokuar, mbasi në Qafë Thore ka rreth 30 centimetra dëborë të vjetër”, - thonë burimet zyrtare në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Shkodrës. Sipas tyre, “në akset rrugore të rrethit të Pukës kalimi bëhet me vështirëi, pasi vende – vende ka ngrica”. E njëjta situatë është edhe në akset që lidhin Dibrën me Kukësin dhe Matin me Mirditën.

TEMPERATURAT GJATË DITËS SË HËNË

Tiranë -5 dhe +5
Shkodër -4 dhe +6
Kukës -8 dhe -1
Durrës -3 dhe 4
Peshkopi -11 dhe -2
Kuçovë -7 dhe +5
Gjirokastër -6 dhe 1
Korçë -14 dhe -5
Lezhë -3 dhe +5
Elbasan -6 dhe 3
Sarandë -3 dhe 5
Vlorë -4 dhe +5

I ftohti, shkrumbohet kati i parë i vilës

SHKODËR – Ulja e menjëhershme e temperaturave dhe ngricat e shumta janë bërë shkas për shtimin e rasteve të djegjes së banesave. Një rast i tillë është regjistruar dje pasdite në qytetin e Shkodrës. Zjarri shkrumboi pjesërisht banesën e shtetasit Mëhill Doçi, ku ka dëmtuar njërën nga dhomat e banesës private, që ndodhet në lagjen “Tre Heronjtë” të qytetit të Shkodrës. Burime zyrtare pranë sektorit të zjarrfikësve të rrethit të Shkodrës thanë se pas marrjes së informacionit, mjetet e tyre kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Ndërhyrja në kohë e tyre ka bërë të mundur shuarjen e vatrave të zjarrit dhe eliminimin e dëmeve të shumta materiale. Nga të dhënat paraprake që ofrohen për këtë ngjarje thuhet se banesa private dykatëshe ka pësuar dëmtime në katin e parë, duke u djegur njëra nga dhomat e saj së bashku me pajisjet që kanë qenë brenda. Ndërkohë, për t’u theksuar është fakti se me ndihmën e zjarrfikësve është bërë e mundur që zjarri të lokalizohet duke mos lejuar përhapjen e tij në pjesën tjetër të shtëpisë, por edhe në banesat përreth. Dy ditë më parë, një fëmijë 3-vjeçar gjeti vdekjen gjatë rënies së një zjarri në ndërtesën ku u shkrumbuan katër apartamente, në fshatin Zhamë të Komunës Dushk, në Rrethin e Lushnjes. Policia nisi hetimet për shkaqet e rënies së zjarrit në banesat e shtetasve Behar Hekurani, Agim Kovaçi, Shefqet Hekurani, Petrit Mile dhe Reshat Vrapi, godinë që ekzistonte që nga koha e kooperativave bujqësore, por që ishte përshtatur për banim nga vetë ata".

19 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›