E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova e pavarur, Ministria e Kulturës “hundëvarur”

Bashkitë e mëdha bënë festë. Çuditërisht munguan aktivitetet e MTKRS-së. Pavarësia e Kosovës dhe organizimi i munguar kulturor në Shqipëri
Petrika GROSI
Me zhurmë, festë, valle e gëzim legjitim, çdo shqiptar, duke nisur që nga Prishtina, Shkupi, Tirana, Ulqini, Nju Jorku, Uashingtoni, Torontoja, Londra, Roma, Athina, apo dhe në kryeqytete e metropole të tjera botërore, kanë festuar 17 Shkurtin. Po kështu, festa ka ekzistuar edhe për qytetet brenda kufijve të Shqipërisë si Durrësi, Vlora, Korça, Shkodra, Gjirokastra etj. Pamë se në Prishtinë, për të gëzuar e për të festuar fitoren legjitime jo vetëm të shqiptarëve të Kosovës e të kudondodhur, por të mbarë rajonit, kishin shkuar shqiptarë nga i gjithë globi, artistë, gazetarë, njerëz të thjeshtë, shkrimtarë, grupe polifonike siç ishte ai i këngës labe, e shumë të tjerë... Por le të ndalemi në metropolin shqiptar. Ajo që të bën përshtypje është mungesa e angazhimit në jetën e Tiranës dhe të rretheve të tjera të institucionit numër një të menaxhimit dhe koordinimit të kulturës kombëtare, Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës. Kemi parë njerëz të thjeshtë, të veshur me rroba kuqezi, me flamuj dhe simbole kombëtare, të cilët kanë dalë shesheve duke kërcyer e kënduar nën euforinë e një dite të shënuar. Bashkitë e qyteteve, të mëdha si Tirana, Vlora, Durrësi, Korça, Gjirokastra etj., pra pushteti vendor, me ato pak fonde modeste në dispozicionin e vet kanë organizuar pavarësisht dimensioneve modeste mjaft aktivitete si parada, muzikë me banda frymore e orkestra, koncerte me këngë e valle popullore, ekspozita etj. Të dielën, mjaft lokale, bare, restorante e pube në kryeqytet kanë ofruar pije e bankete falas, ose me një çmim simbolik në emër të festës së madhe të kombit shqiptar, shpalljes së Pavarësisë së Kosovës pas një pritjeje njëshekullore. E gjitha kjo atmosferë nuk kishte si të mos na mbushte shpirtrat me ngazëllim. Duket ende e pabesueshme, por kësaj here është e vërtetë! Kosova e pavarur. Ndërkaq, në kujtesën tonë ka për të mbetur si njollë ogurzezë, e turpshme, fakti i MTKRS-së, e cila herë pas here, nën moton e pavarësisë së Kosovës, ka mbështetur aktivitete të ndryshme artistike e kulturore, madje janë shpallur dhe muaj të kulturës kombëtare “Shqipëri-Kosovë”, por dje, kur më tepër se kurrë nevojitej një atmosferë e zjarrtë dhe bum aktivitetesh, asnjë zhvillim nuk ka ndodhur. Ndoshta nëse do të mund t’i atribuohej në njëfarë mënyre MTKTS-së, e vetmja gjë e zhvilluar në këtë ditë do të ishte një koncert i zhvilluar nga QNK-ja “Arbnori” me këngë të grupeve që morën pjesë në festivalin e “Hip-Hopit Alternativ.” Gjithsesi, as kjo nuk mund t’i vishet MTKRS-së si meritë, pasi është organizuar me mbështetje dhe iniciativë të vetë qendrës “Arbnori” e, në fund të fundit, nuk ka qenë ndonjë aktivitet i prodhuar enkas për këtë ditë që meritonte aq shumë. Në rast se pjesëmarrja e politikanëve shqiptarë në Kosovë mund të linte vend për keqkuptime, nëse prononcimet e tyre tepër të vetëpërmbajtura do të linin vend për incidente diplomatike, një diçka e tillë nuk kishte për të ndodhur po të zhvilloheshin festa, aktivitete kulturore, historike e shkencore, simpoziume, ekspozita, shfaqje e koncerte nga MTKRS-ja. Në të kaluarën jo fort të largët, ish-ministri i Kulturës, deputeti i Vlorës, Bujar Leskaj, gjatë një deklarate të tij ka pohuar se ky vit, pra 2008-a, do të ishte viti i kulturës “Shqipëri-Kosovë”. Një neglizhencë e tillë nga MTKRS-ja, dashur padashur ngjan si një ndjenjë “antikombëtare”, e qëllimshme apo e paqëllimshme, kjo tashmë nuk ka aspak rëndësi. Në rastin më të mirë mund të interpretohej si një papërgjegjshmëri apo paaftësi administrative, institucionale e menaxhuese. Vetëm nëse ky prioritet i paraardhësit të ministrit aktual të MTKRS-sw, z. Ylli Pango dhe i qeverisë “Berisha” nuk është më i njëjti, atëherë po qe dhe për MTKRS-nw nuk mund të flasim. Si përfundim, besoj se askush nuk dëshiron që ta besojë se Pavarësia e Kosovës e ka bërë Ministrinë e Kulturës të qëndrojë hundëvarur.

19 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›