Mehmet Shehu: “Rusia, kampionia e paqes në botë”
Flet kryeministri i Shqipërisë komuniste për të ardhmen e vendit. Plani i reformave ekonomike dhe marrëdhëniet me fqinjët
(Vijon nga numri i kaluar)
Cilat do të jenë perspektivat e Shqipërisë në fushën ekonomike dhe kulturore, në zhvillimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje dhe vendet e tjera të Lindjes dhe Perëndimit gjatë vitit të ri 1957 si dhe për forcimin e mëtejshëm të pozitës ndërkombëtare të Republikës Popullore Shqiptare?
Viti 1957 hap perspektiva të reja në të gjitha fushat e aktivitetit ekonomik, kulturor, politik dhe shoqëror të vendit tonë. Plani i vitit 1957 cakton detyra për një zhvillim të mëtejshëm të ekonomisë dhe kulturës popullore në rrugën që ka caktuar Kongresi III i Partisë mbi planin e dytë pesëvjeçar. Volumi i përgjithshëm i prodhimit industrial parashikohet të rritet rreth 24 për qind më shumë kundrejt realizimit të vitit 1956. Në vitin 1957 do të prodhohet më shumë se në vitin 1956: naftë bruto 6 për qind, benzinë 219 për qind, bitum të pastruar 5 për qind, qymyrguri 10 për qind, mineral kromi 23 për qind, pjesë këmbimi 28 për qind, energji elektrike 14 për qind, lëndë druri e sharruar 17 për qind, tekstile të lashta 21 për qind, këpucë e opinga 9 për qind, mobilie dhe orendi 55 për qind etj. Në lëmin e zhvillimit industrial vëmendje e posaçme do t’i kushtohet përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së prodhimit, përvetësimit sa më shumë të asortimenteve të reja, uljes së mëtejshme të kostos. Rendimenti i punës në industri do të rritet 16 për qind. Në bujqësi sipërfaqja e mbjellë do të jetë 102 për qind në krahasim me vitin 1956 dhe rendimentet e kulturave bujqësore do të rriten në masë të konsiderueshme. Do të hapen mbi 18 mijë hektarë tokë të reja. Gjithashtu synojmë tejkalimin e planit të shtetit edhe në industri. Kjo do të arrihet me zbulimin dhe shfrytëzimin e rezervave të brendshme në drejtim të përdorimit të plotë të kapaciteteve prodhuese, të shfrytëzimit të plotë të makinerisë, të rritjes së rendimentit të punës dhe të uljes së kostos, të përmirësimit të cilësisë. Plani i vitit 1957 është një program pune paqësore i popullit shqiptar.
Qeveria jonë do të vazhdojë politikën e saj të miqësisë së pathyeshme me Bashkimin Sovjetik, Kinën popullore dhe vendet e demokracisë popullore. Do të mbrojë me vendosmëri, si gjer sot, unitetin e kampit të socializmit rreth udhëheqësit besnik të këtij kampi, Bashkimit Sovjetik. Qeveria jonë do të bëjë të gjitha përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë, Italinë dhe Greqinë, në bazë të parimeve që caktoi Kongresi III i Partisë sonë. Republika jonë Popullore do të vazhdojë të bëjë të gjitha përpjekjet për mbrojtjen e paqes në botë, për zbatimin e politikës së bashkekzistencës paqësore me të gjitha shtetet, pavarësisht nga ndryshimet në sistemin shoqëror dhe shtetëror. Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë ka shprehur vazhdimisht politikën e saj paqësore që të rrojë në marrëdhënie sa më të mira me të gjitha shtetet, mbi bazën e barazisë e të mosndërhyrjes në punët e brendshme, të respektit të pavarësisë të sovranitetit e të integritetit tokësor. Ne kemi bindjen se viti 1957 do të jetë viti i sukseseve të mëtejshme të vendit tonë në ndërtimin e socializmit, i sukseseve të mëtejshme të vendit tonë në ndërtimin e socializmit, që udhëhiqet besnikërisht nga Bashkimi Sovjetik. Ne shpresojmë se viti 1957 do të jetë viti i uljes së tensionit ndërkombëtar me Bashkimin Sovjetik do vazhdojmë rrugën e vëllazërimit dhe të bashkëpunimit të mëtejshëm. Populli shqiptar do të kujtojë sa të jetë jeta me mirënjohje dhe dashuri të thellë sakrificat e pashembullta të ushtrisë heroike sovjetike, e cila duke dërrmuar hordhitë hitleriane çliroi dhe vendin tonë nga okupatorët e huaj, krijoi mundësitë objektive që populli ynë të kryente revolucionin popullor, të vendoste pushtetin e partisë popullore. Populli shqiptar është plotësisht i ndërgjegjshëm se miqësia e tij me Bashkimin Sovjetik është guri themeltar i të gjitha fitoreve që ai ka korrur gjer sot, si dhe i fitoreve që do të arrijë në të ardhmen. Te Bashkimi Sovjetik populli ynë, Partia dhe qeveria e tij, shohin kështjellën e pathyeshme të socializmit dhe të komunizmit, çlirimtarin dhe mbrojtësin besnik të interesave të popullit shqiptar, që e ndihmon atë bujarisht e në mënyrë të gjithanshme për të ndërtuar jetën e re, socializmin. Në Bashkimin Sovjetik ata shohin kampionin e paqes në botë, udhëheqësin e lavdishëm të kampit të fuqishëm të socializmit. Qeveria jonë, me këtë rast u uron me gjithë zemër Vitin e Ri me suksese të vazhdueshme klasës sonë punëtore, fshatarësisë punonjëse dhe inteligjencës popullore, të gjithë popullit punonjës, për lulëzimin e mëtejshëm të Atdheut tonë të dashur dhe premton se do të vërë të gjitha forcat që, duke ndjekur me besnikëri rrugën e përcaktuar nga Partia jonë, të zbatojë detyrat e mëdha që i ka ngarkuar populli.
Shkrimi është marrë nga gazeta “Bashkimi” më datë 1 Janar 1957
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi
19 Shkurt 2008