E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mehmet Shehu: “Shqipëria nuk është satelit i Rusisë”

Kryeministri komunist në intervistën e parë për amerikanët. Raportet me Moskën dhe debatet e ashpra me gazetarin Salisbury
Harrison E. Salisbury

Vijon nga numri i kaluar

Zoti Mehmet Shehu foli me krenari të madhe për zhvillimin industrial të Shqipërisë dhe tha se rreth gjysma e tokës bujqësore tashmë ishte kthyer në kooperativa dhe ferma shtetërore. Ai pranoi se ushqimi ishte problemi primar i Shqipërisë dhe se përpara vitit 1960 vendi nuk do të jetë në gjendje të garantojë prodhimet ushqimore. Ai bëri lëvdata në mënyrë të tepruar për ndihmën ruse, e cila ka nisur që prej vitit 1948. Në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve me Jugosllavinë, ai ishte i përmbajtur, por këmbënguli se Shqipëria dëshiron marrëdhënie më të mira brenda familjes së shteteve socialiste, "pa pasur nevojë për arbitra të jashtëm”. Në mënyrë të ripërsëritur ai hodhi poshtë akuzat se Shqipëria ishte një “shtet policor” dhe se dhuna është e ligjshme, ose për çdo nevojë në zbutjen ose rishqyrtimin e sistemit policor dhe ligjor, ashtu siç kishte ndodhur një gjë e tillë pas vdekjes së Stalinit në Bashkimin Sovjetik.
Kryeministri tha se nuk është e domosdoshme për rishqyrtimin e rasteve të çdo personi të dënuar në Shqipëri apo për rehabilitimin e tyre, qoftë edhe pas vdekjes së tyre, sipas rasteve të ndryshme. Ai tha se Shqipëria pranon me mirënjohje “ndihmën vëllazërore dhe të painteres” që ka dhënë Bashkimi Sovjetik, por nuk do ta pranojë kurrë një ndihmë të tillë si ajo e SHBA-së, qëllimet e së cilës janë vetëm të nënshtrojnë vendin dhe popullin.
Shqipëria, jo vend satelit
“Marrëdhëniet tona me Bashkimin Sovjetik nuk janë marrëdhënie që ne jemi në pozicion satelit, por janë të barabarta dhe vëllazërore”, - tha ai. “Në qoftë se ju, zoti Salisbury, keni ardhur këtu në Shqipëri që të gjeni vende satelite, ju keni trokitur në derë të gabuar”. Ai deklaroi se ndërsa njerëzit këtu janë duke u njohur me shkrimtarë të tillë amerikanë si Mark Tueni, Teodor Drajzer, Wollt Uitman apo Xhek London, asnjë nga shkrimtarët shqiptarë nuk është përkthyer deri tani në Shtetet e Bashkuara.
Për çështje të tilla si roli i Moskës në operacionet ushtarake shqiptare, ai i etiketoi si “provokime të qarta”. Ai shtoi se “unë mendoj se ju duhet theksoni përmes kësaj vizite në vendin tonë se Shqipërua as ka qenë dhe as do të jetë pjesë e kontingjentit rus”.
Standardet ekonomike të vendit
Zoti Shehu pranoi se për standardet e jetesës duhet bërë akoma më shumë, pasi vendi është shumë më i prapambetur sesa Çekosllovakia, megjithëse gjendja është më mirë nëse krahasohet situata me të kaluarën. Sipas të dhënave të lindshmërisë në standardet e jetesës, ai theksoi se ka një rritje të lindjeve të popullsisë nga 16 për 1000 në vitin 1938 në 29.9 për 1000 në vitin e kaluar. Zoti Mehmet Shehu është përgjigjur sikur të mos kishte asnjë konflikt midis popullit shqiptar dhe qeverisë së tyre; dhe se praktikisht, ndonëse teoritë e Mao Ce Dunit, udhëheqësit komunist kinez, kanë kontradikta midis drejtuesve dhe të drejtuarve, ato janë duke u aplikuar në Shqipëri.
Ai tha se kur një udhëheqës ndërmerr një hap dhe dështon dhe në përpjekjen e duhur për ta korrektuar del se përfundimisht është bërë i “pakorrigjueshëm”, masat duhet të ndërmerren kundër atij që të bëhet i “parrezikshëm për popullin”. “Të tilla raste ka pasur në vendin tonë”, - tha ai. Por zoti Shehu këmbënguli se nuk ka një opozitë të organizuar, por vetëm kundërshtarë, të cilët janë të paktë; të pafuqishëm ekonomikisht dhe të diskretituar politikisht, mbeturina nga klasat e vjetra shfrytëzuese”.
Zoti Shehu foli me krenari për zhdukjen e analfabetizmit te shqiptarët që janë nën moshën 40 vjeç. Ai tha se është një qëllim që të punohet edhe me të moshuarit për këtë çështje. “Malaria, e përhapur dikur gjerësisht, tashmë është harruar, ndërsa sifilizi është zhdukur”, - tha ai duke shtuar se një ndër qëllimet kryesore është edhe të reduktojnë përhapjen e sëmundjes së tuberkulozit.
Shehu: “Nuk ka nevojë për ndryshim”
I pyetur rreth liberalizimit të pushtetit të brendshëm dhe praktikave policore, ai tha: “Unë nuk do të diskutoj sërish rolin e policisë dhe të shërbimit sekret. Institucionet shtetërore janë të respektuara në radhët e popullit tonë. Zoti Salisbury! Shqipëria është një shtet demokratik ku populli është zot. Ne kemi një Kushtetutë demokratike dhe ajo nuk është mbyllur në një gotë prej qelqi”.
Ai tha se Shqipëria është gati të pranojë turistë amerikanë nëse i lejon qeveria për të ardhur këtu. Ai pohoi se Uashingtoni “vendosi vështirësi në lëvizjen e shtetasve shqiptarë që jetojnë në SHBA dhe dëshiroj që të vizitojnë vendin e prindërve të tyre”. (Pasaportat amerikane janë të pavlefshme për të udhëtuar drejt Shqipërisë).
Gjithashtu, zoti Shehu shprehu pakënaqësinë që Shtetet e Bashkuara izoluan delegacionin Shqiptar në Kombet e Bashkuara, në një pjesë të qytetit të Nju Jorkut dhe nuk i lejuan që të lëvizin lirisht.
Pavarësisht nga kjo kritikë e politikës së Shteteve të Bashkuara, zoti Shehu nuk mbajti sekret faktin se ai do të dëshironte të jetonte në paqe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fakt ai mendoi se këtu ka ndonjë alternativë reale për këtë. “Ne nuk mund të shkojmë në Hënë”, - tha ai, duke bërë një ngërdheshje të sforcuar. “Dhe ju nuk mund të shkoni në Mars. Ne duhet të jetojmë së bashku. Ka vetëm një Tokë. “Nëse ne nuk jetojmë bashkërisht, ne do të vdesim së bashku”.

Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 28 gusht 1957
Titulli është redaksional
Përgatiti: Albert Gjoka

Në numrin e së mërkurës do të lexoni:

“The New York Times”: “Mehmet Shehu, udhëheqësi i guximshëm shqiptar”

Gazeta amerikane publikon më 29 gusht një profil të kryeministrit të shtetit komunist pas intervistës së Harrison Salisbury-t

Karriera e Mehmetit dhe raportet me Enver Hoxhën që nga viti 19945 dhe deri kur mori drejtimin e qeverisë në vitin 1955

Marrëdhëniet me luftën, njohja dhe martesa me Fiqeret Sanxhaktarin, një ish-mësuese, me të cilën bashkëpunoi që në vitin 1941

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

19 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›