E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faktorët e aksidenteve, që na sollën bilanc lufte

Siguria Rrugore

Flasin ekspertët Berti Koxhaj e Mitat Tola: Si mund të zgjidhet
Aksidentet rrugore janë kthyer në një makth, jo vetëm për policinë, e cila vazhdon punën për parandalimin e tyre, por për të gjithë qytetarët. Shifrat alarmante janë ekspozuar çdo ditë, ku numërohen të vdekur e të plagosur nga këto ngjarje tragjike. Por deri tani, duket se ende nuk është gjetur një strategji për t’i parandaluar këto shifra që rriten nga dita në ditë. Ekspertë të sigurisë rrugore shpjegojnë disa nga faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e aksidenteve rrugore. Ish-drejtori i Policisë Rrugore, tashmë kreu i qendrës së studimeve të sigurisë rrugore, Berti Koxhaj, dhe eksperti tjetër i kësaj qendre, Mitat Tola, kanë shpjeguar disa nga këta faktorë që po ndikojnë në rritjen alarmante të aksidenteve, duke u shprehur se veç tyre ndikojnë edhe një sërë faktorësh të tjerë.
Pse ekziston një rritje e tillë e aksidenteve në vendin tonë?
Shtimi i aksidenteve në vendin tonë, sidomos gjatë vitit 2009, ku kanë sjellë një numër të lartë të viktimave dhe të të plagosurve rëndë, vjen nga një sërë faktorësh. Ndër arsyet kryesore do të rendisja që nga shtimi i shpejtë i popullsisë në raport me atë të vendeve me të ardhura të larta, migrimin prej 19 vjetësh të popullsisë nga zonat rurale në ato urbane, çka e bën këtë shtresë të shoqërisë më të varur dhe më të rrezikuar nga transporti i motorizuar. Automatikisht, e lidhur me arsyen e lartpërmendur vjen edhe shtimi deri në 15 herë ose me rreth 390 mijë mjete i parkut të automjeteve me targa regjistrimi vendi, në krahasim me numrin prej rreth 20 mijë automjetesh deri në vitin 1990. Pra, shtimi i automjeteve në rrugët tona me shifra kaq të mëdha, detyrimisht ka sjellë edhe një situatë më të ekspozuar përballë aksidenteve. Gjithashtu, duhet përmendur se arsye të tjera, po kaq të rëndësishme, janë edhe ndërtimi i rrugëve të reja e rikonstruksioni i atyre ekzistuese për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit, i pashoqëruar me elementët e sigurisë pasive dhe aktive, si dhe shtimi në progresion gjeometrik me numrin e mjeteve në qarkullim i shtetasve që aftësohen për drejtimin e automjeteve nëpër këto rrugë, ku numërohen më se 780 mijë shtetas të pajisur me leje drejtimi automjeti, i realizuar në mjaft raste me amatorizëm të theksuar dhe lënia e këtij aktiviteti mjaft të rëndësishëm në dorë të strukturave të paspecializuara dhe të mbërthyera nga një korrupsion evident e i vazhdueshëm. Po t’i shtosh kësaj situate edhe përgatitjen e kontingjenteve të drejtuesve të rinj të mjeteve dhe mungesën e madhe të përvojës së kësaj kategorie në drejtimin e mjeteve, që rrjedh nga mungesa e familjarizimit me mjetin e rrugën, pasi siç dihet deri në vitin 1990 drejtimi i mjetit ka qenë profesion, me mungesën e theksuar në elementët e sigurisë rrugore në rrugët tona si dhe të elementëve të edukatës rrugore, situata bëhet më tragjike. Këto ndryshime të shpejta fatkeqësisht nuk mund të ecin gjithnjë paralelisht me shtimin e masave të sigurisë rrugore e të sigurisë së jetës së shtetasve, për të cilat përgjegjës kryesor është shteti me strukturat e agjencitë përkatëse të zbatimit dhe të kontrollit të ligjit.
A mund të zgjidhet kjo situatë?
Fluksi në rritje i aksidentalitetit rrugor nuk mund të zgjidhet menjëherë, as me deklarata apo urdhra mediatikë të strukturave përgjegjëse, që për fat të keq edhe mediatikisht janë gjithnjë e më pak prezentë kohët e fundit. Kjo situatë kërkon ndërgjegjësim e përgjegjshmëri të këtyre strukturave për gjetje e akordim instrumentesh mbështetës, me aksione energjike dhe strategji të përbashkëta afatmesme dhe afatgjata të të gjithë “aktorëve” të sigurisë rrugore. Shkaqet e aksidenteve janë mjaft komplekse, ndërsa analiza e tyre evidenton problematikën që lidhet me disa faktorë që do t’i cilësonim kritikë e që ndikojnë direkt në sigurinë rrugore.
Mund të na thoni ndonjë nga këta faktorë?
Një prej tyre është administrimi i të dhënave mbi aksidentet rrugore dhe kryerja e analizës për shkaqet e ndodhjes në nivel vendor, të dikastereve përgjegjëse deri në Komitetin Ndërministror të Sigurisë Rrugore. Nuk mund të justifikohet me asnjë lloj arsyeje mungesa e analizës dhe prezantimit nga strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Transportit dhe Ministrisë së Brendshme, pranë Komitetit Ndërministror të Sigurisë Rrugore, të problematikës alarmante në shtimin e numrit të aksidenteve, të viktimave dhe të plagosurve e gjymtuarve jashtë çdo parashikimi. Ne na lind pyetja se si është e mundur që nuk mblidhet ky komitet prej 5 vjetësh?! Si është e mundur që Kryeministri i vendit nuk planifikon një ditë nga axhenda e tij për të mbledhur qoftë dhe për efekt mediatik, pasi shumë veprime bëhen vetëm për efekt mediatik, këtë strukturë të rëndësishme që me rregullore duhet të mblidhet çdo 3-mujor. çfarë duhet të ndodhë më shumë se mbi 400 të vdekur në vit për të vënë alarmin për bilancin tragjik të jetës njerëzore të humbur nga krimi i rrugës?! Të mos harrojmë se viktimat e vetme në ditët e katastrofës së Shkodrës ishin një grua dhe një fëmijë fatkeq, që humbën jetën, jo nga përmbytjet, por në aksidente rrugore. Ne vazhdojmë të jemi i vetmi vend i Europës, ku nuk mund të gjesh asnjë të dhënë për termat dhe numrin e aksidenteve rrugore në buletinet e enteve publike ose të organeve policore. Faqet zyrtare të internetit janë të zbrazura dhe asnjë koment, numër aksidentesh apo analizë nuk gjendet. Ky hermetizëm në lidhje me administrimin e aksidenteve rrugore ka lidhje me një kulturë të fshehjes së këtyre ngjarjeve, duke harruar se çdo ditë, të gjithë jemi nën një presion të madh të raportimit nga ana e medias elektronike vizive dhe asaj të shkruar. Dhe të mos harrojmë që kjo situatë bëhet absurde po të kemi parasysh që investimi në krijimin e database-it për administrimin, analizën e raportimin e të dhënave të aksidenteve rrugore krijon mundësi të shkëlqyera për të informuar në çdo kohë, jo vetëm strukturat qeveritare, por edhe mediat e publikun për situatën reale të sigurisë në rrugët tona.
Si ndikon rritja e transportit rrugor dhe ajo e motorizimit?
Një tjetër faktor i rëndësishëm për aksidentet rrugore është edhe rritja e vrullshme e vëllimit të transportit rrugor dhe motorizimi mjaft i shpejtë i vendit; kontroll i pakët dhe jo serioz i ngarkesave dhe transporteve të lëndëve të rrezikshme dhe mjeteve të tonazhit të rëndë. Në 19 vjet ndryshime e reforma demokratike të ekonomisë së tregut të lirë, vendi ynë është përballur me një rritje “agresive” të kapacitetit të transportit rrugor. është fakt rritja 15 herë më e lartë se në 1990 e parkut të mjeteve. Numrit prej rreth 300 mijë automjetesh në qarkullim me targa regjistrimi vendase (nga rreth 390 mijë të regjistruara, diferenca është pjesa e dalë nga qarkullimi për shkak të amortizimit), po t’i shtosh rreth 70-100 mijë automjete që qarkullojnë transit, përbën një shtim të konsiderueshëm, por gjithsesi shumë më të ulët në raport me vendet e tjera të BE-së apo rajonit, krahasuar me numrin e popullsisë. Reagimi i strukturave të kontrollit të zbatimit të ligjit, përkatësisht policisë rrugore, ushtrohet rëndom në mënyrë të panevojshme, kryesisht ndaj drejtuesve të veturave. Të gjithë, në cilësinë e drejtuesit të mjetit, besojmë se kanë vënë re që kontrollet vend e pa vend në formë rutinë të strukturave policore në rrugë për verifikim dokumentacioni, verifikim gjobash të pa arkëtuara etj., pa objekt specifik apo konstatim kundërvajtje, arrijnë deri në bezdisje, aq sa shpesh qëllon që për të mbërritur në destinacion nga Tirana në Vlorë e gjetiu, të ndalesh edhe 5-10 herë. Në një kohë që nuk tregohet e njëjta vëmendje ndaj mjeteve që transportojnë ngarkesa të rrezikshme apo ngarkesa mbi normë, kundërvajtjet e të cilave mund të shkaktojnë ngjarje me përmasa krejtësisht të paparashikuara. Vlen të nënvizohet fakti se akoma pas dhjetë vjetësh nga hyrja në fuqi e Kodit Rrugor vazhdon të mungojë një akt nënligjor për të bërë efektiv kontrollin e shpejtësisë së mjeteve të tonazhit të rëndë gjatë qarkullimit të tyre nëpërmjet aparateve të montuara në to, të quajtur “Tahografe”, kur në vendet e BE-së po shkohet në evidentimin e mbikëqyrjen e tyre nëpërmjet kontrollit satelitor. Akoma, edhe pse ekzistojnë instrumentet matës, nuk procedohet me verifikimin e ngarkesave mbi normë për mjetet e rënda. është e domosdoshme që strukturat përgjegjëse të përpilojnë aktet përkatëse për implementimin e këtyre standardeve, tani që jemi në kohë dhe jo të kujtohemi siç ndodh rëndomë, vetëm pasi të ndodhin ngjarje me pasoja të rënda.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›