E Diel, 1 Nëntor 2026

Një konferencë për arkeologjinë e luginës së Drinos

Takimi Specialistë italianë e shqiptarë propozojnë idetë dhe platformat

Pasuritë arkeologjike dhe strategjitë për t’i bërë të njohura kanë qenë në qendër të një konference ndërkombëtare, organizuar në ambientet e universitetit "Eqrem çabej" të Gjirokastrës, nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, në kuadrin e Stinës së Madhe të Eventeve, "Italia dhe Shqipëria 2010-Dy Popuj, një det, një miqësi". Konferenca e titulluar, “Pasuritë arkeologjike në luginën e Drinos dhe skenarët e zhvillimit nën dritën e projektit ‘Arkadrin’ të Kampusit të Vullnetarëve për Mbrojtjen Civile dhe Veprimtaritë Arkeologjike”, bashkoi specialistë italianë e shqiptarë, të cilët propozuan idetë dhe platformat e tyre për sa u përket pasurive të këtij rajoni. Arkeologu italian që punon prej 4 vjetësh në këtë rajon, profesor Roberto Perna, nga Universiteti Macerates, mbajti kumtesën “Projekti Archadrin dhe gërmimet arkeologjike në Hadrianopol”, ndërkohë që përfaqësues të Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore pranë MTKR, Institutit të Monumenteve të Kulturës e Institutit të Arkeologjisë, paraqitën në konferencë idetë, vizionet dhe prioritetet e qeverisë shqiptare për ruajtjen dhe menaxhimin e pasurive arkeologjike në këtë zonë. Drejtori i DRMK-së në Gjirokastër, Spartak Drasa, në kumtesën e tij u ndal në hapat e para të implementimit të projektit “Arkadrin” dhe për bashkëpunimin e ekspertëve italianë dhe shqiptarë, ndërsa nga drejtuesit dhe ekspertët e Parkut Arkeologjik të Antigonesë, u prezantuan hapat e hedhur drejt menaxhimit bashkëkohor të vlerave të trashëgimisë antike që ofron ky sit. Në përfundim, konsulli italian në Vlorë, Sergio Strozzi, bëri dorëzimin e diplomave të Seminarit për Vullnetarizmin dhe operatorët për shpëtimin e Pasurisë Kulturore në Emergjencë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›