E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan: “Bëni ligj për luftën kundër diskriminimit”

Autori i Lajmit: Redaksia
Problemet në zbatimin e të drejtave të njeriut janë kthyer në shqetësim serioz për shoqërinë civile, por dhe për ndërkombëtarët. Kjo ka qenë në qendër të një takimi të organizuar dje ku ishte i pranishëm dhe kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan. Duke iu referuar progres-raportit të BE për Shqipërinë, ai theksoi se pa respektimin e kritereve politike ku përfshihet dhe lufta ndaj diskriminimit nuk mund të ketë integrim të vendit në BE. “Për sa i takon Shqipërisë dhe aplikimit që ajo po kryen për tu anëtarësuar në BE, Komisioni Evropian po përgatit një opinion mbi aplikimin ku do ti kushtohet një vëmendje e veçantë të drejtave të njeriut. Kriteret politike, të drejtat e njeriut, si pjesë e këtyre kritereve janë thellësisht të rëndësishme për vendimin që do të merret për statusin e kandidatit nga KE në muajt e ardhshëm ndaj këto duhen marrë parasysh nga qeveria”, - u shpreh Lohan. Ai ka shtuar se është e nevojshme që Kuvendi të hartojë dhe një ligj për të evituar diskriminimin e shtresave të ndryshme të shoqërisë siç janë romët apo minoritetet. Lohan pohoi se këto grupe personash dhunohen nga policia dhe nuk u jepet mjekim në spitale.
Zëvendësministrja e Jashtme, Edit Harxhi, në emër të qeverisë pranoi disa nga problemet e shkeljes së të drejtave të njeriut siç janë gratë e fëmijët apo komuniteti rom për të cilin progres-raporti paraqiti kritika të veçanta për Shqipërinë. Debati i dytë mbi të drejtat e njeriut u zhvillua në kuadër të 61-vjetorit të aprovimit të deklaratës universale të të drejtave të njeriut të OKB. Debati u organizua me iniciativën e Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri me mbështetjen e ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë.

Ky lajm është publikuar: 12/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›