E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një krim pa ndëshkim

Një goditje në zemër të shtetit ishte vrasja e katër policëve në Durrës para një vit nga vrasësi i pashpirt Dritan Dajti. Opinioni publik para një viti reagoi çuditshëm përpara kësaj tragjedie të panatyrshme, sepse ishte e padëgjuar ndonjëherë. Ndonëse besimi i shumanshëm ndaj Shtetit përballë elementit kriminal, edhe pse ky i fundit ishte një hap përpara forcave të rendit – nuk u lëkund asnjëherë. Përkundrazi vrasja e komandantit të skuadrës, Fatos Xhani dhe e tre kryeinspektorëve Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Saimir Duçkollari mbetet në mendje si një nga të paktat raste të kronikës sterrë ku u projektua drejtpërdrejt beteja mes të Mirës dhe të Keqes. Mund të duket si një tregim “dark” me Engjëj dhe demonë në versionin shqipfolës, por në të vërtetë ishte një betejë që u fitua me hidhërim. Sepse sot pas një viti, nënat e atyre 4 dëshmorëve të kombit janë të veshura me të zeza, fëmijët pa baba; kurse familja Dajti, pa djalin e tyre dhe ende pa ka kërkuar falje publike, pasi ajo akuzon policinë se i prishi të ardhmen kriminale Dritanit.
Afërmendsh sot secili prej nesh, në heshtje e pa dallim kërkon drejtësi. Assesi dhimbja mbetet, por kurajoja për të ecur në rrugën e sakrificës dhe vendosjes së ligjit është detyrimi i atyre që guxojnë për të Mirën. është guximi i atyre heronjve me uniformë blu - që vdiqën padrejtësisht - si shembull frymëzues për radhët e policisë për të mbrojtur të pambrojturit. Ata, ishin dhe janë engjëj mbrojtës në çdo ditë me diell a çdo natë me shi, sikurse në verë e në pranverë, pa bërë asnjë fjalë. Sot, ne, i nderojmë këto engjëj me uniformë blu.
Për fat të keq në vend të ngushëllimeve, edhe ka pasur individë që kanë spekuluar në medie, pas tragjedisë, sikur të ishim akoma në xhungël se policia e planifikoi keq, ose më mirë shumë keq, një operacion për kapjen e një të shumëkërkuari, të konsideruar shumë- shumë të rrezikshëm (që rezultoi i tillë). Por e vërteta është ndryshe, përtej kësaj apologjie infantile të “krimit”. E mbi të gjitha është e padurueshme për një qytetar normal të një shteti që kërkon të respektohet në çdo qelizë, një karshillëk i tillë mediatik dhe mitizim i agjentëve të së keqes.
Profili psikologjik i Dritan Dajtit ka demonstruar se ai është një kriminel ndryshe: i pashpresë por me sutak të gjallë, brenda asaj kafke gurgullon një materie e zezë, që i ndriçojnë sy të lëngëzuar e të shndritshëm sikur të vinin nga tmerri i ferrit, ku adrenalina dhe instinktet ia kanë vënë përfund qëndrueshmërinë morale.
Policia u gjend në befasi ndaj ambasadorit të luciferit, me një emër të frikshëm, të cilës, me sa duket, policët i kishin prishur folenë e rehatshme, ku ai thurte ëndrrat e tij ogurzeza. E vetiu, të gjendur në kurth si shtazët e stepës Dritan Dajti dhe miqtë e tij preferuan të qëllonin mbi ata që shikonin. Perimetri i tyre ishte i mbushur me uniforma blu, me pranga në duar. Frika, zelli vrastar luan sinapset e së keqes. Tabela e qitjes së armëve automatike ka pasur fytyrë polici, ashtu siç ndodhi më 23 mars të viti të kaluar në Kukës, ku u vranë dy policë “për motive të dobëta” kriminale.
Sidoqoftë ngjarja e para një viti të vrasjes së njerëzve të shtetit nga krimi, në vende të infektuara nga krimi mafioz, për shembull si Italia, kanë shërbyer në momente të caktuara për të motivuar shtetin për të kryer operacione të fuqishme që kanë shënuar epoka në konsolidimin e autoritetit të shtetit. Kam parasysh vrasjen nga ana e mafies e prokurorë anti-mafia Falkone dhe pas një muaji të kolegut të tij Borselino që shënuan momentin kyç të ndarjes përfundimtare të botës së krimit me segmente të shtetit në Jug të Italisë. Sot e kësaj dite Italia zbaton operacione të njëpasnjëshme për pastrimin e territorit nga elementë kriminalë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›