Një vendim për rininë
Mbi të gjitha Kryeministri Berisha nuk heq Drejtorë me vendim qeverie ashtu siç u shkrua në mënyrë provokatore në një ballinë gazete, me nënkuptimin se po “higjienizohen” vendet e zëna nga pensionistë ad-limitum. Ky vendim është i lidhur me daljen në pension të punonjësve të administratës publike (jo vetëm drejtorë, por edhe akademikë e profesorë) që kanë mbushur moshën (e parashikuar me ligj për daljen në pension) dhe është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, për heqjen e përjashtimeve dhe favorizimeve subjektive, që bëheshin deri tani, për drejtues të caktuar të administratës, të cilët edhe pse kishin kaluar moshën e parashikuar ligjërisht, vijonin të qëndronin në postet e tyre, bile duke marrë pagë të plotë. Ndodhte ajo që quhet trafiku i sistemit të karrierës, çka në administratë - siç duket - ishte bërë shqetësuese, pasi favorizimet ndalonin ndërrimin e brezave në drejtimin e institucioneve. Zhbllokimi i liderëve të rinj, në çdo fushë favorizon thithjen e ideve dinamike është vlerë për administratën publike.
Kësisoj vendimi i qeverisë Berisha mund të interpretohet si një vendim kapital, por jo ende i mjaftueshëm për të ardhmen e rinisë në tregun e punës, duke zhvilluar sistemin e meritokracisë. Sigurisht, për ata që mbushin moshën e pensionit dhe kanë një kualifikim të lartë, sipas profilizimeve, do të ketë mënyra dhe rrugë të tjera për të vijuar kontributin e tyre. Sido që jetë, një gjë është tejet e qartë: Shqipëria sot ka një popullatë të re. Në të sotmen dhe të nesërmen, të rinjtë dominojnë me rreth 70% të popullsisë së vendit. Jeta publike pa pjesëmarrjen tyre - siç kuptohet - është e mangët, dhe pse jo, e rrezikshme për integritetin shoqëror.
Qeveria ndërhyri me takt sepse një sistem social që nuk mund të zhvillohet, është e paracaktuar të hynë në koma, nëse penalizon rininë me kufizime ligjore. Një gur i vockël që bllokonte ecjen me hapa të shpejtë për të rifituar kohën e humbur në diktaturë.
Dhe ky vendim ndofta hapi një kapitull të ri për përjashtimin e vjetërsisë mendore në sistemin publik të vendit dhe hapi një front tjetër vlerash në konfliktin e brezave në Shqipëri. Gjithsesi, ky vendim është vetëm një nga kurat e domosdoshme për shqetësimin ngritur në media, por edhe në biseda të përditshme, për krizën që po përjeton një pjesë e mirë e rinisë shqiptare. Kjo krizë manifestohet në kohëzgjatjet e kafeve, ku shpesh rrotullohen paketa cigaresh e lëvizen celularë, apo në biseda të stërzgjatura.
Tregu i punës, si gjithmonë i acaron konfliktet e gjeneratave, por fakti se të rinjtë gradualisht duan identitetin e tyre, duke u pavarësuar intelektualisht dhe financiarisht, sjell tensionimin e anës tjetër, aty ku qëndron jo meritokracia, por egoizmi i mbajtjes së vendit të punës, edhe pas moshës së pensionit, diçka që formalisht paraqitet si e patolerueshme. E ardhmja e çdo shoqërie, e orientuar nga zhvillimi dhe progresi, si dhe shkalla e dobisë së saj, përveç elementëve të tjerë, përcaktohet nga përfshirja në mënyrë reale e kontributit të të rinjve në ndërtimin e marrëdhënies së saj me kohën. Por në qoftë se ne nuk përkrahim vendime të tilla parimore, rreziku që në të ardhmen të kemi një konflikt brezash, mbetet i madh.