E Shtunë, 31 Tetor 2026

Belaja e Prodit dhe qari i Berishës

U rrëzua edhe qeveria Prodi. Shkëputja e "Udeur" i Clemente Mastella nga koalicioni i majtë qeverisës bëri që të prishen raportet e brishta të numrave në Parlament. Profesori pranoi sfidën e votëbesimit por në Senat, aventura e kabinetit Prodi mbyllet ne mes të mandatit. Me 161 vota kundër, përkundrejt 156 në favor të maxhorancës, dosja e dorëheqjes shkoi në zyrat e Quirinales, ku i takon presidentit Napoletano të vendosë nëse vendi do të shkojë menjëherë drejt zgjedhjeve të parakohshme apo kjo periudhë do t'i besohet një qeverie teknike. Ndonëse kapitulli i këtij koalicioni që drejtoi për dy vjet Italinë quhet i mbyllur, ç'ka i shtohet serisë së kapitujve të shumtë të krizave qeveritare të 60 viteve të fundit, në vendin fqinj kanë nisur debate shumta rreth sistemit tepër të brishtë politik italian që bëhet shkak krizash ciklike. Dhe në rastin konkret, qeveria "Prodi" u rrëzua jo thjesht nga dorëheqja e ministrit të Drejtësisë, Mastella, pas akuzave mbi korrupsion. Tërheqja nga maxhoranca e deputetëve dhe senatorëve të partisë Udeur, ishte edhe një lloj ndëshkimi pse Prodi dhe qeveria e tij nuk e mbrojtën kryetarin e tyre Mastella nga sulmet e opozitës, medias apo edhe të organeve të drejtësisë.
Gjithçka ka ndodhur këto ditë në Itali, nëse do ta rimodelonim këtë debat në ambientin shqiptar, padyshim që një skemë e ngjashme nuk do të funksiononte. E thënë ndryshe, nëse Prodi dhe qeveria e tij do të konturoheshin në mjedisin shqiptar, jo vetëm që sot e kësaj dite do të ishte në pushtet, por zor se do frynte ndonjë erë krize në horizont. Madje dhe Mastella do të ish sërish ministër Drejtësie dhe partia e tij, pjesë vitale e koalicionit. Por, ja që Prodi kish vendosur të jetë Kryeministër italian, ndërsa ne këtej Adriatikut kemi zgjedhur të mbetemi shqiptarë dhe qeverinë ta ruajmë sipas mënyrës sonë. Sidoqoftë, ndërsa synojmë që të bëhemi pjesë e familjes europiane, të përshtatemi me standardet e tyre, në transformimin e shtetit dhe shoqërisë sipas parimeve demokratike, ia vlen të vrasim pak mendjen se çfarë do të kish ngjarë nëse (larg qoftë), në një bela të tillë do të ish futur qeveria "Berisha". Kjo, edhe për gjykuar se në çfarë stadi jemi krahasuar me Europën ku dëshirojmë të integrohemi.
Jo për ekuivalencë, por në krahasim me rastin italian, krizën qeveritare nuk mund ta shkaktonte ministri aktual i Drejtësisë shqiptare, Alibej. Nuk është punë stature, por thjesht fakti që Mastella ish njëkohësisht edhe kryetar i një partie në koalicion. Ndaj, të presupozojmë se akuza për afera korruptive do të drejtoheshin ndaj ndonjë ministri si Mediu, Ndoka, Pollo apo dhe Xhuveli, që me votat e forcave të tyre politike mbajnë në këmbë maxhorancën e djathtë. Pra a mund të rrëzohej qeveria "Berisha" për shkak të tyre? I shkreti ministër italian i Drejtësisë dha dorëheqjen, jo pse akuzohej drejtpërdrejtë, por për hir të së shoqes! Po këta ministrat tanë do ta bënin këtë akt dhe a do ta shtynin partinë e tyre të dilte nga koalicioni duke humbur njëkohësisht pushtetin? Vështirë të ndodhë. Jo pse ministrat tanë janë imunë ndaj korrupsionit, por sepse kjo maxhorancë që ka deklaruar "tolerancë zero ndaj korrupsionit" nuk mund të lejojë të rrëzohet nga vogëlsira të tilla. Së pari, nuk mund të imagjinohet që vetë Berisha, i ardhur në pushtet me devizën antikorrupsion, të lejojë që një ministër i tij dhe ca më tepër një aleat pas të cilit ka vota të vlefshme, të akuzohet për afera dhe ta braktisë në fatin e vet. Ndihma do të ish e gjithanshme për të përgënjeshtruar gjithçka dhe për të vënë në vend nderin e ministrit, në mënyrë që koalicioni të vijojë të jetë monolit. Madje edhe në rast se çështja do të bëhej objekt i organeve të drejtësisë, nuk ka asgjë për t'u shqetësuar pasi gjithçka mund të rregullohet. Një shembull qetësues është vetë rasti i ministrit Basha, ku pavarësisht akuzave, punët e qeverisë vijojnë të rrjedhin të qeta. Madje për lehtësim të pozitës së tij, gjenden dhe gjetje origjinale si ekskursioni i deputetëve në rrugën Rrëshen- Kalimash, ku ecuria e punimeve në kantier shërben si alibi e vlefshme ndaj "shpifjeve" të adresuara në adresën e ministrit.
Kryeministri Prodi u tregua i flashkët në këtë lloj fantazie, ndaj edhe qeveria e tij u rrëzua. Jo gjithmonë duhet të jemi ne shqiptarët që duhet të marrim shembull nga Europa. Nëse shtetarët perëndimorë do të konsultoheshin pa komplekse me politikanët tanë, atëherë do të ishin më jetëgjatë në pushtet dhe nuk do rrokulliseshin nga kriza të panevojshme. Kryeministri Berisha është më praktik në këto çështje. Ai di të mbrojë një ministër të vetëm dhe jo më një kryetar partie që e ka në qeveri. Hallet e Berishës nuk janë pra se mos akuzohen për korrupsion, por si të manovrojë kur aleatët kërkojnë poste shtesë në kabinet, si të ruajë balancat që t'i kënaqë të gjithë dhe koalicioni të mbetet në rresht pas tij. E gjitha kjo në emër "të duarve të pastra".
Problemet qeveritare dhe krizat politike në Shqipëri janë lehtësisht të transferueshme dhe kjo është padyshim meritë e qeverive tona. Ato përcillen ndërkohë tek ekonomia, tek shpresat e humbura të njerëzve dhe harxhimi i kohës dhe energjive për të shkuar drejt Europës. Por bllokimi i çështjeve që do të rrëzonin maxhorancat në ketë vend përcillen edhe nëpër lista sondazhesh ku Shqipëria rezulton me status të paarritshëm korrupsioni, për nivel të lartë të varfërisë dhe për parametra të ulët zhvillimi ekonomik. Sidoqoftë, në Shqipëri qeveritë i kemi të forta. Ato nuk rrëzohen kollaj dhe kjo është arritje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›