Një lexim më realist i klimës së biznesit
ADRIAN CIVICI
Raporti i fundit i Bankës Botërore “Si të bësh biznes 2009”, i cili fokusohet veçanërisht në sistemet rregulluese nacionale që përmirësojnë klimën e biznesit, na cilësonte si një nga 10 vendet më reformatore të planetit për periudhën 2007-2008. Nga 181 vende të botës të analizuara, Shqipëria klasifikohet në vendin e 86-të, nga vendi i 135 që ishim një vit më parë. “Doing businnes 2009” ka analizuar ecurinë e reformave në 181 vende të botës nën filtrin e 10 kritereve apo indikatorëve që konsiderohen si “rregulluesit kryesorë të biznesit”, duke nënkuptuar në përmbajtjen e tyre gjithë rregullat bazë, që nga momenti i krijimit të një biznesi të ri, funksionimit të tij, taksave, tregtisë brendshme e të jashtme, e deri te procesi i mbylljes së tij dhe daljes nga tregu.
Në këtë klasifikim nuk merren parasysh politikat kryesore makroekonomike, cilësia e infrastrukturës, fluktuacionet monetare, informaliteti apo kriminaliteti, shkalla e perceptimit të drejtuesve të bizneseve për klimën rregullatore, niveli i zbatimit të ligjit etj. Vendet e botës janë ndarë në shtatë grupe të mëdha në bazë si të kritereve gjeografike, ashtu dhe nivelit të zhvillimit ekonomiko-social të tyre si p.sh., vendet e OECD-së me të ardhura të larta për frymë, Europa Lindore dhe Azia Qendrore, Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut etj. Në shkallë botërore janë regjistruar dhe analizuar rreth 1000 reforma të ndërmarra gjatë periudhës një vjeçare 2007-2008 të marrë në studim.
Siç shihet, bëhet fjalë për një nga raportet më gjithëpërfshirëse në fushën e klimës së biznesit në rang botëror, të realizuar nga një institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare, siç është Banka Botërore. Në këtë këndvështrim, është pozitiv vlerësimi për Shqipërinë, e cila jo vetëm që ka progres evident nga një vit më parë, por mbi të gjitha renditet edhe në grupin e 10 vendeve më reformatore. Në lidhje me impaktin e dhënë nga reformat në lehtësimin e klimës së biznesit, raporti evidenton katër drejtime, ku Shqipëria shquhet veçanërisht: lehtësitë në nisjen e një biznesi të ri, sigurimi i kredive për biznesin, mbrojtja e investitorëve si dhe pagimi i tatimeve dhe taksave. Fjalia karakterizuese për Shqipërinë në dokumentin përmbledhës të raportit ishte se “Shqipëria ka unifikuar rregullimet që kanë lidhje me biznesin (ndërmarrjet), sigurinë sociale, punën, tatimet dhe taksat”.
Pa hyrë në detaje e shifra që në raport janë të shumta, dhe që shtypi e politika jonë i ka trajtuar tashmë gjerësisht, mendoj se është me interes të bëhet një “lexim më transversal i indikatorëve të raportit, duke e lidhur atë me sfidat kryesore të ekonomisë sonë në këto momente, duke e parë situatën e tanishme si një “paradhomë” të integrimit evropian dhe për pasojë duke u krahasuar me grupin e vendeve që sapo janë anëtarësuar në BE apo janë në të njëjtën situatë me Shqipërinë në këtë proces. Së fundi, të përpiqemi të “interpretojmë” disa indikatorë në funksion të politikave tona ekonomike e financiare dhe modelit të zhvillimit ose llojit të kapitalizmit që po përpiqemi të ndërtojmë.
Problemi i thellimit të bilancit tonë tregtar negativ është pa dyshim, një nga sfidat më urgjente që duhet të zgjidhë ekonomia dhe politikat ekonomike në Shqipëri. 2.3 miliardë euro ishte deficiti tregtar në 2007-ën, akoma më shumë duket se do të thellohet në 2008-ën. Në kushtet e një tendence në ulje të remitancave nga emigracioni, konsumi i lartë që po përballon Shqipëria, edhe sipas parashikimeve të Bankës Së Shqipërisë, rrezikon të provokojë një krizë të stabilitetit financiar të vendit. Rritja e qëndrueshme e importeve në mallra dhe shërbime, për pasojë dhe thellimi i deficitit korent, janë fenomene që meritojnë vëmendje të veçantë në politikat tona ekonomike. “Thembra e Akilit” në këtë këndvështrim mbetet rritja e shpejtë e prodhimit vendas për të zëvendësuar një pjesë të importeve si dhe rritja e ndjeshme e vëllimit të eksporteve. Çfarë evidenton “Doing businnes 2009” në këtë aspekt? Jemi pothuajse më dobët se gjithë vendet e rajonit në disa tregues që lidhen me eksportet dhe importet. Treguesi: “Dokumente të nevojshme për të realizuar eksportin e mallrave”, Shqipëria 7, Bullgaria e Rumania 5, Bosnja, Sllovenia e Serbia 6, etj. Treguesi: “Koha për të realizuar eksportin në ditë”, Shqipëria 21 ditë, Rumania dhe Serbia 12, Bosnja 16, Maqedonia 17, Mali i Zi 18, Kroacia 20. Treguesi “numri i dokumenteve për importet”, Shqipëria 9, Maqedonia, Serbia dhe Rumania 6, Bosnja, Bullgaria dhe Mali i Zi 7, Kroacia dhe Sllovenia 8.
Një tjetër tregues i rëndësishëm brenda vlerësimit të klimës së biznesit është edhe ai i “mbylljes së ndërmarrjeve” në të cilin jemi në vendin e fundit në botë, në të 181, duke e pasur zero ndryshimin nga viti paraardhës. E thënë ndryshe, ky tregues ka të bëjë me fenomenin e falimentimit, me kohëzgjatjen, koston dhe numrin e procedurave të realizimit të tij. Pse duhet të shqetësohemi për këtë tregues? Sepse, duke e parë nën një këndvështrim të pastër ekonomik, falimentimi nënkupton progres, nënkupton faktin se një biznes joefektiv del nga tregu duke u zëvendësuar me një biznes të të njëjtit sektor, por shumë më eficent. Në shumë studime krahasuese të eficencës së ekonomive të vendeve të ndryshme të botës, treguesit e “falimentimeve” dhe “shpejtësisë së zëvendësimit të kapitalit” serviren si indikatorë të dinamikës dhe shëndetit të një ekonomie. Në Shqipëri, fenomeni i falimentimit pothuajse nuk ekziston fare, ose kemi falimentime të detyruara e padeklaruara. Shumë biznese jo-rentabël prej një kohe të gjatë vazhdojnë të ekzistojnë në treg, një përqindje e konsiderueshme e kredisë që jepet nga bankat përdoret nga këto biznese për paga, shlyerjen e borxheve apo kredive të mëparshme, shpenzime operative, etj. Falimentimet vështirësohen edhe në raport me mundësitë dhe koston e krijimit të ndërmarrjeve të reja. Duke iu referuar “Doing bussines 2009”, Shqipëria e ka koston e fillimit të një aktiviteti të ri biznesi të barabartë me 25.8% të të ardhurave/frymë, ndërkohë që kjo kosto rezulton vetëm 8.6% të të ardhurave/frymë në vendet e rajonit dhe 4.9% në vendet e OECD-së. E gjithë kjo rëndon mbi eficencën e përdorimit të burimeve, koston e prodhimit dhe çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tyre duke e denatyruar konkurrencën dhe efektet pozitive të saj për stimulimin e eficencës së përgjithshme të sektorit ku bën pjesë biznesi në fjalë, ose edhe ekonomisë shqiptare në përgjithësi. Ligji i ri mbi falimentimet që sapo është aprovuar, megjithëse konsiderohet si ligj i mirë, mbetet për t’u parë se sa efektiv do të jetë në praktikë.
Ndërkohë që jemi relativisht mirë porsa i përket procedurave të punësimit, klasifikohemi jo pozitivisht në treguesin e “kostos së largimit nga puna”. Për Shqipërinë ky tregues është paga e një viti pune (52 javë të paguara), ç’ka nënkupton se për çdo kontratë të prishur në mënyrë të njëanshme nga punëdhënësi, ai është i detyruar ta paguajë edhe për një vit punonjësin e tij. Për të njëjtin tregues, Rumania e ka 8 javë, Bullgaria 9, Serbia 25, Maqedonia 26, Bosnja 31, Sllovenia 37, etj. Natyrisht që në interpretimin e këtij indikatori mund të insistohet se ai është në favor të mbrojtjes sociale të punonjësve dhe frenimin e veprimeve arbitrare të punëdhënësve. Por po ta shikojmë në mënyrë më analitike dhe krahasuese me vendet e tjera, kryesisht ato të zhvilluara, konstatojmë se ai më shumë fsheh një “shpëtim” nga detyrimi për të hartuar politika efektive punësimi, politika të fleksibilitetit maksimal të tregut të punës, menaxhim të mirë të sigurimeve sociale, kontrata pune transparente e eficente etj., se sa thjesht mbrojte sociale. Shembujt e shumtë të politikave të punësimit të grupuara në konceptin “flexicurity”, të eksperiencave ku koston e ndërprerjes së punësimit e merr përsipër shteti, të politikave të llojit “job center” etj., do t’ia ulnin shumë “koston e eficencës së punësimit” biznesit. Shembujt e vendeve si Anglia, SHBA, Zelanda e Re etj., në të cilat ky tregues është zero ose minimal, janë një shembull për t’u studiuar dhe aplikuar edhe në Shqipëri.
Së fundi, problemi i zbatimit praktik të ligjeve. Shqetësimi i Bankës Botërore dhe hartuesve të raportit “Si të bësh biznes 2009” për rastin e Shqipërisë ishte pikërisht “shkalla e zbatimit të ligjit”. Përgjithësisht ne jemi një vend që harton e aprovon ligje të mira, por kur vjen fjala për aplikimin korrekt të tyre, vlerësimi rezulton në anën e kundërt. Shefja e Bankës Botërore në Tiranë, Camille Nuamah, theksoi qartë “se raporti ka dalë duke iu referuar aspektit formal të ekonomisë shqiptare”, ndërkohë që vazhdimisht, në shumë tregues e raporte të tjera që kanë në fokus eficencën e institucioneve dhe shkallën e zbatimit të ligjit në Shqipëri, ne evidencohemi si vend me probleme të theksuara.