E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha në Uashington: SHBA vlerëson reformat në Shqipëri

 

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ka marrë vlerësimet e Senatit amerikan për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare. Kreu i diplomacisë sonë ka zhvilluar një vizitë dyditore në Uashington DC, ku u prit nga zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë dhe në takime të veçanta në Senatin amerikan nga senatori republikan Richard Lugar, bashkëkryetar i Komisionit për Punët e Jashtme, dhe senatorët demokratë Evan Bayh, Tom Carper dhe Benjamin Cardin, anëtarë të Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit amerikan. “Senatorët amerikanë vlerësuan reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe hapat e shpejtë që ajo ka hedhur në drejtim të konsolidimit të institucioneve demokratike, shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut të lirë. Ata vlerësuan gjithashtu rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe moderacioni në Evropën Juglindore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme. Gjatë takimeve të veçanta me senatorët Lugar, Bayh, Carper dhe Cardin, ministri Basha i njohu senatorët amerikanë me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, me theks të veçantë në konsolidimin e reformave ekonomike e fiskale, arritjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformën elektorale dhe atë në fushën e drejtësisë. Në takimin me ndihmës-sekretarin amerikan të Shtetit, Daniel Fried, ministri Basha dhe Fried diskutuan mbi reformat e ndërmarra nga Shqipëria, vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare për progresin në fushën ekonomike dhe financiare, zhvillimet rajonale dhe seancën dëgjimore të Komisionit të Jashtëm të Senatit amerikan mbi anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, në të cilën dëshmoi ndihmës-sekretari i Shtetit, Fried. Zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë e konsideroi seancën dëgjimore shumë të suksesshme dhe shprehu bindjen e tij për ratifikimin e shpejtë të protokolleve të anëtarësimit nga Senati amerikan. Ndërkohë gjatë takimit me zv.këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Presidentit Bush, ambasadorin James Jeffrey, bashkëbiseduesit u ndalën në reformat e ndërmarra në vend, bashkëpunimin Shqipëri-SHBA në fushën e sigurisë dhe zhvillimet në rajon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›