E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule shkarkon Barkën, Berisha heziton

 

ADI SHKEMBI

Kur janë mbushur plot tre vjet që nga marrja zyrtarisht e një posti ministror nga ana e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, kjo forcë kërkon largimin e ministrit të propozuar prej saj. Një hap i tillë nga partia që përfaqëson interesat e minoriteteve diskutohej rreth një muaj më parë, kur përflitej edhe për një takim të mundshëm mes kreut të kësaj partie, Vangjel Dule dhe Kryeministrit Berisha, takim i cili deri tani nuk është zhvilluar. Ndërkohë, PBDNJ-ja ka bërë zyrtare kërkesën për largimin e Kosta Barkës dy ditë më parë gjatë një mbledhje të kryesisë së kësaj partie. Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, aleate e PD-së në koalicionin e djathtë, konfirmoi dje në një prononcim për mediat vendimin e kryesisë për shkarkimin e Kosta Barkës. Burime pranë kësaj mbledhje bëjnë të ditur për gazetën se në kryesi ishte thirrur të merrte pjesë edhe Kosta Barka, i cili njëkohësisht është anëtar i kryesisë së PBDNJ-së, por që nuk ishte i pranishëm në këtë takim. Gjatë mbledhjes është propozuar pikërisht shkarkimi nga detyra e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barkës, për shkak të rezultateve të dobëta në ministrinë që ai drejton gjatë këtyre tre viteve. Dule bëri të ditur gjithashtu se ky propozim është pranuar nga të gjithë anëtarët e kryesisë dhe nuk ka pasur kundërshtime. Sipas drejtuesve të lartë të PBDNJ-së, pas vendimit të kryesisë, Kosta Barka ka shkarkuar sekretarin e përgjithshëm të ministrisë, Andrea Marto, i cili është kryetar i degës së OMONIA-s në Tiranë. Në të njëjtën ditë vendimi i kryesisë së Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut i ka vajtur në zyrë edhe Kryeministrit Berisha, i cili ende nuk ka reaguar zyrtarisht lidhur me këtë kërkesë. Madje, kreu i qeverisë ka pasur në mbledhjen e fundit përballë tij në radhët e ministrave, ministrin Kosta Barka, i cili tre vjet më parë u propozua me unanimitet si përfaqësues i PBDNJ-së në koalicionin e djathtë. Ndërkohë burime pranë Partisë Demokratike bëjnë të ditur gjithashtu se, Kryeministri Berisha nuk ka pranuar shkarkimin e Kosta Barkës nga ky post ministror, pavarësisht pretendimeve të krerëve më të lartë të PBDNJ-së se ai ka pasur rezultate të dobëta gjatë drejtimit të një prej ministrive me buxhet të konsiderueshëm. Zyrtarë të lartë të kësaj force politike, e cila ka qenë në koalicion me Partinë Socialiste gjatë kohës që kjo e fundit ka qenë në pushtet, bëjnë të ditur gjithashtu se në ditët e para të javës do të përcaktohet edhe zëvendësuesi i Kosta Barkës, ndërkohë që nuk bëhet e ditur se me ndryshimin e ministrit do të kërkohet ndonjë portofol tjetër ministror, apo do të mbahet sërish kjo ministri. Pak ditë më parë, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut u vu në qendër të vëmendjes, teksa iu përgjigj pozitivisht ftesës së Partisë Socialiste për të marrë pjesë në një tryezë ku opozita do të bashkohet për zbardhjen e plotë të shpërthimit në Gërdec, vrasjen e Kosta Trebickës, apo edhe reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore. Por sekretari i përgjithshëm i PBDNJ-së, Leonard Solis, tha në një intervistë për gazetën “Panorama”, se kjo forcë ishte në këtë takim vetëm për reformën në drejtësi, teksa shtoi se nuk mbështetet rrëzimin e Kryeministrit Berisha, i cili, sipas tij, është një kryeministër legjitim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›