E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama i kapur?!

Edmond Arizaj 

Kjo javë shtoi dyshimet se mes Sali Berishës dhe Edi Ramës mund të ketë një lloj lidhjeje të lëshimit dhe mbledhjes së perit nga ana e kryeministrit. Shkaqet reale nuk dihen, por nga deklaratat e kryeministrit dhe veprimet e kryebashkiakut, mund të merren me mend. Pas ngjarjes tragjike të biznesmenit Kosta Trebicka, Rama megjithëse pa asnjë kërkesë të qartë, rëndoi gjuhën me Berishën. Ndërkohë nga ana e tij, kryeministri i vendit, si rrallëherë sulmoi kryebashkiakun për lejet e ndërtimit në Tiranë, duke u shprehur për një megakorrupsion. Kishte muaj, në mos vite, që Berisha as nuk e prekte këtë çështje, por mjaftohej me ndonjë batutë të lehtë ndaj kryesocialistit në krye të bashkisë më të madhe. “Sulmi më i rëndë” i ardhur nga Berisha, ka qenë vetëm cilësimi i Ramës si kryetar bashkie me korrespodencë. Ndërkohë që në ashpërsimin e parë të Ramës dhe në vigjilje të takimit të të gjitha partive opozitare, e madje edhe të ndonjë aleate me Berishën, ky i fundit i nëpërkëmb Ramës lejet e ndërtimit.
Situata e mësipërme na jep të drejtën të nisim edhe analizën e takimit qesharak mes të majtëve. E pritur si shiu në mes të verës, dhe e thirrur në një moment tepër të rëndësishëm, kur mbi qytetarët rëndonte frika e zhdukjes së një dëshmitari, tryeza e majtë përfundoi në një fiasko të vërtetë me temën e vetme; mbështetje për Prokurorinë. Rama nuk preferoi ashtu si pjesëmarrësit e tjerë të konkludonte para mediave pas takimit, por pas një përgatitjeje në selinë e tij. Dhe përfundimisht, pavarësisht notave pozitive, pranoi dështimin e gjetjes së një gjuhe të përbashkët me aleatin kryesor, LSI-në. Pra, siç u shpreh Meta: “Imponimin e opozitës për të larguar Berishën me të gjitha mjetet demokratike”, ku nënkuptohej edhe braktisja e Parlamentit. Kjo ishte e papranueshme për Ramën. Ai ritheksoi edhe njëherë se PS-ja do të mbronte institucionet në Kuvend. Në të njëjtin Kuvend ku ai dhe eksponentë të tjerë të PS-së, akuzojnë ashpër kryetaren e Kuvendit për arrogancë dhe shtypje të fjalës së opozitës, ku akuzohet Berisha se ka kërcënuar me vrasje një deputet, ku e majta ndihet inferiore sa herë merr fjalën për shkak të gongut në dorën e Topallit. Dhe ku mbi të gjitha, në të njëjtin Kuvend, ku Berisha arriti me mjete të ndryshme dhe me ndihmën e vetë PS, të jetë i pranishëm në të gjitha pushtetet. E për rrjedhojë mund t’i ushtrojë trysni edhe Prokurorisë, e cila nuk është se përbëhet vetëm nga Prokurorja e Përgjithshme. Pra, me pak fjalë, Rama vendos të vazhdojë luftën politike në një zonë që vetëm ka dalë i humbur. Ky është një lëshim jo i paktë për Berishën, i cili në rast të protestave të vazhdueshme të opozitës, dhe jo vetëm të saj, nuk do të ndihej aq i qetë.
Nga ana tjetër të pranosh se Berisha po çmontohet vetë, (siç shkruhej në media për fjalët e Ramës), në një kohë që ai po grumbullon pushtetin të gjithë në dorën e tij, kjo është ose një panuhatje politike për të mos thënë politikë foshnjore, ose një justifikim për të mos “e bezdisur” kryeministrin. Koha ka treguar, se nëse Berisha nuk ndihet nën trysni, nuk ka Zot që ta çmontojë. Protesta e parashikuar e PS-së pas ngjarjes me Trebickën dhe në gjashtëmujorin e tragjedisë së Gërdecit, është vetëm një gixilosje për kryeministrin, për të cilin tashmë po bëhet jetike edhe mbajtja e pushtetit edhe për katër vjet të tjera. Dhe mandati i ri, mund të vijë me të gjitha format e njohura dhe të panjohura, por gjithsesi të paditura dhe të papritura nga Rama, i cili e mbështet fitoren e tij vetëm në vetëshkatërrimin e liderit të djathtë, gjë që nuk ndodhi as në periudhën më të vështirë për të, 1997.
Përpos bisedave dhe rrjedhojave para dhe pas takimit të opozitës, një fakt tjetër shumë i dyshimtë është ftesa e Ramës. Në një emision televiziv, një prej anëtarëve të kryesisë së Partisë Socialiste, teksa lexohej ftesa e Ramës në adresë të Metës, u shpreh vetëm se ishte në dijeni të saj. Lind e drejta të pyesim, vendimi për një takim mes partive opozitare ishte i kryesisë së PS-së, apo vetëm i Ramës dhe i disa bashkëpunëtorëve të afërt të tij? Mund të duket e parëndësishme, por nëse është e vërtetë se Rama e ka shkruar ftesën i pa konsultuar, e më pas ia ka dërguar norminalisht Metës dhe jo LSI-së, kjo tregon mënyrën e funksionimit dhe idenë e drejtimit të partisë nga ana e tij.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›