Barka: Unë banoj me qira,Solis i fiksuar për ministër
Pas vendimit të kryesisë së PBDNJ-së, reagon Kosta Barka, i cili thotë se nuk i është bërë e ditur një mbledhje e tillë. Ai akuzon Leonard Solisin se ka sajuar të gjithë këtë situatë, teksa shton se nga këto ngjarje e dëmtuar është vetëm PBDNJ-ja.
Kryesia e PBDNJ-së ka vendosur shkarkimin e tuaj nga posti që mbani me motivin rezultate të dobëta në drejtim të ministrisë. Si e komentoni këtë vendim?
Nëpërmjet shtypit, me këtë deklaratë jam njohur edhe unë. Duke qenë se përveçse ministër, përfaqësues i PBDNJ-së në kabinetin e koalicionit qeverisës, jam edhe nënkryetar i PBDNJ-së. Mosnjohja ime me këtë vendim të kryesisë së partisë (sigurisht nëse është vërtet i tillë), nuk është një fakt që duhet të kalojë thjesht dhe pa u vënë re. Kjo ose ka të bëjë me vazhdimin e deklaratave të papërgjegjshme dhe jashtë frymës së programit të PBDNJ-së që deputeti Solis ka bërë gjatë tre viteve të fundit, ose bën publike disa veprime që mund t’i jenë imponuar një pjese të forumit të lartë të PBDNJ-së, në emër dhe në shërbim të interesave personale, të cilat nuk kanë munguar të zhvillohen gjatë kohëve të fundit në anëtarë të caktuar të forumeve të partisë.
Vendimi i kryesisë është bërë publik në media nga sekretari i përgjithshëm i PBDNJ-së, Leonard Solis...
Solis është thjesht një deputet-produkt i merkatos politike dhe jo i vullnetit të zgjedhësve. Atëherë ç’na mbetet të pyesim e të besojmë. Ndoshta Solis shpreh me qëndrimet e veta interesat e minoritetit grek në Shqipëri, të cilave, ndoshta sipas tij, partia që e ka emëruar (e theksoj, emëruar dhe jo zgjedhur) Solisin sekretar të përgjithshëm, mund t’u jetë shmangur. Po ku ta gjejë Solis minoritetin grek në Shqipëri? A i ka rënë rruga ndonjëherë nga fshatrat dhe fshatarët e minoritetit? A e di si mendojnë, jetojnë dhe gjykojnë ata? E nga ta dijë? Solis është mbyllur në kullën e fildishtë në qendër të Tiranës, duke jetuar si kursimtar e nikoqir i mirë me të ardhurat modeste që ka kursyer gjatë viteve në Kuvend dhe në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë. Unë i bëj thirrje forumeve të partisë të hapin raportet e Parlamentit dhe të këqyrin me kujdes për cilat vendime të rëndësishme të maxhorancës Solis ka votuar pro. Kur kësaj maxhorance, pra edhe PBDNJ, u është dashur vota e Solis, ajo ka munguar. Sepse Solis e ka dhënë votën jo për interesat e maxhorancës, jo për interesat e zhvillimit të reformave në vend, jo për interesat e elektoratit që pretendon se përfaqëson, jo për interesat e minoritetit grek, por për interesa personale.
Për t’iu kthyer edhe njëherë motivit të shkarkimit tuaj, si e komentoni?
Unë nuk jam një ministër i përjetshëm dhe as i fiksuar pas karriges ministrore, siç mund të jetë Solis. Unë u bëra ministër pas një kontributi 15-vjeçar për forcimin e OMONIA-s dhe PBDNJ-së, për zhvillimin e konsolidimin e tyre si një faktor stabiliteti e progresi në Shqipëri. Unë jam një ministër që ndër parimet e mia bazë kam ndershmërinë, përkushtimin dhe korrektësinë, jo stilin dhe formatin “Solis”. Fëmijët e mi janë emigrantë dhe banesa ku jetoj ende me qira është një banesë e thjeshtë si e shumë qytetarëve të Tiranës. Unë nuk erdha ministër të bëhem i pasur, erdha të punoj me përkushtim dhe ndershmëri për t’i shërbyer vendit, popullit shqiptar, minoritetit dhe elektoratit. Nga elektorati dhe nga partia ime nuk më largon dot një bujtës, pa identitet personal, partiak dhe politik.