E Diel, 1 Nëntor 2026

Suedia, mbështetje Shqipërisë për anëtarësimin në BE

 

Suedia do të mbështesë Shqipërinë në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian, pasi ajo të marrë presidencën e radhës së BE-së në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2009. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Stokholm me ftesë të ministres së Shtetit për Çështjet e BE-së, Cecilia Malmström. Gjatë vizitës së saj, ministrja Bregu i njohu bashkëbiseduesit me hapat e ndërmarra nga qeveria dhe shteti shqiptar në rrugën për integrimin e vendit në BE si dhe më specifikisht për rolin që presim të luajë Mbretëria e Suedisë pas marrjes së Presidencës së BE-së në korrik 2009. Nga ana e saj, ministrja e Shtetit, Cecilia Malmström, siguroi Bregun se kur Suedia të marrë presidencën e radhës së BE-së, do të luajë rol jashtëzakonisht mbështetës në të gjitha hapat e mëtejshëm që pritet të ndërmarrë qeveria shqiptare, me qëllim anëtarësimin e plotë në BE. Sipas Malmstrom, vendi ynë do të ketë asistencën suedeze në përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë komunitar, mbështetje në ecurinë e dialogut për liberalizimin e vizave, si dhe lobimin e duhur për statusin e vendit kandidat. Bregu u takua gjithashtu edhe me Sekretarin Shtetit për Çështjet e BE-së, Frank Belfrage dhe zv.kryetarin e Komisionit për Çështjet e Jashtme, Urban Ahlin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›