E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Marrëveshja e Ohrit, boshti i marrëdhënieve ndëretnike”

01-05-2013 / Gazeta 55

Ministri i Jashtëm Bumçi takime në Maqedoni me presidentin Ivanov, kryeparlamentarin Trajkov dhe homologun Poposki

Ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, po zhvillon një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë. Ai i përcolli Presidentit Gjeorge Ivanov përshëndetjet e Presidentit Nishani dhe i dorëzoi ftesën për të marrë pjesë në Samitin e Presidentëve të rajonit që do të zhvillohet së afërmi në Shqipëri.
Presidenti Ivanov falënderoi për ftesën dhe konfirmoi edhe zhvillimin e vizitës së tij zyrtare në Tiranë, në vjeshtë të këtij viti.  Biseda u përqendrua në fushat e bashkëpunimit dypalësh si në infrastrukturë, energji, turizëm, kulturë e arsim, etj. Presidenti Ivanov vlerësoi përpjekjet e dy vendeve në proceset e integrimit europian. Ai shprehu gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin dypalësh, për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e dinamikës së marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në energji, infrastrukturë dhe turizëm. 
Duke u ndalur te roli i komunitetit shqiptar në Maqedoni, Ministri Bumçi theksoi se zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit është kyç për përparimin e vendit drejt BE-së, si dhe për konsolidimin e shtetit. Ai vlerësoi kontributin e faktorit shqiptar në Maqedoni i cili merr pjesë aktive dhe në mënyrë konstruktive në qeverisjen qendrore dhe lokale në vend. Integrimi i plotë i shoqërisë është në interesin më të mirë të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë por edhe të të ardhmes së saj europiane, vuri në dukje Ministri.
Ndërsa me kryetarin e Parlamentit, Trajko Veljanovski  ministri Bumçi vlerësoi se pas 20 viteve, dhe një trashëgimie të vështirë, marrëdhëniet me Maqedoninë kanë një rezultante shumë pozitive.  Duke u ndalur në marrëdhëniet ekonomike Bumçi theksoi se ato janë të mira, por kanë ende një potencial të madh për t’u zhvilluar më tej. 
Në këtë kuadër, ai vlerësoi se ndërtimi i infrastrukturës që lidh dy vendet është i një rëndësie madhore.  Në këtë kontekst ai vuri në dukje investimet që ka bërë qeveria shqiptare, së fundmi edhe me rrugën Tiranë-Elbasan, dhe nisjen e Rrugës së Arbrit, të cilat do të çojnë padyshim në rritjen e shkëmbimeve të mallrave, njerëzve dhe afrimin edhe më të madh mes dy vendeve.
Duke u ndalur në marrëdhëniet ndëretnike, Kryetari Veljanovski theksoi se Marrëveshja e Ohrit qëndron si bosht qendror dhe se të gjithë po punojnë së bashku për zbatimin e saj.
Takimi i parë u zhvillua me Ministrin e Jashtëm të  Republikës së Maqedonisë, Nikola Poposki, më pas me Kryetarin e Parlamentit, Trajko Veljanovski dhe me Presidentin e Republikës së Maqedonisë, Gjeorge Ivanov. 
Gjatë takimeve u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe u shpreh angazhimi i ndërsjellët për forcimin e mëtejshëm të tyre në frymën e bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë, për t’i shndërruar ato në model në rajon. 
Në bisedimet zyrtare, dy Ministrat e Jashtëm diskutuan mbi marrëdhëniet dypalëshe, perspektivën e proceseve integruese në të dy vendet, si dhe mbi zhvillimet në rajon dhe bashkëpunimin në kuadër të organizatave shumëpalëshe.
Ministri Bumçi theksoi se në politikën e saj rajonale, Shqipëria ka mbështetur një Maqedoni të qëndrueshme, të integruar dhe të zhvilluar, dhe në këtë kuadër vendi ynë ka mbështetur dhe vijon të mbështesë fuqishëm aspiratën e Maqedonisë për t’u anëtarësuar në NATO.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›