E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adelina: Jaccuse

Adelina Gina, një emër jo i panjohur në rrethet e artit në Tiranën e viteve 70, prezanton për një auditor universitar në Nju Jork, romanin dokumentar “Ku e çuat Shpëtimin”. Akuza e motrës ndaj Sigurimit të Shtetit për vdekjen e mistershme të vëllait, dramaturgut Shpëtim Gina, “mbetet në fuqi”, 34 vjet më pas

Nga mesi i muajit nëntor prezantohet në Universitetin e Binghamtonit, Nju Jork, “Where is my brother? A true story” i Adelina Ginës. Libërthi në anglishte i autores shqiptare është shkas për ta takuar auditorin e ri me një vend të Ballkanit gjatë epokës historike që mbylli shekullin e XX-të, nën regjimin dhe raportet e tij shumëplanëshe, me qytetarët, me artin, me vetë shtetin dhe me purgatorin e demokracisë, pak pas rënies së diktaturës së proletariatit.

Libri i saj “Ku e çuat Shpëtimin” u botua shqip në Amerikë nga Kurti Publishing më 2002. Më 2006 u përkthye dheu botua në gjuhën angleze po në Amerikë nga BookSurge Publishing.

Autorja nuk është emër i panjohur për rrethet e artit në Tiranën e viteve 70. E lindur më 1948, kreu studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe më 1970 në Tiranë, punoi në gazetën “Mësuesi”, shkruante për artin dhe kulturën në shtypin e kohës deri më 1976 kur në jetën e saj hyjnë hijet e vdekjes së dyshimtë të të vëllait, dramaturgut Shpëtim Gina dhe e biografisë së të shoqit, profesorit të gjuhës ruse e përkthyesit, Çezar Kurti i dënuar për disa vjet me punë të detyruar në minierë.

Drama e saj “Dikush erdhi” u vu në skenë më 1972 dhe u ndalua si “vepër moderniste”. Në këtë kohë hyn në skenë një emër meteor për teatrin shqiptar, i të vëllait, Shpëtim Gina. Atij i kushtohet romani dokumentar të cilin Adelina e quan, as më shumë e as më pak, akuzë, jo ndaj një individi apo një grupi individësh, por ndaj një ndërgjegjeje që mbajti në këmbë regjimin, kurse sot ka nën kontroll horizontin e qytetarëve të një sistemi të ashtuquajtur demokratik.

Adelina jeton në Nju Jork. Gjatë vizitës në Shqipëri pas 13 vjetësh, kur diskutimi për hapjen e dosjeve mbetet nëpër këmbë, ajo vazhdon ta quajë librin një akuzë pikërisht ndaj Sigurimit të Shtetit. “Për të folur për një periudhë të caktuar historike, ka plot libra historikë. Por këtu kemi të bëjmë me dy gjëra: me periudhën e komunizmit dhe me atë pjesë të pushtetit që ishte pjesa më e zezë e diktaturës, Sigurimi i Shtetit. Dikur kam thënë që me këtë libër dua të demaskoj dorën më të zezë të atij sistemi, që sot ende vazhdon të veprojë, mbase me financime të reja dhe mendoj që do duhet kohë për t’i prerë këto duar. Mbase këto duar janë zgjatur deri në Amerikë sepse ka njerëz të tillë që kanë punuar në këtë arë të diktaturës që sot janë bërë dhe nënshtetas amerikanë. Në këtë prizëm, mbase dhe unë jap një çikëz kontribut për popullin tim dhe për vendin ku jetoj sot dhe më ka bërë nënshtetase.”

“Ku është vëllai im” (titulli në versionin anglisht) është më një anë një hetim për vdekjen e dyshimtë aksidentale të të vëllait duke qenë brenda gjinisë së dokumentarit, më anë tjetër përcjell thelbin e një raporti arketipal, i theksuar në shoqëri si kjo e jona ku marrëdhëniet brenda gjakut mbeten “të ngrira”. Vajtimi si për një të vdekur dhe pritja si për një të gjallë, të kujton baladat ku motra shndërrohet në qyqe për të vajtuar të vëllanë. Rrëfimi i Ginës lidhet me një histori tronditëse dhe shpejt e mbyllur në gusht të vitit 1974, hetimi i të cilës tregohet në disa variante. Kështu që është edhe polifoni rrëfimesh, emrash, vendesh. Ky rrëfim si kur është i zhytur në zinë e fatkeqësive, si në lumturinë e ditëve të bukura me të vëllanë, përshkohet nga një ajër animizmi që e bën këlthitëse humbjen dhe më të fortë dyshimin e vdekjes së çuditshme.

Adelina beson se Shpëtim Ginën e kanë vrarë. Iu ndalua drama “Armiqtë” (është e çuditshme se si regjisori i saj Mihal Luarasi ka heshtur për një rast të censurës së skajshme) në Teatrin Popullor dhe në Opera. “Drama “Armiq” qëndron e veçuar në krijimtarinë e viteve ‘70- ‘80, nuk ka asnjë lidhje me realizmin socialist... Shpëtimi parandjeu dhe shprehu alegorikisht atë tension tragjik që shpërtheu gjatë viteve 70' në plenumet halucinante IV, V, VI dhe VII. Kjo ishte arsyeja që drama u ndalua nga lart. Parimi i tij drejtues ishte: artisti i bindet vetëm kërkesave të zërit të vet të brendshëm dhe përbuz dogmat dhe skemat zyrtare”,- shkruan Adelina. Ishte viti 1973 dhe ky 23-vjeçar besonte se socializmi kishte dështuar tashmë, prej dhunës dhe varfërisë ekonomike. Në atë kohë u ndalua edhe dokumentari “Berati” për të cilin kishte punuar me regjisorin Mevlan Shanaj. Sipas Adelinës ndodhi ngaqë “në skenarin e tij ashtu si në të gjitha shkrimet e tij aty spikaste humanizmi, butësia. Mirëpo ishte një kohë e çmendur që fabrikonte vetëm skenarë të tjerë, me armiq dhe sabotatorë. Krijimtaria e Shpëtimit ishte larg kësaj fryme. Me atë pastërtinë e saj ajo sikur tallej me këtë çorbë që po gatuhej dhe kështu “atë e goditën në mishin e butë, në sy, në gjymtyrë, kudo që ajo mund të jetonte”. Kjo frazë është e Shpëtimit, kështu kishte shënuar sipër dorëshkrimit të skenarit “Berati”, pas mbledhjes.”

Kjo penë elë lexuesin të pangopur, e lë në pritje dhe me shpresë mos do të marrë njëpërgjigje për vdekjen e çuditshme. Posi ato vepra që nuk e mbyllin horizontin e marrësit, sepse janë ndërtuar nga racio, ajo mbetet një dëshmi tronditëse, një kontribut për memorien qytetare. Kjo është historia që ajo e ka shkruar në kokë për 28 vjet, “prandaj ka dalë aq i shkurtër libri”, do shtonte gruaja që, megjithatë nuk e ndan humorin dhe naivitetin “nopran” as në të shkruar, as në të folur.

Ajo beson që njerëzit në Shqipëri e lexojnë këtë libër si akuzë. Dhe “nëse shoqëria shqiptare do t’i thotë disa të vërteta, atëherë ka për të marrë fund një ankth edhe për ata njerëz që dikur kanë nënshkruar. Boll kanë jetuar me frikën se një ditë do t’iu dalë emri. Kjo është një lojë e tmerrshme. Këta njerëz nuk kanë të drejtën të udhëheqin shoqërinë shqiptare”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›