Më mirë me fshesë
Të ndërrosh ndihmën e varfër sociale me punë në komunitet, për një rrogë më të mirë. Jo të gjithë e bëjnë. Lindita Hasani është një shembull ndryshe. Ajo pranon të bëjë çdo punë që i ofron bashkia, vetëm e vetëm për të rritur sa më mirë dy fëmijët.
Ajri sa vjen e rrallohet dhe pa, hyrë mirë, ndjen nevojën për t’u larguar sa më shpejt nga ky ambient mbytës. Lagështira në mure gati sa nuk të kap prej fyti dhe të ngjitet për të mos t’u shkulur më. Për një individ të mësuar në kushte normale jetese, banesa përdhese ku jeton Lindita Hasani me fëmijët e saj, do të mund të cilësohej si një ferr nga ku ke dëshirë të largohesh një minutë e më parë. Në lavaman, kuturu, vihen re tasa të palarë dhe poshtë tij, ca legenë dhe një kusi, pasuritë e vetme të kësaj familjeje mjerane që kalon ditët në pikë të hallit. Në dhomën e vetme ku shtyn ditët Lindita dhe fëmijët, televizori me ngjyra është luksi i vetëm që ata kanë. Ata nuk kanë frigorifer. Nuk kanë lavatriçe për të larë rrobat. Kontrabufe jo e jo. Të gjitha shërbimet i kryejnë në ato pak metra katrorë që shërbejnë si për të pritur miqtë e paktë që trokasin në derë, ashtu edhe nevojat e tjera ditore. Lindita nuk punon. Familja e saj ushqehet me ndihmën e pakët sociale, që nuk i kap 3 800 lekët në muaj. Ajo ka 6 vite që përfiton përkrahje sociale. E gjejmë duke plotësuar formularin e radhës të asistencës në Njësinë Bashkiake Nr.1, në kryeqyetet. Lindita është e divorcuar nga bashkëshorti. Fëmijët i ka rritur me halle të mëdha, herë me bukë e herë pa bukë. Djali ndjek mësimet në klasën e tetë, ndërsa vajza në cikline ulët fillor, në klasën e katërt. "Çdo ditë fëmijëve u duhet të flenë me barkun bosh, pasi nuk kam me se t’i ushqej. Vajza më kërkon çdo ditë t'i blej një palë atlete, pasi shkon në shkollë pothuajse zbathur, por në kushtet që unë jetoj nuk mundem t'ia siguroj. Edhe librat e shkollës, nuk munda t’ia blej këtë vit. Po të mos kishte qenë për drejtoreshën e shkollës, sot fëmijët e mi nuk do të mund të ndiqnin vitin e rregullt shkollor”, - nis e tronditur rrëfimin Lindita. Ajo nuk do të rrojë me lëmoshën e ndihmës sociale. Kërkon të ketë një punë. Një rrogë me të cilën, të paktën, të ushqej fëmijët. Së bashku me motrat e saj, Lindita është informuar mbi projektin e çelur nga Bashkia e Tiranës për punësimin sezonal të personave në nevojë. Kërkon edhe ajo të përfitojë nga ky rast i mirë. Nuk ka rëndësi nëse puna që do të bëjë mund të cilësohet e rëndomtë. Rëndësi ka që, nëse arrin të përfitojë, më në fund do të ketë një pagesë normale për të jetuar. “Nuk është kjo zgjidhja që i jep fund varfërisë në familjen time, por unë nuk kam mundësi tjetër. Të paktën të marr për disa muaj 10 mijë lekë të reja që fëmijët e mi të flenë disa ditë dhe ata me barkun plot.” Lindita ka aplikuar edhe në zyrën e punësimit, por për arsye fizike ajo e ka të pamundur të punojë në profesione që kërkojnë impenjim të gjatë ditor. Ajo do të ishte e kënaqur, qoftë edhe me punësim në shërbim të komunitetit, mundësi të cilën tani ia ofron Bashkia e Tiranës. “Nuk e kam për turp të bëj punës të dorës së fundit. Dua vetëm që fëmijët e mi të rriten dhe të kenë një jetesë normale”, - thotë Lindita, ndërsa vazhdon të mbushë formularin me shpresën se fati do të kthejë sytë dhe do të ndihmojë edhe familjen e saj të vogël.
Precedenti
Një vit më parë, 130 gra në Lushnjë nuk pranuan punën e ofruar nga bashkia
Lindita është rast që meriton të veçohet nga të tjerët. Një vit më parë, një ndodhi në qytetin e Lushnjës, bëri të habiten dhe pse jo të vënë buzën në gaz, të gjithë sa e dëgjuan atë çfarë kishte ngjarë. Një punishte këpucësh në bashkëpunim me bashkinë e qytetit ofruan punë për gratë, të cilat përfitonin ndihmë sociale. Bashkia e Lushnjës vendosi kusht për këto gra që të zgjidhnin, ose të merrnin ndihmën sociale, ose të punonin në punë në komunitet. Në parim të gjitha gratë pranuan të zgjidhnin të linin ndihmën sociale, në këmbin të një rroge më të mirë në privat. Madje, për të lehtësuar koston e udhëtimit, pronari i punishtes vendosi në shërbim të grave edhe një autobus vajtje-ardhje. Po çfarë ndodhi? Ditën kur ishte caktuar për të nisur puna, nga 150 gra që pranuan të refuzojnë ndihmën sociale për një pagë të mirë, vetëm 20 prej tyre u paraqitën në derën e autobusit, duke lënë të shtangur si kryetarin e bashkisë ashtu edhe të zotin e punishtes. Arsyeja e këtij bojkoti ishte faktin se shumica e grave pranonin më mirë të shisnin ambulant në rrugët e qytetit sesa të kishin një punë të qëndrueshme.
Puna në komunitet, jo të gjithë pranojnë
Me dhjetëra familje në qytetin e Tiranës jetojnë në kushte të vështira ekonomiko-sociale. Nga zyrat e minibashkive vijnë shifra alarmante. Diku më shumë, diku më pak kjo gjendje është e njëjtë në të gjitha njësitë bashkiake të kryeqytetit. Në Njësinë Bashkiake Nr. 1, për vitin 2007, nga përkrahja sociale përfituan 317 familje, ndërsa deri në fund të vitit, ka patur një reduktim të numrit të familjeve që marrin ndihmë. Aktualisht, ndihmë ekonomike përfitojnë gjithsej 255 familje. Ndër këto, 245 marrin ndihmë të plotë, ndërsa 10 familje përfitojnë ndihmë të pjesshme Kjo ka ardhur për shkak të projekteve të Bashkisë, me programet e saj sezonale si: pastrim, gjelbërim dhe shërbime në familje. Përsa i përket gjysmës së dytë të vitit 2008, vihet re një rritje e kërkesave. Zyra e përkrahjes sociale e shpjegon këtë fakt me përfshirjen e këtyre personave në punët komunitare të qytetit.
Kryeqyteti së shpejti me adresar të plotë
Bashkia e Tiranës ka nisur nga puna për fillimin e fazës së dytë të adresarit të kryeqytetit, fazë e cila do të shënojë edhe fundin e kaosit të adresave në kryeqytet dhe kthimin e tij në metropol europian. Burime pranë këtij institucioni kanë bërë të ditur se pas përfundimit të fazës së parë, ku u regjistruan 1268 emra rrugësh, nga të cilat 858 emra të rinj, tashmë radhën do ta ketë numërimi i godinave dhe hyrjeve, si edhe pajisja e tyre me numra përkatës. Me sistemin e ri të Adresarit të Tiranës, Bashkia e Tiranës synon një sistem modern adresash, sipas modeleve të qyteteve europiane, ku veç emrit të rrugës, kërkon të vendosë një numër rendor, i cili do të personifikojë çdo godinë. Së shpejti, të gjitha emërtimet do të përfshihen edhe në Sistemin Informativ Teritorial (GIS) të Bashkisë së Tiranës, përmes të cilit, çdo qytetar mund të kërkojë çdo informacion, pa pagesë. Sipas burimeve zyrtare të Bashkisë, "Pas përfundimit të fazës së dytë të projektit, do të bëhet edhe një reformë në Gjendjen Civile, për ta orientuar sipas adresave të reja".
Komuniteti në ndihmë të infrastrukturës rrugore
Përmirësimi i infrastrukturës rrugore do të mbetet një nga synimet kryesore të Bashkisë së Tiranës edhe gjatë vitit 2009. Një kontribut të rëndësishëm në arritjen e këtij synimi do të ketë edhe komuniteti. Një rast konkret është rikonstruksioni i plotë i rrugës “Korabi”, pranë lagjes sëish – Uzinës “Dinamo e Re”, punimet e së cilës u përuruan ditën e djeshme. I pranishëm në përfundimin e punimeve,nënkryetari i Bashkisë Eduard Shalsi, duke falenderuar komunitetin për kontributin e dhënë në realizimin e këtij investimi u shpreh: “Jemi shumë të gëzuar sot, sepse rruga që inagurojmë ka një të veçantë. Kjo rrugë e rikonstruktuar plotësisht, u bë e mundur jo vetëm me investimin e fondeve të Bashkisë së Tiranës, por edhe me investimin dhe kontributin material të vetë banorëve që jetojnë këtu”. Nënkryetari Shalsi, duke shfrytëzuar përfundimin e punimeve, informoi banorët edhe për emrin e ri që ka marrë tashmë rruga e tyre, e cila sot e tutje do të quhet “Korabi”.Gjatësia e rrugës së trajtuar është rreth 450 metra linearë, ndërsa gjerësia është 6 metra. Projekti i gjelbërimit ka përfshirë mbjelljen e 24 pemëve të llojit ligustra, ndërkohë që është bërë e mundur vendosja e stolave, duke u krijuar mundësi banorëve të kalojnë orët e tyre të lira. Rruga është pajisur me 17 ndriçues. Është ndërhyrë në sistemimin e shtresave asfaltike, kanalizimit të ujërave të zeza dhe të bardha, si dhe në ndriçimin rrugor dhe gjelbërimin e rrugës.